Që nga fillimi i viteve ’90, ndërtimi ka kaluar në disa faza ciklike. Rritja më e madhe e sektorit ishte deri në vitin 2000, kur zhvendosja e popullsisë, e kombinuar me ndryshimin e stilit të jetesës dhe përmirësimin e të ardhurave çoi në një kërkesë të madhe për projekte rezidenciale.
Në atë vit, sektori i ndërtimit u zgjerua me 40%, sipas të dhënave të INSTAT-it. Sektori më pas u ngadalësua gradualisht, duke pësuar rënie në vitin 2010 dhe pasi e mori pak veten shënoi rritje negative në 2013-2014.
Pas vitit 2016 nisi dhe cikli i ri i rritjes, që ka qenë dhe më i debatueshmi deri tani, për disa arsye kryesore: së pari, për mundësinë që dha për kanalizimin e parave informale dhe së dyti, për modelin e ndërtimeve masive, të pashoqëruara me infrastrukturën e nevojshme dhe duke shfrytëzuar burimet natyrore e hapësirën, pa mësuar nga gabimet që u bënë me valën e parë.
Së treti, debatet kanë qenë të shumta nëse kërkesa është e lartë, në një popullsi në tkurrje, sidomos në kryeqytet, teksa në bregdet, një faktor kanë qenë dhe blerësit e huaj.
Së katërti, çmimet sa vijnë e po bëhen më të shtrenjta në raport me fuqinë blerëse, duke e bërë Tiranën kryeqytetin e katërt më të shtrenjtë në Europë, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës, sipas “Numbeo”, një njësi informacioni globale.
Në 2021-2023, sektori u rrit me 7-10% në vit. Ndonëse ritmet e rritjes janë më të ngadalta se në vitet 2000, në vlerë ato janë shumë më të larta për shkak të çmimeve më të shtrenjta. Dy vitet e fundit, po shfaqen shenja ngadalësimi. Në vitin 2025, rritja zbriti në 4% dhe u shënua dhe zgjerimi më i ulët që nga periudha e pandemisë.
Vështirë që në vitet e ardhshme, sektori të shohë ritme kaq të larta zgjerimi, në mos të vijë dhe në rënie. Ndërhyrjet e SPAK-ut, që goditi në mes të vitit 2026 disa grupe kriminale, që u provua se po pastronin paratë në ndërtim, të kombinuara me maturimin ciklik të sektorit janë faktorë që pritet t’i vënë shkopinj në rrota sektorit.
Në kahun tjetër, parashikimi bëhet i vështirë, për shkak të mungesës së informacionit për sipërfaqet e lejeve te ndërtimet e larta që jepen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, që nuk raportohen nga INSTAT-i, që nga fillimi i vitit 2025.
Të dhëna indirekte, nga rritja e fortë e të ardhurave nga taksa e ndërtimit në infrastrukturë, në pjesën e parë të 2026-s, tregojnë se lejet po vazhdojnë të jepen, por se sa do të materializohen, koha do ta tregojë.
Në vitin 2025, ndërtimi qarkulloi rreth 646 miliardë lekë, apo rreth 6.6 miliardë euro, sipas të dhënave të INSTAT-it, duke arritur nivel rekord. Kjo shifër mat volumin dhe vlerën e përgjithshme të aktivitetit të kryer nga sektori, duke përfshirë ndërtimin e banesave dhe objekteve të tjera, veprat infrastrukturore dhe punime të tjera.
Ky është volumi më i lartë i punimeve i regjistruar ndonjëherë. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, shpenzimet kapitale dhe ato operative të mirëmbajtjes në vitin 2025 ishin rreth 210 miliardë lekë, duke kontribuar në rreth një të tretën e volumit të ndërtimit në vend.
Kontributi i aktivitetit të ndërtimit dhe i pasurive të paluajtshme në rritjen ekonomike të vendit ka rënë në dy vitet e fundit, duke sinjalizuar për tkurrje të rolit të tij.
Në vitin 2021, ndërtimi kontribuoi me 1.29 pikë përqindje në rritjen ekonomike, ndërsa në vitin 2025, sektori dha efektin më të ulët në 5 vitet e fundit, me 0.5 pikë përqindje. Teksa sektorët e tjerë të ekonomisë reale, sidomos bujqësia e ndërtimi, janë në terren negativ, sërish kontributi i ndërtimit mbetet i konsiderueshëm.
Ngritja e projekteve rezidenciale, investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, turizmi, që po nxit si ndërtimin e hoteleve, komplekseve për banim, ashtu dhe me blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht nga të huaj, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në tendencën e ndërtimit e pasurive të paluajtshme./ Monitor






















