
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka propozuar Ministrisë së Financave ndryshime ligjore që do të mundësonin mbledhjen me forcë të kësteve të parapagimit të tatimit mbi fitimin, në rastet kur bizneset nuk i shlyejnë ato brenda afateve.
Propozimi u bë publik nga drejtori i Tatimeve, Ilir Binaj, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare. Sipas tij, aktualisht administrata has vështirësi në arkëtimin e këtyre kësteve, pasi ato marrin statusin e detyrimit vetëm pas mbylljes së deklaratës vjetore.
Binaj shpjegoi se më parë për vonesat aplikohej një gjobë prej 10%, e cila u hoq për të lehtësuar bizneset. Por, sipas tij, kjo masë ka sjellë vështirësi në mbledhjen në kohë të parapagimeve. Për këtë arsye, Tatimet kërkojnë që ndryshimi të përfshihet në paketën e re fiskale.
Kreu i Tatimeve bëri të ditur gjithashtu se kontrollet kundër informalitetit do të shtrihen më tej në tregtinë online dhe në sektorin e shërbimeve mjekësore.
Një tjetër kategori e vënë nën lupën e administratës janë individët që zotërojnë automjete të shtrenjta, por nuk rezultojnë me të ardhura të deklaruara. Sipas Binajt, janë identifikuar rreth 200 persona të konsideruar me risk të lartë, ndërsa kontrollet e kryera ndaj tyre kanë sjellë penalitete me një vlerë totale prej rreth 700 mijë eurosh.
“Kishin makina të shtrenjta, por nga ana tjetër nuk kishin asnjë deklarim në administratën tatimore”, deklaroi Binaj, duke shtuar se penalitete janë vendosur pothuajse në çdo kontroll të zhvilluar.






















