
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Embro Sulejmanin, punonjës i Agroturizëm Kodra e Kuajve, dhe Fatjon Kalluçin, përgjegjës i Policisë Shkencore, të dy të dyshuar për favorizim dhe ndihmë ndaj Ergys Agasit.
Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, Sulejmani ka deklaruar se Agasin e njeh pasi janë të dy nga Durrësi, ndërsa ka mohuar të ketë kryer ndonjë vepër penale.
“Nuk e di çfarë krimi kam bërë, i kam çuar supë e ushqim”, mësohet të ketë deklaruar ai para gjykatës.
Ndërsa oficeri i Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi, është shprehur se nuk mban mend të ketë dërguar akte sekrete, siç dyshon Prokuroria e Posaçme.
Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO-së, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar paraqiti më 23 shtator kërkesën për marrjen në pyetje të personave nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani, ndaj të cilëve ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”.
Në përfundim të shqyrtimit, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 70, datë 24.09.2026, vendosi vazhdimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të dy personat nën hetim.






















