
Magjistratët çojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për formulën e re mbi bazën e të cilës u përllogarit paga e tyre. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, përmes padisë së depozituar në GJK, kërkojnë “Shfuqizimin e ligjit nr. 95/2026, datë 18.9.2026, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar’”.
Ata po ashtu kërkojnë që ky ligj të pezullohet derisa vendimi përfundimtar i Kushtetueses të hyjë në fuqi. Gjykata Kushtetuese detyroi qeverinë që të përllogariste, sipas një formule të re, pagat e magjistratëve brenda datës 31 korrik 2026.
Për shkak të moszbatimit të Kushtetueses, KLP dhe KLGJ caktuan vetë pagat e magjistratëve. Por vendimet nuk u zbatuan dhe pagat u bllokuan në thesar. Për këtë ngërç, magjistratët kallëzuan në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, ndërsa qeveria, nga ana tjetër, miratoi ndryshimet e reja ligjore.






















