
Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, e vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, zgjodhi sot të mos përgjigjej për thelbin e çështjes që e ka çuar në SPAK, por të sulmonte gazetaren Klodiana Lala me një insinuatë të rëndë dhe të paprovuar.
Në hyrje të SPAK, teksa gazetarët e pyetën për komunikimet me Ergys Agasin dhe dyshimet e ngritura nga Prokuroria e Posaçme, Hyseni iu drejtua gazetares së News24 me fjalët: “Klodi, si kalon ti në takime me agjentët serbë në dhomat e hotelit Rogner?”
Deklarata e Hysenit është qartazi një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga dosja penale ku ajo është nën hetim, drejt një sulmi personal ndaj gazetares që prej ditësh ka raportuar mbi zhvillimet e çështjes. Në vend të një përgjigjeje për akuzat që rëndojnë mbi të, ish-kreu i shërbimit sekret përdori një gjuhë kërcënuese, duke hedhur publikisht një aludim që, nëse nuk provohet, mbetet shantazh ndaj një gazetareje.
Klodiana Lala reagoi në një lidhje live për News24, duke e cilësuar deklaratën e Hysenit si një kundërsulm vulgar ndaj gazetarëve.
“Ajo ka zgjedhur të kundërsulmojë me gjuhë vulgare ndaj gazetarëve, duke i shantazhuar ata për takime në hotele të ndryshme”, u shpreh Lala.
Gazetarja tha se mbetet për t’u sqaruar se për çfarë takimesh flet Vlora Hyseni, por theksoi se akuza e lëshuar prej saj ishte e rëndë dhe kishte natyrën e një shantazhi publik.
Rasti bëhet edhe më serioz për shkak të pozicionit që Hyseni ka mbajtur deri pak ditë më parë. Ajo nuk është një qytetare e zakonshme që debaton në rrugë me gazetarët, por ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, institucioni që administron informacione të klasifikuara dhe çështje të sigurisë kombëtare. Për këtë arsye, çdo insinuatë e saj ndaj një gazetari nuk mund të trajtohet si nervozizëm momenti, por si deklaratë që kërkon përgjegjësi dhe sqarim.
Hyseni u pezullua nga detyra dhe u vendos në “arrest shtëpie” pas kërkesës së SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme. Ajo dyshohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “nxjerrje të sekretit shtetëror”.
Masat ndaj saj lidhen me hetimin e SPAK për Ergys Agasin, i akuzuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe manipulimin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Në këtë sfond, sulmi ndaj Klodiana Lalës nuk e zbeh peshën e dosjes. Përkundrazi, e rëndon edhe më shumë panoramën: një ish-drejtore e shërbimit sekret, nën hetim për nxjerrje sekretesh, që përballë pyetjeve të medias nuk jep shpjegime, por hedh akuza të errëta ndaj gazetarëve.






















