
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mbrëmjen e së premtes në Fushë-Krujë, ku përplasja e tre automjeteve i mori jetën një 19-vjeçari dhe la të plagosur dy persona të tjerë.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:15, në vendin e quajtur “Kameras”. Në aksident u përfshinë tre automjete, të drejtuara nga B.D., 35 vjeç, E.Sh., rreth 19 vjeç dhe L.S., 38 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, B.D. dhe E.Sh. mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, L.Z., rreth 19 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer në njërin prej automjeteve, humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.






















