Për shumë biznese, vitrina e parë digjitale nuk është më website-i. Është profili në rrjetet sociale.
Të dhënat e INSTAT për vitin 2026 tregojnë një hendek të dukshëm mes dy mënyrave se si ndërmarrjet shqiptare ndërtojnë praninë e tyre online: ndërsa mediat sociale janë afër përdorimit masiv, website-i mbetet ende larg të qenit standard për të gjitha kompanitë.
Në vitin 2026, 88,1% e ndërmarrjeve me 10 ose më shumë të punësuar përdorin media sociale, ndërsa 62,9% kanë një faqe interneti. Me fjalë të tjera, mes dy treguesve ka një diferencë prej 25,2 pikësh përqindje.
Shifrat tregojnë se hyrja në botën online po bëhet më shpejt përmes platformave sociale, ndërsa investimi në një hapësirë digjitale të administruar drejtpërdrejt nga vetë kompania është më pak i përhapur.
Kjo mund të lidhet edhe me barrierën më të ulët të hyrjes në rrjetet sociale, ku krijimi dhe administrimi i një profili kërkon përgjithësisht më pak infrastrukturë dhe investim sesa ndërtimi dhe mirëmbajtja e një website-i.
Hendeku nuk është një fenomen vetëm i vitit 2026. Një vit më parë, 86,5% e ndërmarrjeve përdornin mediat sociale, ndërsa vetëm 61% kishin website.
Gjatë 2026-s, të dy treguesit u rritën: përdorimi i mediave sociale me 1,6 pikë përqindje dhe prania përmes website-ve me 1,9 pikë. Megjithatë, distanca mes tyre mbetet e konsiderueshme.
Në terma më të thjeshtë, pothuajse 9 në çdo 10 ndërmarrje përdorin rrjetet sociale, ndërsa më pak se 2 në 3 kanë website. Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se pjesa tjetër e bizneseve e kanë zëvendësuar faqen e internetit me Instagramin apo Facebook-un.
Website-i bëhet standard vetëm te kompanitë e mëdha
Madhësia e ndërmarrjes e ndryshon ndjeshëm panoramën. Të gjitha kompanitë me 250 ose më shumë të punësuar kanë website. Pragu prej 100% ishte arritur që në vitin 2025 dhe është ruajtur edhe këtë vit. Pra, për biznesin e madh, faqja e internetit praktikisht nuk është më element dallues i digjitalizimit, por standard.
Ndryshe paraqitet situata më poshtë në shkallën e madhësisë. Te ndërmarrjet me 50-249 të punësuar, pjesa që zotëron website u rrit vetëm nga 62,8% në 64,7% gjatë vitit të fundit. Ndërkohë, rritjen më të madhe të përdorimit të mediave sociale e regjistruan ndërmarrjet e vogla, me 10-49 të punësuar, ku treguesi kaloi nga 85,5% në 87,5%.
Dhe prania digjitale po përkthehet gradualisht edhe në tregti. Në vitin 2026, 31,3% e ndërmarrjeve realizuan shitje online, nga 28,1% një vit më parë, ndërsa shitjet online përfaqësuan 11,4% të xhiros, kundrejt 10,1% në 2025.
Shqipëria, shumë më “sociale” se mesatarja europiane
Preferenca e bizneseve shqiptare për rrjetet sociale bëhet më e dukshme kur krahasohet me Bashkimin Europian. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, në vitin 2025 vetëm 63,6% e ndërmarrjeve në BE me të paktën 10 të punësuar përdornin media sociale. Në Shqipëri, treguesi për vitin 2026 arrin në 88,1%.
Ndonëse vitet e referencës ndryshojnë me një vit dhe krahasimi duhet lexuar me këtë rezervë, diferenca është e madhe: niveli shqiptar është rreth 24,5 pikë përqindje mbi mesataren e BE-së.
Madje, niveli prej 88,1% e vendos Shqipërinë afër vendeve europiane me përdorimin më të lartë të rrjeteve sociale nga bizneset. Në vitin 2025, Malta kryesonte BE-në me 88,2%, Finlanda kishte 87,6% dhe Danimarka 86,1%.
Në skajin tjetër, vetëm 41,5% e ndërmarrjeve në Bullgari, 46% në Kroaci dhe 47,3% në Hungari përdornin media sociale./ Monitor






















