Prifti Frat Ndue Toplana u është drejtuar me një videomesazh qytetarëve shqiptarë, klerit dhe klasës politike, duke shprehur mbështetjen për protestuesit dhe duke bërë thirrje për një reagim të gjerë qytetar ndaj situatës në vend.
Në mesazhin e tij, Toplana falënderoi qytetarët që, sipas tij, prej katër muajsh vijojnë protestat, duke pretenduar se qëndresa e tyre ka sensibilizuar jo vetëm opinionin publik në Shqipëri, por edhe atë ndërkombëtar.
“Së pari dëshiroj me falënderue të gjithë protestuesit që po bëjnë katër muaj që nuk janë shkëputur nga protesta, duke sensibilizuar jo vetëm Shqipërinë, por edhe botën mbarë se çfarë po ndodh në vendin tonë”, u shpreh ai.
Kleriku lëshoi akuza të forta ndaj qeverisjes dhe klasës politike, të cilat i bëri përgjegjëse për shpopullimin e vendit dhe, sipas tij, cenimin e interesave kombëtare.
“Po e shpopullojnë Shqipërinë, po e tradhtojnë e po e shesin vendin. E mundësisht po dalin publikisht e po thonë se janë krenarë për atë që po bëjnë. A nuk ju vjen turp si e shitni vendin tuaj, shtetin tuaj, popullin tuaj për një karrige?”, deklaroi Toplana.
Ai solli si shembull edhe vendet e rajonit, përfshirë Malin e Zi, Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Greqinë dhe Turqinë, duke pretenduar se drejtuesit politikë në këto vende nuk veprojnë kundër interesave të shteteve të tyre.
Në vijim, Toplana bëri thirrje për bashkimin e qytetarëve përtej përkatësive politike, fetare, ideologjike apo krahinore. Sipas tij, reagimi duhet të jetë masiv, por paqësor dhe pa dhunë.
“Nuk ka mbetur gjë tjetër veçse me u bashkuar pa dallim feje, pa dallim partie, pa dallim ideologjie e krahine”, u shpreh kleriku.
Ai propozoi që qytetarët të dalin në sheshe dhe të bllokojnë në mënyrë paqësore institucionet shtetërore, duke kërkuar largimin e drejtuesve aktualë të vendit.
Në përfundim të mesazhit, Toplana paralajmëroi se, sipas tij, mungesa e një reagimi të përbashkët qytetar mund të rrezikojë të ardhmen e shtetit dhe të kombit shqiptar.






















