Sociale 21 September 2026, 14:49 Nga VNA

Tre muaj mbi tavolinën e KPP-së/ Tenderi 9.8 mln euro i RTSH-së në pritje të vendimit, pse u skualifikua oferta më e lirë dhe u anashkaluan rekomandimet e KLSH-së?

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 21, 2026, 02_49_38 PM.png

Prej afro tre muajsh, në zyrat e Komisionit të Prokurimit Publik qëndron një dosje që kërkon një vendim. Bëhet fjalë për procedurën e Radiotelevizionit Shqiptar për mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të transmetimit DVB-T2, një tender me vlerë rreth 9.8 milionë euro, i cili u ankimua nga dy prej operatorëve të skualifikuar. RTSH ia përcolli çështjen KPP-së në fund të muajit qershor, por shtatori po mbyllet dhe institucioni që ka në dorë fatin e procedurës ende nuk është shprehur.

Në një histori që deri më tani ka ngritur pikëpyetje për kriteret e tenderit, skualifikimin e ofertës rreth 1.2 milionë euro më të lirë dhe shpalljen fitues të operatorit të vetëm të mbetur në garë me ofertën sa 99.1% të fondit limit, tashmë problemi është zhvendosur nga RTSH te Komisioni i Prokurimit Publik. KPP duhet të shqyrtojë ankesat dhe të përcaktojë nëse vendimmarrja e autoritetit kontraktor ka qenë në përputhje me ligjin. Por prej muajsh, procedura ka mbetur pezull.

Vonesa bëhet edhe më e pakuptueshme përballë afateve që përcakton ligji. Sipas ligjit, KPP ka një afat prej 20 deri në 30 ditësh për shqyrtimin dhe marrjen e një vendimi, përfshirë edhe rastet kur për çështje të caktuara kërkohet ekspertizë e specializuar. Nëse dosja ka mbërritur në institucion në fund të qershorit, afati maksimal do të duhej të ishte konsumuar që në fund të korrikut. Kanë kaluar edhe gushti dhe pjesa më e madhe e shtatorit, ndërsa përgjigjja ende mungon.

Në këtë rast, koha nuk është thjesht një çështje burokratike. Tenderi i bllokuar lidhet me mirëmbajtjen e rrjetit të transmetimit të RTSH-së, ndërsa në kullat e këtij rrjeti, sipas materialeve të administruara, janë vendosur edhe antena të përdorura nga Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ dhe Albcontrol. Kjo i jep procedurës një rëndësi që shkon përtej funksionimit të transmetuesit publik dhe ngre pikëpyetje mbi pasojat që mund të krijojë zvarritja e një kontrate mirëmbajtjeje për një infrastrukturë të tillë.

Nuk mund të thuhet se vonesa e KPP-së do të shkaktojë domosdoshmërisht probleme në funksionimin e këtyre sistemeve, por pyetja është e pashmangshme, çfarë ndodh nëse gjatë kësaj periudhe shfaqet një defekt serioz që kërkon ndërhyrje të specializuar? Kur bëhet fjalë për infrastrukturë që përdoret edhe nga institucione të lidhura me sigurinë dhe kontrollin e trafikut ajror, respektimi i afateve nuk është më vetëm formalitet administrativ.

Paradoksi bëhet edhe më i fortë po të krahasohen afatet. Vetë procedura e prokurimit nisi më 26 mars dhe brenda rreth tre muajsh u zhvillua gara, u paraqitën ofertat dhe dokumentacioni, u bë vlerësimi, u shpall fituesi, u paraqitën ankesat dhe dosja përfundoi në KPP. Ndërkohë, institucionit që duhet të shqyrtojë konfliktin mes palëve po i duhen thuajse po aq muaj vetëm për të dhënë një vendim.

Dhe nuk bëhet fjalë për një dosje rutinë. Investigim i mëparshm i VNA mbi tenderin kanë evidentuar një seri pikëpyetjesh që tashmë presin përgjigje pikërisht nga KPP. Në garën me fond limit 906.9 milionë lekë morën pjesë tre bashkime operatorësh, por dy prej tyre u skualifikuan. Në fund mbeti vetëm bashkimi “IDEA-TEL” dhe “REAL COM”, i cili u shpall fitues me një ofertë sa 99.1 për qind e fondit limit, ndërsa oferta e bashkimit “R&T” dhe “TBS 96” ishte rreth 1.2 milionë euro më e ulët.

Një prej pikave kryesore të konfliktit lidhet me një autorizim të paraqitur nga operatorët e skualifikuar, të cilin RTSH e konsideroi të falsifikuar. Operatorët e kanë kundërshtuar këtë përfundim, duke pretenduar se nuk është paraqitur një ekspertizë që provon falsifikimin dhe se vetë subjekti lëshues ka konfirmuar autenticitetin e dokumentit. Pikërisht këto pretendime, së bashku me dokumentacionin e palëve, janë tashmë objekt i shqyrtimit të KPP-së.

Çështja merr një tjetër dimension edhe për shkak se Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte ngritur më parë shqetësime për përdorimin e kritereve të lidhura me autorizimet e prodhuesve në tenderët e mirëmbajtjes së të njëjtit rrjet. Në auditimin e një procedure të mëparshme, KLSH kishte vlerësuar se kritere të kësaj natyre mund të orientonin operatorët drejt prodhuesve të caktuar dhe të kufizonin konkurrencën. Ky konstatim nuk provon shkelje në procedurën aktuale, por e bën edhe më të rëndësishëm një shqyrtim të plotë dhe në kohë të ankesave.

Për të gjitha këto pikëpyetje, sot topi është në fushën e Komisionit të Prokurimit Publik. KPP nuk ka për detyrë të përcaktojë se cili operator duhet të marrë kontratën, por të gjykojë nëse procedura, kriteret e përdorura dhe skualifikimet janë në përputhje me ligjin. Vendimi mund t'u japë të drejtë operatorëve ankues ose RTSH-së. Ajo që nuk shpjegohet është përse ky vendim nuk është marrë ende.

Çdo ditë që kalon e zhvendos vëmendjen gjithnjë e më shumë nga përmbajtja e tenderit te vetë institucioni që duhet ta gjykojë atë. Sepse kur ligji vendos afate për administratën, ato nuk janë shkruar vetëm për qytetarët dhe kompanitë që presin pas dyerve të institucioneve. Janë detyrim edhe për institucionet që kanë tagrin të vendosin.

Në këtë pikë, pyetja nuk është më vetëm nëse RTSH veproi drejt kur skualifikoi dy operatorët apo nëse pretendimet e kompanive qëndrojnë. Këtë duhet ta thotë KPP. Pyetja që kërkon përgjigje sot është shumë më e thjeshtë, përse një institucion i ngarkuar për të garantuar zbatimin e rregullave të prokurimit publik nuk po respekton afatin për të dhënë vendimin e tij dhe kush mban përgjegjësi për një procedurë të rëndësishme që prej muajsh vazhdon të mbetet pezull?

Video

Do të shkrihen 15 bashki, por Taulant Ballës reforma nuk i duket edhe aq e thellë.

Studentët e universiteteve në Kosovë janë ngritur në protestë në Prishtinë kundër vendimeve të Gjykatës Speciale. Me pankarta në duar, ata shprehën mbështetjen e tyre të plotë për ish-krerët e UÇK-së. Organizatorët nga Parlamenti Studentor i UP-së e cilësuan marshin si një thirrje për unitet dhe drejtësi. Në përfundim të marshit, studentët paraqitën një memorandum me gjashtë kërkesa kryesore. Ata kërkuan mbështetje të pakushtëzuar për të akuzuarit dhe monitorim ndërkombëtar të procesit në Hagë. Ndërkohë, për sonte në orën 21:00 është paralajmëruar edhe një tjetër protestë nga Çlirim Haziri.

Lajmi në koment?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme