Sociale 22 September 2026, 17:14 Nga VNA

Euro vijon “rrokullisjen”, prek rekord të ri në vlerën e 91.4 lekëve

Ndaje në Whatsapp

fgfgbbg.jpg

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po pëson rënie të mëtejshme këtë javë. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 91.4 lekë, niveli më i ulët i të gjitha kohërave.

Rënia e vazhdueshme e Euros që prej tremujorit të parë të këtij viti i ka përshpejtuar ndjeshëm ritmet e rënies vjetore të monedhës europiane.

Që prej fillimit të vitit kalendarik, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 5.5%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 5.7%.

Agjentët mendojnë se kursi po vazhdon të bjerë, në inercinë e sezonit veror që ka sjellë flukse të mëdha valutore hyrëse, ndërkohë që kërkesa për valutën europiane paraqitet e dobët.

Zhvlerësimi i monedhës europiane duket se ka nisur ta ulë përdorimin e saj edhe në transaksionet e shitblerjes së aseteve në tregun e brendshëm, si për shembull në tregun e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, edhe depozitat në Euro po rriten me ritme më të ngadalta, duke sugjeruar një lloj rritjeje të preferencës së publikut për t’i mbajtur kursimet në monedhën vendase.

Këta faktorë kanë tendencën të forcojnë më tej tendencat rënëse të kursit të Euros, që, në vija të përgjithshme, po vijojnë prej më shumë se një dekadë, të nxitura nga tendencat e përmirësimit strukturor në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare.

Ky përmirësim afatgjatë mund të shpjegohet me rritjen e të ardhurave nga turizmi dhe zgjerimin e eksportit të shërbimeve, me rritjen e investimeve të huaja direkte, sidomos në pasuri të paluajtshme, por pjesërisht edhe me një rol të konsiderueshëm që perceptohet se luajnë prurjet valutore informale.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një përmirësim të ndjeshëm të Bilancit të Pagesave edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Për 6-mujorin 2026, deficiti i llogarisë korrente pësoi rënie, me një vlerë totale prej 361 milionë eurosh ose 40.6% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Deficiti i llogarisë korrente për 6-mujorin ka shënuar njëkohësisht nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Ulja e deficitit ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga remitancat. Bilanci në tregtinë e shërbimeve ishte pozitiv në vlerën e afërsisht 1.79 miliardë eurove, në rritje me 12.9% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Më shumë se gjysma e kontributit në sektorin shërbimeve erdhi nga turizmi, që në 6-mujorin e parë të vitit i solli ekonomisë të ardhura neto në vlerën e 957 milionë eurove, në rritje me 20% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Efekt shtesë në bilancin e përgjithshëm duket të ketë dhënë edhe rritja e fortë e investimeve të huaja direkte. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e dytë 2026 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 741 milionë euro, në rritje me 86% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo rritje u ndikua ndjeshëm nga flukse të lidhura me një projekt të rëndësishëm zhvillimi në sektorin e pasurive të paluajtshme. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 1.144 miliardë euro, me një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, një efekt shtesë duket se po ushtron edhe suficiti i bollshëm fiskal, që po ul ofertën e Lekut në treg.

Për 8-mujorin 2026, buxheti ishte në suficit në vlerën e 61.6 miliardë lekëve, në rritje me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor.al/

3333.jpg222.jpg4444.jpg

Video

Një zjarr ka rënë në fshatin Shën Pjetër, në zonën e Gjirit të Lalëzit, pranë vijës bregdetare. Sipas burimeve nga shërbimi zjarrfikës, për arsye sigurie janë evakuuar disa turistë që ndodheshin pranë një hoteli në zonë. Në vendngjarje janë angazhuar një numër i madh efektivësh dhe mjetesh zjarrfikëse nga repartet e Durrësit, Tiranës, Kamzës dhe Shijakut, të cilët po punojnë për vënien nën kontroll të flakëve.

Autoritetet amerikane kanë ndaluar pranë brigjeve të Floridës një varkë me 22 emigrantë që dyshohet se po tentonin të hynin ilegalisht në SHBA. Mes tyre ndodheshin 13 shtetas kinezë. Varka u diktua pranë Key Largo, ndërsa më pas ndërhynë agjentët kufitarë dhe Roja Bregdetare amerikane. Gjatë operacionit u ndalua edhe një person i dyshuar si trafikant kuban. Sipas burimeve të cituara nga Fox News, tentativa konsiderohet e pazakontë dhe shumë e rrezikshme, pasi shtetasit kinezë rrallë përdorin rrugët detare të Karaibeve për të hyrë në SHBA.

Lian Yunji, një vajzë vetëm 6 vjeçe nga Kina, ka thyer dy herë brenda tri ditësh rekordin botëror për femra në zgjidhjen e Kubit të Rubikut. Fillimisht, ajo regjistroi një mesatare prej 4.52 sekondash në një garë në Wuhan. Vetëm pak ditë më vonë, në Guangzhou, Lian e përmirësoi rekordin në 4.27 sekonda. Sipas BBC-së, ajo është femra e parë në botë që e zgjidh kubin me një mesatare nën 4.5 sekonda. Vogëlushja nga provinca Sichuan ka mësuar mbi 1,300 algoritme për zgjidhjen e tij. Gjatë vitit të fundit, ajo është stërvitur intensivisht nga dy deri në tri orë çdo ditë.

Pyetje që doktori ka 35 vjet që i dëgjon dhe 35 vjet që premton se do t’i zgjidhë sapo të marrë pushtetin

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme