Shqipëria mori këtë javë një lajm për t’u “përgëzuar”.
Në PISA 2025, 15-vjeçarët shqiptarë shënuan 433 pikë në matematikë dhe 435 në shkencë, duke dalë më mirë se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që morën pjesë në matematikë dhe në krye, së bashku me Malin e Zi, në shkencë. Pas rënies së fortë të vitit 2022, kur matematika kishte zbritur në 368 pikë, rikthimi natyrisht meritonte vëmendje.
Dhe vëmendjen e mori. Ministria e Arsimit u përqendrua kryesisht te matematika dhe shkenca, dy fushat ku rezultatet dukeshin më bukur. Leximi, si nxënësi në fund të klasës që gjithmonë nuk ngre dorën, mbeti disi në hije.
Ndoshta sepse aty festa prishet pak. Në lexim, Shqipëria mori 408 pikë, kundrejt 461 pikëve të mesatares së OECD-së. Hendeku është 53 pikë, më i madh se në matematikë dhe shkencë.
Vetëm gjysma e nxënësve shqiptarë arrijnë të paktën nivelin bazë të zotësisë në lexim, kundrejt 69% në OECD, ndërsa pothuajse asnjë nuk arrin nivelet më të larta. Edhe në Ballkanin Perëndimor, Mali i Zi me 418 pikë dhe Serbia me 415 na e kalojnë; pas nesh mbeten Maqedonia e Veriut dhe Kosova.
Por edhe “dëftesa” e mirë duhet lexuar deri në fund. Dhe këtu, pikërisht leximi bëhet i rëndësishëm. OECD paralajmëron se rezultatet e Shqipërisë duhen interpretuar me kujdes.
Shkollat me më pak se 21 nxënës të kualifikueshëm për PISA nuk morën pjesë dhe pjesëmarrja e shkollave ishte vetëm 76%.
Organizata vëren se shkollat e përjashtuara kanë gjasa të jenë më shumë rurale dhe me kushte më të pafavorshme socio-ekonomike. Për këtë arsye, Shqipëria është përfshirë në kategorinë e vendeve me raportim të kufizuar dhe OECD nuk publikon për të krahasimin zyrtar të tendencës.
Pra, mund të përgëzohemi. Vetëm se, ndryshe nga leximi, matematika është shkencë më ekzakte dhe është e vështirë ta manipulosh, siç e tregoi qartë dhe shenja * (asterisk) e OECD-së për rezultatin e Shqipërisë.
Duke iu rikthyer leximit, tendenca në fakt është globale. PISA 2025 regjistroi nivelin më të ulët të leximit të matur ndonjëherë mesatarisht në OECD. Rezultati ra me 14 pikë vetëm nga 2022 në 2025 dhe me 28 pikë që nga viti 2015, afërsisht sa një vit e gjysmë shkollim.
OECD vëren një rritje të “leximit të nxituar”, me nxënës që kalojnë tekstin shpejt dhe japin përgjigje të shpejta, por të gabuara.
Arsyet nuk janë shumë misterioze. Jetojmë me ekranin në dorë, kalojmë nga një video te tjetra, nga një titull te një njoftim, nga një postim te tjetri.
OECD gjen se më shumë kohë në rrjetet sociale dhe më pak lexim për kënaqësi kanë ecur paralelisht me dobësimin e rezultateve. Edhe IA po hyn fuqishëm në këtë ekuacion. IA mund të na japë përgjigjen pa na detyruar të bëjmë rrugën e lodhshme për ta kuptuar vetë. Në Shqipëri këtë nuk na duhet ta tregojë vetëm PISA.
Në “Monitor” shohim shpesh edhe anën tjetër të procesit, vështirësinë për të shkruar shqip, qartë dhe saktë. Kjo nuk duket se lidhet vetëm me përdorimin e teknologjisë së informacionit. Rrënjët janë më të thella, pasi vetë mësimi i gjuhës shqipe ka qenë i kufizuar deri në përfundimin e shkollës 8 apo 9-vjeçare.
Më së shumti, defektin e njohjes së gjuhës shqipe na e zbulon germa “ë” që mungon kur duhet dhe shtohet kur nuk duhet.
Gjuha e ka humbur identitetin, fjalori është gjithnjë e më i varfër dhe shqipja përzihet pa kriter me anglishten. Studime mbi gjuhën e të rinjve kanë evidentuar prej vitesh gabimet e shumta drejtshkrimore, shkurtimin e fjalëve dhe krijimin e një “kodi të përzier” në komunikimin online.
Dhe, që të mos ia lëmë gjithë barrën brezit 15-vjeçar, ndonjëherë mjafton të ndezësh televizorin kur transmetohet Kuvendi. Aty testi i artikulimit zhvillohet drejtpërdrejt, pa formularë të OECD-së dhe pa kampion statistikor.
Deputetë të rinj e të vjetër shpesh janë bërë meme për gjuhën e përdorur dhe shtrembërimin e fjalëve.
E gjitha kjo do të ishte vetëm një debat për arsimin, sikur gjuha të ishte thjesht një lëndë shkolle. Por gjuha është shumë më tepër. Është mënyra se si një shoqëri ruan kujtesën, kulturën dhe identitetin e vet kombëtar.
Dhe është mjeti me të cilin mendon, arsyeton dhe më pas reagon.
Për ne në media, pyetja është edhe më tokësore: kush do na lexojë? Sot pjesa kryesore e audiencës së “Monitor” është 30-50 vjeç. Po pas dhjetë apo njëzet vjetësh? Ditë të këqija na presin ne gazetarëve.
Ne do të vazhdojmë të shkruajmë, por mund të vijë dita që askush të mos na kuptojë. Jo se nuk dimë të shkruajmë. Po se nuk dinë të lexojnë./monitor






















