Qeveria italiane pritet të miratojë dekretin e ri për shkollat, një paketë masash që ka shkaktuar menjëherë debat politik dhe shoqëror. Në qendër të dekretit janë kufizimi i numrit të nxënësve jo italofonë në klasat e para, ndalimi i mbulimit të plotë të fytyrës në shkolla, kurset e detyrueshme të italishtes për prindërit dhe ndryshimi i emërtimit të instituteve teknike e profesionale.
Një nga masat më të diskutuara parashikon që, nga viti shkollor 2027/2028, në klasat e para të shkollës fillore, të mesme dhe të mesme të lartë, nxënësit që vijnë nga jashtë dhe nuk njohin italishten të mos kalojnë 30% të totalit të klasës. Kriteri nuk lidhet me shtetësinë, por me njohjen e gjuhës italiane. Pra nuk bëhet dallim mes qytetarëve të Bashkimit Europian dhe atyre jashtë BE-së.
Ministria ka sqaruar se masa nuk do të prekë klasat tashmë të formuara për vitin shkollor 2026/2027, por do të zbatohet për regjistrimet e reja dhe për nxënësit që mbërrijnë gjatë vitit shkollor.
Dekreti parashikon edhe përjashtime. Nxënësit që kanë ndjekur dy vite në kopsht ose tre vite në ciklet e tjera të arsimit nuk do të përfshihen në kufirin prej 30%. Po ashtu, rregulli nuk do të zbatohet nëse shkolla ose zyra rajonale arsimore nuk arrin të gjejë një institucion tjetër afër vendbanimit të nxënësit. Ky kufizim është vendosur për të garantuar të drejtën kushtetuese për arsim dhe parimin e afërsisë me shkollën.
Për shkollat që do të kenë nevojë për mbështetje gjuhësore, dekreti parashikon fonde të posaçme: 3.4 milionë euro në vitin 2027 dhe 14.1 milionë euro në vit nga 2028. Këto fonde do të përdoren për kurse të forcimit të gjuhës italiane për nxënësit e huaj.
Një tjetër masë e fortë është ndalimi i burqas dhe niqabit në institucionet arsimore. Dekreti ndalon pjesëmarrjen në aktivitetet mësimore dhe jashtëshkollore me fytyrë të mbuluar, përveç rasteve kur ka arsye shëndetësore ose sigurie. Për shkeljen e këtij ndalimi parashikohen gjoba administrative nga 200 deri në 1000 euro. Kur shkelja kryhet nga një i mitur, gjoba i vendoset prindit.
Në praktikë, norma shihet si një përditësim i ligjit Reale të vitit 1975, i miratuar në klimën e viteve të tensionuara të terrorizmit në Itali, kur ndalohej mbulimi i fytyrës me helmeta apo maska. Tani ndalimi shtrihet edhe ndaj mbulimit për arsye kulturore apo fetare.
Dekreti parashikon gjithashtu kurse të gjuhës italiane për prindërit e nxënësve që ndodhen në situata të rënda prapambetjeje arsimore. Shkolla do të duhet të njoftojë shërbimet sociale, të cilat mund të hartojnë një program mbështetjeje për familjen. Prindërit do të mund të ndjekin kurse pranë qendrave provinciale për arsimin e të rriturve, me synim marrjen e një certifikimi të paktën të nivelit A2.
Në rastet kur prindërit nuk pranojnë të ndjekin kurset dhe pengesat gjuhësore vazhdojnë të dëmtojnë integrimin shkollor të fëmijës, dekreti parashikon edhe mundësinë e vendosjes së të miturit jashtë familjes. Nga kjo masë përjashtohen prindërit që kanë kufizime të rënda në aftësinë për të mësuar gjuhën për shkak të moshës, sëmundjeve apo aftësisë së kufizuar, të vërtetuara nga struktura shëndetësore publike.
Paketa përfshin edhe ndryshimin e emërtimit të instituteve teknike dhe profesionale, të cilat do të quhen “lice”. Kjo është pjesë e reformës më të gjerë të ministrit të Arsimit, Giuseppe Valditara, për arsimin teknik dhe profesional.
Në dekret parashikohet edhe futja e latinishtes si lëndë fakultative në shkollat e mesme të ulëta, nga viti i dytë, me një orë në javë dhe gjithsej 33 orë në vit. Masa do të hyjë në fuqi nga viti shkollor 2027/2028.
Qeveria italiane parashikon gjithashtu zgjerimin e ndihmës për librat shkollorë. Fondi rritet me 21 milionë euro në vitin 2026 dhe pragu i të ardhurave për familjet që përfitojnë kontributin ngrihet nga 30 mijë në 40 mijë euro.
Një tjetër pikë e dekretit është rritja me 70 milionë euro e fondit për orientimin, përfshirjen dhe luftën kundër braktisjes së shkollës për vitin shkollor 2026/2027. Fondi i përhershëm kundër cyberbullizmit rritet me 4 milionë euro.






















