Sociale 21 September 2026, 08:47 Nga VNA

Si e arriti dhe e kaloi Shqipëria mesataren e BE-së… me çmimet e ushqimeve

Ndaje në Whatsapp
Si e arriti dhe e kaloi Shqipëria mesataren e BE-së… me

Prej më shumë se tri dekadash, prioriteti i qeverive shqiptare ka qenë integrimi i vendit në Bashkimin Europian. Madje qeveria aktuale e ka integrimin në BE premtimin e saj kryesor.

Dhe në fakt, procesi formal ka përparuar ndjeshëm vitet e fundit: Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe në korrik 2026 mbylli përkohësisht tre të parët.

Por ka të paktën një tregues ku Shqipëria jo vetëm e ka arritur Europën, por tashmë e ka kaluar: çmimet e ushqimeve.

Në vitin 2025, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri arriti në 103% të mesatares së Bashkimit Europian, duke kaluar për herë të parë referencën e 100%. Pra, një shportë ushqimore që mesatarisht kushton 100 në BE, në Shqipëri kushton rreth 103, e matur sipas standardeve të fuqisë blerëse.

Në vitin 2016, kur u shënua dhe niveli më i ulët, që nga 2005-a, kur raportohen të dhënat më të hershme, çmimet e ushqimeve ishin sa 66% e mesatares së BE-së. Në 9 vjet, treguesi u rrit me 36 pikë përqindje.

Ndërkohë, PBB-ja për frymë e Shqipërisë në 2025-n ishte vetëm 43% e mesatares së BE-së, ndërsa konsumi individual aktual për frymë (AIC), që reflekton më mirë fuqinë reale të konsumit të familjeve, ishte 48%, nga përkatësisht 30% dhe 37% në 2016-n, duke mbetur ndwr të fundit në Europw.

Çmimet bënë rrugën drejt Europës shumë më shpejt

Ecuria afatgjatë e bën kontrastin edhe më të dukshëm. Në vitin 2005, niveli i çmimeve të ushqimeve në Shqipëri ishte vetëm 73.8% e mesatares së BE-së. Në vitet që pasuan madje pati një periudhë kur diferenca me Europën u zgjerua: në 2013-2015, ushqimet kushtonin vetëm rreth 67% të mesatares europiane.

Më pas tendenca ndryshoi.

Nga 67.7% e mesatares së BE-së në vitin 2015, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ngjit në 81.2% në 2019, në 84.9% në 2022, në 90.7% në 2023, pothuajse u barazua me BE-në në 2024 me 99.6% dhe në 2025 e kaloi atë, duke arritur në 102.9%.

Në të njëjtën periudhë, treguesi i konsumit/të ardhurave reale për frymë në raport me BE-në u përmirësua shumë më ngadalë: nga rreth 38% në 2015 në 48% në 2025, vetëm 10 pikë përqindjeje.

Gjatë kësaj periudhe, çmimet e ushqimeve u afruan me Europën mbi tri herë më shpejt sesa fuqia ekonomike e konsumatorit shqiptar.

Por dhe kërcimi i viteve të fundit i të ardhurave duhet lexuar edhe në dritën e rishikimit të popullsisë pas Censit 2023. Numri i banorëve rezultoi rreth 2.4 milionë, nga 2.8 milionë në Censin e vitit 2011, çka, për të njëjtën madhësi ekonomie apo konsumi, rrit automatikisht vlerën e treguesve për frymë.

Për rrjedhojë, një pjesë e përmirësimit është statistikore dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht një rritje me të njëjtën masë të mirëqenies reale të individëve.

Shqipëria, përjashtimi i rajonit

Shtrenjtimi nuk është thjesht një pasojë e faktit që i gjithë Ballkani Perëndimor po konvergon me çmimet europiane.

Në vitin 2025, Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku çmimet e ushqimeve e kishin kaluar mesataren e BE-së.

Serbia ishte në 96.6% të mesatares europiane, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina në 84.6%, ndërsa Maqedonia e Veriut në vetëm 74.3%.

Dhe hendeku vazhdon të zgjerohet. Në korrik 2026, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike në Shqipëri u rritën me 3.2% me bazë vjetore, pesë herë më shpejt se mesatarja e BE-së prej 0.6%. Në Serbi, ndërkohë, çmimet e ushqimeve ishin 5.6% më të ulëta se një vit më parë dhe në Maqedoninë e Veriut 0.3% më të ulëta.

Iluzioni i rritjes së të ardhurave

Edhe pse të ardhurat për frymë janë rritur shpejt dhe Shqipëria është ngjitur në vendin e tretë në rajon në terma nominalë, me 11.2 mijë dollarë për frymë në 2025, fuqia reale blerëse mbetet dukshëm më e ulët.

Kur korrigjohen sipas çmimeve, Shqipëria zbret në vendin e katërt, me vetëm 23.4 mijë dollarë ndërkombëtarë për frymë, shumë poshtë Maqedonisë së Veriut me 29.7 mijë.

Arsyeja është se vendi është shtrenjtuar shumë shpejt: niveli i përgjithshëm i çmimeve arriti në 72.6% të mesatares së BE-së, ndërsa çmimet e ushqimeve në 102.9%, duke bërë që rritja e të ardhurave të përkthehet në një fuqi blerëse shumë më të kufizuar./Monitor

Video

Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, i kërkoi kreut të SPAK-ut, Klodian Braho, rritjen e mëtejshme të rezultateve konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ajo theksoi se këto rezultate janë një element kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Do të shkrihen 15 bashki, por Taulant Ballës reforma nuk i duket edhe aq e thellë.

Studentët e universiteteve në Kosovë janë ngritur në protestë në Prishtinë kundër vendimeve të Gjykatës Speciale. Me pankarta në duar, ata shprehën mbështetjen e tyre të plotë për ish-krerët e UÇK-së. Organizatorët nga Parlamenti Studentor i UP-së e cilësuan marshin si një thirrje për unitet dhe drejtësi. Në përfundim të marshit, studentët paraqitën një memorandum me gjashtë kërkesa kryesore. Ata kërkuan mbështetje të pakushtëzuar për të akuzuarit dhe monitorim ndërkombëtar të procesit në Hagë. Ndërkohë, për sonte në orën 21:00 është paralajmëruar edhe një tjetër protestë nga Çlirim Haziri.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme