
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka shprehur gatishmërinë e gjyqtarëve për t’u ulur në tryezën e dialogut të propozuar nga kryeministri Edi Rama, por ka theksuar se pjesëmarrja në diskutime nuk nënkupton tërheqje nga qëndrimet e tyre.
Duke folur këtë të premte në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, Sadushi u ndal te debati për pagat e magjistratëve, duke nënvizuar se për mosmarrëveshjen ligjore do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të japë fjalën përfundimtare.
Sipas tij, Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të negociohen apo të zëvendësohen nga një tryezë politike apo institucionale. Megjithatë, Sadushi theksoi se kjo nuk do të thotë mbyllje e derës së dialogut me qeverinë.
“Prania në tryezë nuk do të thotë heqje dorë nga qëndrimet tona dhe as pranim i premisave të palës tjetër”, deklaroi Sadushi, duke shtuar se dialogu duhet të shërbejë për mbrojtjen e qëndrimeve me argumente dhe gjetjen e hapësirave për bashkëpunim.
Kreu i Gjykatës së Lartë kërkoi gjithashtu që diskutimi mes pushteteve të mos kufizohet vetëm te pagat e magjistratëve. Sipas tij, në tryezë duhet të trajtohen edhe problematika të tjera të sistemit, si vakancat, numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, stoku i dosjeve, kohëzgjatja e proceseve, infrastruktura, siguria dhe financimi i gjykatave.
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve zhvillohet gjithashtu për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilët do të kenë një mandat pesëvjeçar.






















