Sociale 20 September 2026, 09:23 Nga VNA

1926-2026 / 100-vjetori i godinës së Parlamentit

Ndaje në Whatsapp
1926-2026 / 100-vjetori i godinës së Parlamentit

Nga Gazmend Bakiu

Selia e parë e legjislativit shqiptar shërbeu si e tillë në periudhën 27 mars 1920-30 qershor 1926. Por, godina, pronë e Zija Toptanit, nuk ishte projektuar për Parlament. Më pas, kjo ndërtesë në vitet 1928-1939 ka qenë Pallati Mbretëror dhe prej kohësh aty e ka selinë “Akademia e Shkencave”.

Selia e re e legjislativit filloi të ndërtohej si “Klub Oficerësh”, por me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.498-V, datë 15.04.1925, u vendos që godina të ishte selia e Senatit dhe u dhanë fondet e nevojshme për përfundimin e saj.

Selia e re e Parlamentit u inaugurua më 15 shtator 1926, në një mbledhje, sesion të përbashkët të Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, me rastin hapjes së Legjislaturës së II të vitit të II të Republikës, me një fjalim përshëndetës të presidentit Ahmet Zogu.

Aty u vendosën të dy dhomat përfaqësuese dhe në vitin 1928 u vazhdua me një dhomë, që u quajt Parlament. Për të nënvizuar rëndësinë e Parlamentit, mbi hyrjen kryesore ishte vendosur numri 1. Ajo ishte e para godinë administrative që u ndërtua me fondet e shtetit shqiptar dhe shërbeu si seli e Parlamentit në periudhën 1926-1944.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, godina fillimisht shërbeu si selia e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Në vitet 1950-1957, në ndërtesën e Parlamentit Shqiptar u vendos “Klubi i miqësisë shqiptaro-sovjetike” dhe ajo përdorej si qendër kulturore e sovjetikëve, në kohën kur këta të fundit i kishim me shumicë në Shqipëri.

Me ndërprerjen e marrëdhënieve sovjeto-shqiptare, aty u vendos “Teatri i Kukullave”, si për t’u tallur me historinë e këtij vendi. U bënë edhe ndërhyrje dhe adoptime, por akustika dhe salla e bukur ka mbetur.

Në vitet 1996-2000, selia e Parlamentit të dikurshëm, veç funksionit për argëtimin e fëmijëve, u bë selia e “Këshillit Bashkiak” të kryeqytetit, gjë që nuk vazhdoi pas vitit 2000, sepse pas atij viti Bashkisë së sotme iu bë një shtesë, që shërben si sallë për mbledhjet e “Këshillit Bashkiak”.

Ajo sallë nuk ka vend për publikun, siç do të duhej sipas standarteve europiane, ndërkohë që ndërtesa e vjetër e Parlamentit 1926-1944 i përmbush këto kushte dhe mund të ishte njëkohësisht muze i parlamentarizmit.

Së fundi, me fondet e Bashkimit Europian u krye restaurimi i ndërtesës, në funksionin e “Teatrit të Kukullave”, i cili përfundoi më 16 Dhjetor 2024. Me atë rast në të djathtë të ndërtesës shkruajtën: “Parlamenti i parë shqiptar”, kur siç dihet dhe treguam edhe këtu, kjo ka qenë selia e dytë e Parlamentit shqiptar.

P.S. Në foto duken disa shkallë, të cilat sot nuk janë më, si rezultat i ngritjes të kuotës së rrugës, gjë që ka qenë një dëmtim tjetër për këtë ndërtesë historike.

Video

Nga 61 në 46 bashki, socialistët ndryshojnë hartën më 8 tetor pa konsensusin e opozitës

Bota në një minutë

Dosja Balluku/ Igli Tare paraqitet në SPAK. Ish-futbollisti i Kombëtares në hetim për pastrim parash.

Bota në një minutë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme