Sociale 19 September 2026, 17:36 Nga VNA

Miliona investime, pak të ardhura/ Eco Park Dumrea vazhdon të kërkojë para, FSHZH jep edhe 217.6 mln lekë të tjera

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 19, 2026, 05_31_08 PM.png

Në Dumrea, mes liqeneve dhe kodrave të Belshit, shteti po përgatitet të hedhë të tjera miliona në një projekt ku investimet publike vazhdojnë të shtohen, ndërsa pyetja më e rëndësishme mbetet ende pa një përgjigje të qartë, sa para arrin të kthejë mbrapsht ky aktivitet?

Bëhet fjalë për Eco Park Dumrea, kompleksin ku Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur një tjetër kapitull investimesh. Procedura e fundit është zhvilluar me një fond limit prej 333.1 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa fitues është shpallur bashkimi i kompanive “2 N” dhe “Shendelli”, me një ofertë prej rreth 217.6 milionë lekësh pa TVSH. Oferta më e ulët ekonomikisht u skualifikua për mosplotësim të kritereve, ndërsa punimet parashikohet të zgjasin 20 muaj.

11111.PNG

Dhe nuk bëhet fjalë për një ndërhyrje të vogël. Preventivi parashikon punime në restorant, administratë dhe sallën multifunksionale, si dhe ndërtimin apo zhvillimin e ambienteve glamping, shtëpizave në lartësi, pishinës me ambientet ndihmëse, amfiteatrit, stacionit ujor, lojërave dhe vatrës së zjarrit. Me pak fjalë, me para publike po financohet zgjerimi i mëtejshëm i një kompleksi turistik dhe argëtues.

Edhe rruga drejt këtij investimi nuk ka qenë e drejtpërdrejtë. FSHZH e hapi tenderin fillimisht në fund të qershorit, me një fond limit pothuajse identik prej 333.27 milionë lekësh. Më 18 korrik procedura u anulua, pasi në dokumentet e tenderit ishin konstatuar “gabime ose mangësi të rëndësishme”. Vetëm pak javë më vonë ajo u rihap me 333.14 milionë lekë fond limit. Në garën e dytë u paraqitën 12 oferta dhe fituesi u shpall me 217.6 milionë lekë pa TVSH, rreth 2.4 milionë euro.

2222.PNG

Por historia e Eco Park Dumrea ka nisur më herët. Kompleksi është pjesë e programit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për zhvillimin turistik të Belshit. Faza e parë, e vënë në funksion rreth vitit 2023, përfshinte nëntë shtëpiza druri buzë Liqenit të Marinës, restorant dhe infrastrukturë shëtitëse. Vlera e plotë e kësaj faze është e vështirë të izolohet, pasi investimi është realizuar përmes programeve më të gjera të FSHZH-së.

fiskjndokjndnjds.jpg

Parku administrohet përmes Agjencisë Ekonomike Mbështetëse, shoqëri në pronësi të FSHZH-së, e cila menaxhon edhe struktura dhe aktivitete të tjera. Pikërisht këtu shfaqet kontrasti mes ambicies së investimeve dhe të ardhurave që prodhon aktiviteti. Sipas bilancit të Agjencisë, të ardhurat nga hoteleria dhe restorantet gjatë vitit të kaluar ishin vetëm 11.8 milionë lekë, rreth 128 mijë euro. Kjo shifër nuk i përket vetëm Dumreas, por të gjithë aktivitetit të hotelerisë dhe restoranteve të Agjencisë.

fitimi.png

Pjesa dërrmuese e të ardhurave nuk vjen nga shtëpizat buzë liqenit apo restorantet, por nga parkimet publike. Sipas të njëjtave të dhëna financiare, ato sollën rreth 2.5 milionë euro të ardhura, megjithatë Agjencia e mbylli vitin me rreth 64 mijë euro humbje. Kjo humbje nuk mund t'i faturohet vetëm Eco Park Dumrea, pasi bilanci përfshin disa aktivitete, por shifrat tregojnë se hoteleria dhe restorantet mbeten një pjesë shumë e vogël e të ardhurave krahasuar me parkimet.

parkimi.jpg

Këtu kontrasti bëhet edhe më i fortë. Ndërsa i gjithë segmenti i hotelerisë dhe restoranteve të Agjencisë raportohet se prodhoi 11.8 milionë lekë të ardhura në një vit, vetëm kontrata e re për zgjerimin e Eco Park Dumrea kap 217.6 milionë lekë pa TVSH. Pra, investimi i ri është mbi 18 herë më i madh se të ardhurat vjetore të raportuara nga i gjithë ky segment. Krahasimi nuk tregon kthimin financiar të Eco Park-ut më vete, por jep një ide të qartë për përmasën e parave që po investohen përballë të ardhurave që aktualisht gjeneron aktiviteti hoteleri-restorante i shoqërisë.

Dhe paratë publike rreth Dumresë nuk mbarojnë këtu. Një projekt tjetër i FSHZH-së prej rreth 166 milionë lekësh parashikon infrastrukturë për turizmin e aventurës në disa zona të vendit, ku përfshihen edhe dy zip-line në Belsh, një mbi liqenin e qytetit dhe një tjetër në Eco Park Dumrea. Projekti është kombëtar dhe e gjithë shuma nuk mund t'i faturohet Belshit, por përfshirja e zonës tregon se investimet publike në destinacion vazhdojnë në disa drejtime.

Edhe Bashkia Belsh ka hyrë në këtë zinxhir. Një tjetër procedurë, me fond limit 16.1 milionë lekë, është zhvilluar për krijimin e shtegut turistik që lidh Liqenin e Degës, Liqenin e Çestijes, Liqenin e Merhojës dhe kompleksin Dumrea Eco Park. Tenderi përfundoi edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili në shkurt urdhëroi rivlerësimin e një prej ofertave.

3333.PNG

Eco Park-u, pra, nuk është më vetëm një grup shtëpizash druri pranë një liqeni. Rreth tij, pjesë pas pjese dhe me financim publik, po ngrihet një destinacion gjithnjë e më i madh turistik dhe argëtues.

Në vetvete, investimi në turizëm nuk është problem. Belshi dhe liqenet e Dumresë kanë potencial për të tërhequr vizitorë, për të krijuar vende pune dhe për të sjellë të ardhura në ekonominë lokale. Por kur investitori është shteti, suksesi nuk mund të matet vetëm me atë që ndërtohet apo inaugurohet. Duhet të matet edhe me përdorimin, dhe më kryesorja të ardhurat dhe përfitimin që prodhohet nga paratë e qytetarëve.

Dhe pikërisht këtu lind pyetja që miliona të tjerë të hedhur në Dumrea e bëjnë gjithnjë e më të vështirë për t'u shmangur, sa para publike duhet të investohen përpara se aktiviteti të fillojë të justifikojë ekonomikisht investimin?

Sepse pishina mund të ndërtohet, shtëpizat mund të shtohen dhe një zip-line mund të kalojë mbi liqen. Por në fund, përtej pamjes së bukur dhe inaugurimeve, mbetet një llogari shumë më e thjeshtë, çfarë përfituam nga ana ekonomike nga ky investim, pra sa para u kthyen?

Shifrat e deritanishme tregojnë një situatë jo pozitive... vetëm sa kanë shërbyer për propagandën e radhës në facebookun e kryeministrit.

Lexo gjithashtu

Video

LAJMI I FUNDIT/ Vrasje në Sarandë. Krimi ndodhi pak minuta më parë. Detajet në përditësim

Qytetari e lag me ujë, kryeministri hungarez e merr me sportivitet dhe publikon videon Një episod i pazakontë i ka ndodhur kryeministrit të Hungarisë, Péter Magyar, gjatë vizitës së tij në Szekszárd. Teksa ndodhej mes qytetarëve në festën tradicionale të vjeljes, një person e lagu me ujë. Magyar nuk e dramatizoi incidentin, por e mori me sportivitet dhe vendosi ta publikonte vetë videon në rrjetet sociale. Kryeministri ironizoi edhe autorin e veprimit, duke e quajtur një “luftëtar të rënë të Orbánit”. Ai shtoi se personi nuk pati guximin t’i afrohej dhe ta shikonte në sy.

Belinda Balluku bën “bilancin” e halleve të qytetarëve në Fier: “Vetëm sot janë 431”.

Një skenë e rrallë dhe prekëse është filmuar në brigjet e Gold Coast, Australi. Një balenë humpback qëndroi për orë të tëra pranë këlyshit të saj të lindur të ngordhur, duke e prekur me kokë dhe pendë dhe duke ruajtur kontaktin me të. Studiuesit e cilësojnë si një sjellje jashtëzakonisht të rrallë, që mund të lidhet me reagimin ndaj humbjes, edhe pse shkencëtarët theksojnë se nuk mund të përcaktohet me siguri nëse bëhet fjalë për “zi” në kuptimin njerëzor. Pamjet, të regjistruara në vitin 2025, po i ndihmojnë studiuesit të kuptojnë më mirë lidhjen mes nënës dhe të voglit te balenat dhe mënyrën se si ato reagojnë ndaj vdekjes. E plotë tek linku në komentin e parë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme