
Sektori i industrisë ka shënuar rënie për dy vjet radhazi, në 2024-2025, ndërsa ajo përpunuese për tre vjet (2023-2025), duke hyrë zyrtarisht në recesion dhe duke shënuar ciklin më të gjatë rënës të pas tranzicionit.
Të dhënat e INSTAT-it bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) pësoi rënie me 3.72% në vitin 2025, për të dytin vit radhazi. Industria përpunuese u reduktua me 1.14%, nga 0.86% që ishte tkurrja në vitin 2024 dhe në territor negativ për të tretin vit radhazi, për herë të parë që kur raportohen të dhënat, nga viti 1997.
Sektori nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz ku ka hyrë, e shkaktuar nga rritja e kostove të operimit të aktivitetit dhe të personelit, apo dhe koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare. Shtimi i kostove është i vështirë që të transferohet në çmime për shkak të uljes së konkurrueshmërisë.
Hyrja në Bashkimin Europian po paraqet një tjetër sfidë, teksa gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se sipërmarrjet shqiptare nuk kanë plotësuar standardet dhe nuk janë gati të konkurrojnë me tregun e BE-së, duke rrezikuar mbylljen totale.
Rënia e euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht eksportuesit për të disatin vit radhazi, ndërsa prodhuesit, që marrin lëndën e parë nga importi, i ka lehtësuar disi.
Mungesa e fuqisë punëtore është një telash shtesë, që po ndikon negativisht te prodhimi.

Kriza e sektorit ka bërë që kontributi i industrisë në ekonomi të vijë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2025, pesha e industrisë totale në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) zbriti në 10.07%, nga 11.1% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të INSTAT-it.
Ky është niveli më i ulët në 16 vjet, që nga viti 2009, kur ky sektor zinte 9.6% të PBB-së. Më pas, ai nisi një rritje të vazhdueshme, e ndikuar fillimisht nga industria nxjerrëse dhe më pak nga përshpejtimi i aktivitetit të sipërmarrjeve të përpunimit.

Aktiviteti i industrisë po zgjerohet me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia, duke bërë që shumë prej tyre të dalin nga lista e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.
“Kurum”, që deri në vitin 2024 ishte sipërmarrja më e madhe në sektorin e industrisë, ka shënuar rënie të fortë në vitin 2025. Të ardhurat e kompanisë u reduktuan me 83%, në vetëm 4.5 miliardë lekë, si rrjedhojë e mbylljes së aktivitetit të përpunimit të çelikut.
Në vitin 2025, aktiviteti i kompanisë u përqendrua në prodhimin e energjisë, me rreth 364 milionë kWh energji elektrike, nga të cilat, rreth 363 milionë kWh u destinuam për shitje dhe pjesa tjetër për përdorim vetjak. Në aktivitetin e përpunimit të çelikut, që sillte dhe pjesën më madhe të të ardhurave të shoqërisë, u shitën vetëm 5,758 tonë shufra çeliku.
Shoqëria pohon se parashikon të investojë në ndërtimin e një fabrike të re çeliku në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, me teknologjinë Danieli MIDA Direct Casting & Rolling dhe me kapacitet prodhues prej 700 mijë tonësh në vit. Sipas raportit, projekti do të zbatojë për herë të parë në Europë konceptin MIDA – Endless Steel Casting, të projektuar nga kompania italiane “Danieli Officine Meccaniche Spa”.
Teknologjia synon të mundësojë prodhim me eficiencë më të lartë energjetike dhe emetime më të ulëta. Drejtimi i shoqërisë vlerëson se investimet kapitale (CAPEX) do të ndikojnë në rritjen e rendimentit dhe në optimizimin e kostove.
Një zhvillim pozitiv i kompanisë është mbyllja e procesit të riorganizimit, që nisi në vitin 2016 kur kompania shpalli falimentin dhe në 2017-n u miratua plani i riorganizimit.
Sipas raportit vjetor, Shoqëria ka përmbushur detyrat e përcaktuara në vendimin e Gjykatës së Tiranës për miratimin e Planit të Riorganizimit, duke shlyer detyrimet ndaj kreditorëve të siguruar dhe të pasiguruar. Kreditorët e siguruar kanë liruar asetet e lëna si kolateral, përfshirë regjistrimet në Regjistrin Hipotekor dhe Barrët Siguruese.
Pas plotësimit të kushteve të Planit të Riorganizimit, mbikëqyrësja e planit aplikoi në tetor 2025 në Gjykatën e Rrethit të Tiranës për mbylljen e procedurës së mbikëqyrjes dhe lirimin e shoqërisë nga detyrimet e planit.
Kreditë ndaj bankave dhe kreditorëve të tjerë janë shlyer, ndërsa për “Turkiye Finans Katilim Bankasi” dhe “Kuveyt Turk Katilim Bankasi”, mbyllja e planit të riorganizimit është realizuar përmes një procesi rifinancimi, me marrëveshje të reja për kushte dhe afate të reja financimi, të konsideruara si marrëveshje jashtë Planit të Riorganizimit.
“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi të ardhura rreth 20 miliardë lekë në 2025-n, sipas burimeve nga kompania. Shoqëria ka qenë në konflikte të vazhdueshme me qeverinë, për shkak të pretendimeve për mospagim taksash, teksa prej vitit 2022 nuk ka dorëzuar bilanc. Kompania, që gjithmonë ka qenë brenda dhjetëshes së më të mëdhave, në vitin 2025 ka dalë nga lista, duke u renditur në pozicionin e 14.
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie me 19.5% të të ardhurave, në 5.2 miliardë lekë, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore.
Kjo performancë është ndikuar nga koniunktura e pafavorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare, si rrjedhojë e kërkesës së dobët. Kompania administron minierën e kromit në Bulqizë, uzinat e prodhimit të ferrokromit në Elbasan dhe Burrel.
Kompania raportoi 889 punonjës në vitin 2025, nga të cilët 556 ishin në minierën e Bulqizës. Numri i të punësuarve ka ardhur vazhdimisht në ulje. Në vitin 2023 ishin 987 të punësuar dhe në vitin 2024, numri i tyre zbriti në 958.
Sipas raportit të aktivitetit, “edhe viti 2025 ishte një vit me paqëndrueshmëri të tregut, pas një periudhe mjaft të destabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nga kriza e luftës në Ukrainë që kaloi industria, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e FeCr u ulën me rreth 8%, duke u krahasuar me vitin 2024.
Gjatë vitit 2025 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë, për shkak të vendimeve të bordit duke vlerësuar ndikimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe kërkesës së shitjeve të produktit final. Për pasojë është prodhuar një sasi prej përkatësisht 9,615 tonësh në Elbasan dhe 11,288 tonësh në Burrel. Ndërkohë prodhimi i kromit arriti shifrën e 82,104 tonë gjatë vitit 2025.
Shoqëria thekson se për sa i përket aktivitetit investues, ai ka vazhduar sipas objektivave të shoqërisë duke u përqendruar te përmirësimi i kushteve të punonjësve, përmirësimi teknologjik për reduktimin e ndotjes së mjedisit, si dhe të rritjes së produktivitetit.
“Albchrome” aktualisht prodhon mbi 90.000 tonë në vit mineral kromi nga miniera e Bulqizës dhe pret që ta rrisë prodhimin në 125.000 tonë në vit deri në vitin 2028.
Masivi i Bulqizës përmban rezervat më të mëdha të mineralit të kromit me cilësinë më të lartë në Shqipëri. Sa më në thellësi të zhvillohet aktiviteti minerar në minierë, aq më shumë pritet të zbulohen rezerva shtesë, nëpërmjet investimit të ri në Pusin Nr.9. Gjithashtu “Albchrome” është i vendosur për të avancuar me investime të mëtejshme në thellësinë e minierës së Bulqizës dhe asaj të Qafë-Buallit.
Minerali i kromit i nxjerrë nga miniera e Bulqizës dërgohet në uzinat e shkrirjes së Elbasanit dhe Burrelit. Kromi i nxjerrë nga miniera e Bulqizës është i një cilësie premium, për shkak të përqindjes së lartë të kromit (39% – 52%) dhe një raporti krom/hekur (Cr/Fe) më shumë se 3/1.
“Albchrome” prodhon ferrokrom me përmbajtje të lartë të karbonit me një përbërje kimike premium dhe furnizon klientët ndërkombëtarë në më shumë se 51 vende në të gjithë botën, përfshirë Italinë, Gjermaninë, Austrinë, Spanjën, Britaninë e Madhe, Indonezinë, Tajlandën, SHBA-në, Japoninë, Indinë, etj.
Kompania ka ndryshuar vazhdimisht menaxhimin. Në vitin 2001, një koncesion i rëndësishëm i përbërë nga asetet si: miniera, uzinat dhe impianti i pasurimit, pjesë e industrisë së kromit në Shqipëri, iu dhanë kompanisë franceze “Darfo srl”, nëpërmjet një marrëveshje koncesionare.
Kompania “Darfo” sh.p.k., punoi dhe shfrytëzoi këto asete koncesionare deri në vitin 2007 kur një grup austro–rus i mori në shfrytëzim dhe formoi një kompani tjetër të quajtur ACR (Albanian Chrome).
Në vitin 2009, struktura e pronësisë së ACR-së ndryshoi ku grupi austriak mori në zotërim 100% të aksioneve të koncesionit, duke u bërë kështu e vetmja aksionere e ACR-së. Në vitin 2013, për shkak të vështirësive financiare, grupi austriak ia shiti të gjitha aksionet e ACR-së, grupit BALFIN (Balkan Finance Investment Group).
Në janar të vitit 2022, “Albchrome” u ble nga “Yılmaden Holding”, një degë e “Yildirim Group of Companies”, e cila është një nga liderët globalë në prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë, si dhe mineralit të kromit me cilësi të lartë.
“‘Albchrome’ zë një peshë të vogël në prodhimin global të ferrokromit dhe mineralit. Edhe pse ‘Albchrome’ është një prodhues cilësor, ai ka një treg të kufizuar dhe konkurrencë shumë të fortë nga Kazakistani dhe Rusia (të gjitha bashkë me një prodhim total vjetor ferrokromi prej rreth 2 milionë tonësh). Kapaciteti prodhues vjetor i ferrokromit të ‘Albchrome’ përllogaritet rreth 72.000 tonë kundrejt një prodhimi global rreth 13.7 milionë tonë FeCr në vit”.
Shoqëria thotë në raport se ka si synim të rrisë prodhimin e mineralit nga aksesimi në rezerva të reja në minierën e Bulqizës dhe shfrytëzimi i minierës së Qafë-Buallit. Një tjetër plan është rritja e prodhimit të ferrokromit.
Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” rriti të ardhurat me 3.4%, në 6.1 miliardë lekë. Sipas të dhënave të detajuara në raportin vjetor të vitit 2025, “Coca Cola” vijoi të gjeneronte pjesën më të madhe të të ardhurave, me rreth 53.5% të totalit, e ndjekur nga “Fanta” me 34.9%, “Schweppes” me 3.7% dhe “Sprite”, me 2.9%. Produktet e tjera përbënin rreth 5% të të ardhurave.
Krahasuar me vitin 2024, struktura sipas produkteve nuk ndryshoi ndjeshëm. Megjithatë, të ardhurat nga “Sprite” u rritën me 46.6%, ndërsa ato nga “Schweppes” me 11.6%. Të ardhurat nga “Coca Cola” u rritën me 1.7% dhe nga “Fanta”, me 2.9%.
Ndryshimi më i dukshëm u regjistrua në ndarjen gjeografike. Të ardhurat nga tregjet e huaja u rritën me 73.6%, duke arritur në rreth 1.2 miliardë lekë dhe duke përbërë 19.6% të totalit, nga 11.6% në vitin 2024. Në të kundërt, të ardhurat nga tregu vendas ranë me 5.9%, në 4.93 miliardë lekë, ndërsa pesha e tyre në total u ul nga 88.4% në 80.4%.
Grupi EHW, me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, supermarkete etj., raportoi 8.7 miliardë lekë të ardhura, me rritje prej 12%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama” dhe supermarketet (ajo zotëron 55% të aksioneve të shoqërisë “Conad Albania”).
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria EHW investoi gjatë vitit 2025 në rinovimin e teknologjisë, me synim rritjen e konkurrueshmërisë në treg.
Investime u realizuan edhe nga “Qafshtama”, pjesë e grupit, e cila vuri plotësisht në funksion fabrikën e dytë në zonën malore të Qafështamës. Gjatë vitit 2025, grupi investoi gjithashtu në hapjen e katër supermarketeve të reja. Grupi kishte 395 të punësuar në vitin 2025.
“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 3.5 miliardë lekë, me rënie të lehtë prej 2.4%, që sipas burimeve zyrtare shpresohet të rikuperohet gjatë vitit 2026. Aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht në rrjetet e supermarketeve, por edhe shitje me shumicë për bizneset në të gjithë territorin e vendit.
Sipas raportit të aktivitetit, “për shoqërinë ‘Kombinati i Mishit’ sh.p.k., viti 2025 ishte një tjetër vit me rezultate të qëndrueshme financiare. Treguesit kryesorë të performancës mbetën afërsisht në të njëjtat nivele me një vit më parë”.
Raporti shton se pavarësisht rënies së lehtë të aktivitetit kryesor, shoqëria ka rritur shpërblimin e punonjësve dhe ka zgjeruar mundësitë për kualifikim të vazhdueshëm, me synim motivimin dhe zhvillimin profesional të stafit. Për periudhën në vijim, shoqëria parashikon investime të reja për rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve, si dhe për rritjen e eficiencës së menaxhimit. Planet përfshijnë edhe zgjerimin e mëtejshëm në tregun vendas.
Fokusi do të mbetet te segmentet tradicionale të klientëve, kryesisht individët, bizneset e vogla dhe bizneset e mesme.
“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral po rritet me shpejtësi. Kompania raportoi të ardhura prej 4.7 miliardë lekësh, me zgjerim 5.5%, gjithsesi në ngadalësim nga zgjerimet dyshifrore të vitit 2023 dhe 2024.
Shoqëria thekson se vijoi investimet për zgjerimin dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale. Gjatë vitit 2025, investimet u rritën me rreth 1.83 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Investimet u përqendruan kryesisht në modernizimin e aseteve, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Numri mesatar i punonjësve gjatë vitit 2025 arriti në 514, nga 459 një vit më parë, me rritje rreth 12%. Shtimi i stafit ka shoqëruar zgjerimin e aktivitetit të shoqërisë dhe rritjen e kapaciteteve të saj”, thuhet në raportin vjetor. Kompania ka deklaruar vazhdimisht se kryesisht shitjet më të mëdha kanë qenë nga formati 0.5 litra dhe 5 litra.
“GSA Ferrokrom” prej dy vitesh operon si kompani më vete, GSA, që kishte aktivitet në tregtim, energji dhe ferrokrom, e ndau këtë të fundit më vete. Shoqëria deklaroi të ardhura prej 2.5 miliardë lekë në vitin e dytë të aktivitetit, me tkurrje 43% me bazë vjetore. “GSA Ferrokrom” prodhon dhe tregton ferrokrom me karbon të lartë.
“Beralb”, shoqëria që operon me një marrëveshje koncesioni 42-vjeçare me qeverinë shqiptare për shfrytëzimin e minierave të bakrit, ka vijuar për të dytin vit radhazi rritjen e shpejtë. Kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 5.2 miliardë lekësh, me rritje 54%, pas zgjerimit me 76% në vitin 2024.
Ecuria u ndikua nga koniunktura e favorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe shtimit të licencave të shfrytëzimit. Gjatë vitit 2025, çmimi i bakrit shënoi rritje të qëndrueshme, duke kaluar nga rreth 9,500 USD për ton në nivele mbi 12,000 USD për ton, sipas deklarimeve zyrtare.
Shoqëria shfrytëzon me koncesion minierën e bakrit në Munellë, minierën e bakrit në Lakrosh dhe dy uzinat e pasurimit, një në Fushë-Arrëz dhe tjetra në Shkodër. Gjatë vitit 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dha një licencë për aktivitetet e shfrytëzimit dhe vlerësimit për katër miniera të tjera: Qafë Bari, Karma, Tuç dhe Palucë.
Shoqëria deklaroi 418 të punësuar, nga 400 në vitin 2024.
Çmimi i bakrit është një nga faktorët kryesorë që përcakton rezultatin financiar të shoqërisë. Sipas drejtimit, aktiviteti mund të jetë fitimprurës nëse çmimi i bakrit në treg qëndron në mënyrë të qëndrueshme mbi 8,500 USD për ton.
Kostoja e prodhimit vlerësohet mesatarisht në rreth 1,170 USD për ton koncentrat, me një interval prej 1,120–1,250 USD/ton, në varësi të cilësisë së lëndës së parë që përpunohet. Kostot më të ulëta lidhen me riciklimin e sterileve dhe me përpunimin e mineralit me cilësi mbi mesataren, si në rastin e Qafë Barit.
Bazat afatgjata për tregun e bakrit mbeten pozitive, pavarësisht luhatjeve afatshkurtra të çmimeve. Kërkesa pritet të mbështetet nga kalimi drejt energjive të pastra, rritja e përdorimit të automjeteve elektrike dhe investimet në eficiencën energjetike.
Një tjetër burim i rëndësishëm i kërkesës pritet të jetë zgjerimi i infrastrukturës që lidhet me Inteligjencën Artificiale, veçanërisht qendrat e të dhënave, të cilat kërkojnë sasi të mëdha bakri për rrjetet elektrike dhe pajisjet mbështetëse.
Kërkesa mbështetet gjithashtu nga urbanizimi dhe zhvillimi industrial në Kinë, që konsumon mbi 40% të bakrit në botë, si dhe nga tregje të tjera të mëdha si India dhe Azia Juglindore.
Sipas drejtimit të shoqërisë, këto zhvillime pritet të mbajnë të lartë kërkesën afatgjatë për bakër dhe të krijojnë kushte të favorshme për aktivitetin e kompanisë.
Z. Mehmet Uluyurt, CEO BERALB sh.a. thotë se në aspektin strategjik, shoqëria do të përqendrohet në tri drejtime kryesore: aktivitetet e kërkimit që do të zgjasin jetëgjatësinë e burimeve dhe do të nxjerrin në pah potencialin e rezervave të reja; investimet që do të rrisin kapacitetin e impiantit dhe rikuperimin e metaleve; si dhe projektet e infrastrukturës që do të përmirësojnë performancën mjedisore dhe sigurinë operacionale.
Ai pohon se tranzicioni energjetik, automjetet elektrike, sistemet e energjisë së rinovueshme, industria e mbrojtjes dhe teknologjitë digjitale po rrisin kërkesën për minerale kritike, veçanërisht për bakrin.
Shqipëria ka një strukturë gjeologjike tërheqëse, sidomos për sa i përket bakrit, kromit dhe disa formacioneve të mundshme të mineraleve kritike të lidhura me to.
“Megjithatë, që ky potencial të shndërrohet në vlerë ekonomike, nevojiten teknologji moderne kërkimi, prodhim i të dhënave të detajuara gjeologjike, programe shpimi dhe raportim i burimeve sipas standardeve ndërkombëtare. Në nivel vendi ekzistojnë të dhëna të rëndësishme historike; digjitalizimi, rivlerësimi i tyre dhe mbështetja me studime të reja gjeofizike dhe gjeokimike mund të krijojnë një mundësi të madhe”.
“Maccaferri Balkans” raportoi rreth 3.6 miliardë lekë të ardhura, me rritje 15%. Shoqëria operon në tregun shqiptar prej afro 15 vitesh dhe në atë botëror, me përvojë mbi 140 vjet.
Objekt kryesor ka aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të produkteve me përdredhje të dyfishtë (si gabione, materase dhe rrjeta), rrjetave në formë unazore dhe tregtimin e produkteve gjeosintetike të përdorura për të zgjidhur problemet në lidhje me kontrollin e erozionit, mbrojtjen e terrenit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kompania raportoi 238 të punësuar, nga 211 në vitin 2024.
Shitjet vijojnë të jenë të orientuara kryesisht drejt eksporteve, të cilat zënë rreth 90% të totalit, kryesisht drejt shoqërive të grupit në Europë.
Rreth 10% e shitjeve realizohen në tregun rajonal, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
“CWI-Albania” (Çokyasar Wire Industry Albania) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke.
E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha. Në vitin 2025, shoqëria deklaroi 3 miliardë lekë të ardhura, me rritje 5%, pas zgjerimit prej 22%, në vitin 2024.
Sipas burimeve të kompanisë, investimi është rreth 6 milionë euro dhe aktiviteti nisi në janar 2021, pas disa vonesave për shkak të pandemisë. Shoqëria deklaroi 84 të punësuar në vitin 2025.
“Capital Resources” ka hyrë për herë të parë dhe në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave në vitin 2025, teksa në vitin 2024 u bë pjesë e listës së fitimeve.
Shoqëria e njohur me markën “Kraco” është më e madhja në Shqipëri në prodhimin dhe shpërndarjen e çajeve, infuzioneve, pijeve të çastit, përgatitjeve për ëmbëlsira, puresë së patateve, kafesë në kapsula dhe sheqerit të paketuar.
Të ardhurat e saj ishin 2.64 miliardë lekë në vitin 2025, me rritje 15.4% me bazë vjetore. Kompania është ndër të paktat në industrinë përpunuese, që po zgjerohet me shpejtësi vitet e fundit.
Themeluesi i saj Sokol Kraja, thotë se eksporti është ai që i mundëson shoqërisë të rritet me shpejtësi. Në vitin 2025, gjysma e të ardhurave erdhi nga eksporti.
Sipërmarrja po zgjerohet dhe jashtë vendit, duke hapur filiale në Spanjë dhe SHBA. Numri i punonjësve është rreth 200 në Shqipëri dhe arrin në 250, duke përfshirë filialet jashtë.
Kompania “Tete Albania Tunel & Mining”, me kapital turk, e cila ka investuar prej vitesh në një fabrikë pasurimi të bakrit në zonën e Spaçit, ka dalë sërish nga lista e “Monitor 200”, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar bilanc për 2024 – 2025).
Të ardhurat e saj vlerësohen në rreth 1 miliard lekë, nga 2 miliardë lekë në vitin 2024. Shoqëria ka përfituar një leje shfrytëzimi në 20 gusht 2007 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me jetëgjatësi 20 vjet për nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të bakrit nga miniera ekzistuese e ndodhur në Spaç, Mirditë.
Gjatë 2018, shoqëria ka përfunduar ndërtimin e fabrikës dhe tuneleve të minierës dhe ka filluar nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Aktiviteti i shitjes ka filluar në muajin qershor 2018. Nëpërmjet kompanive të saj, “Acacia Mining”, “Ilan Marble” dhe “Tete Albania”, “Ilbak Holding” vazhdon të rritet në sektorin minerar.
Miniera e bakrit e Spaçit është një nga minierat më produktive në zonë, me një tunel aktiv prej 12 km dhe rreth 3 milionë tonë rezerva të rikuperueshme për nxjerrje. “Tete Albania” planifikon të nxjerrë 3,6 milionë tonë minerale me Projektin e Spaçit.
Shoqëria gjithashtu, përveç investimit të bërë në minierën e Spaçit dhe fabrikën e pasurimit, ka filluar investime në dy miniera të tjera si Gurth 2 dhe Gurth 3. Minerali i zinkut, i cili do të prodhohet nga këto dy miniera, do të pasurohet në Fabrikën e Pasurimit Spaç.
Për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, shoqëria “Tete Albania” ka filluar prodhimin e koncentratit të zinkut.

Industria e përpunimit të peshkut, mes potencialit dhe ngërçit të kuotave
Industria e përpunimit të peshkut është zgjeruar ndjeshëm vitet e fundit, e mbështetur kryesisht te modeli i përpunimit për llogari të porositësve të huaj. Investimet dhe shtimi i kapaciteteve kanë rritur eksportet, por sektori vazhdon të përballet me kufizimin e kuotave preferenciale për tregun e Bashkimit Europian.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, Shqipëria mund të eksportojë me trajtim preferencial rreth 1,600 tonë açuge të përpunuar dhe të konservuar. Me zgjerimin e industrisë, kjo kuotë prej vitesh konsumohet përpara fundit të vitit, shpesh që në muajt gusht-tetor.
Pas plotësimit të saj, eksportet përtej kufirit të përcaktuar ngarkohen me tarifë doganore prej 25% të vlerës. Për një dërgesë prej 200 mijë eurosh, kjo nënkupton kosto shtesë prej rreth 50 mijë eurosh.
Përpunuesit kanë kërkuar prej vitesh që kuota të zgjerohet deri në rreth 4 mijë tonë, në përputhje me kapacitetet që ka arritur industria, por negociatat mes autoriteteve shqiptare dhe BE-së nuk kanë sjellë ende një ndryshim.
Aktiviteti është i ndarë kryesisht në dy kategori: prodhimin e produktit gjysmë të gatshëm, që përdoret si lëndë e parë nga përpunuesit europianë, dhe produktin përfundimtar, kryesisht konservat e açuges.
Deri tani, një pjesë e operatorëve ka mundur ta zbusë ndikimin e kuotave përmes importit të produktit gjysmë të gatshëm dhe përpunimit të tij në Shqipëri, por ndryshimet në rregullat europiane rrezikojnë ta kufizojnë edhe këtë mundësi, duke zgjeruar aplikimin e tarifave.
Një tjetër problem për eksportuesit është dobësimi i euros. Të ardhurat realizohen kryesisht në euro, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e kostove paguhet në lekë, duke ngushtuar marzhet e fitimit të kompanive përpunuese. Kësaj i shtohet dhe rritja e kostove të aktivitetit dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Gjithsesi, në vitin 2025, eksportet e këtij grupi i janë rikthyer rritjes, pas tkurrjes së vitit të mëparshëm. Sipas INSTAT-it, në vitin 2025, eksportet e grupit “peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme”, u rritën me 7% në sasi dhe 14% në vlerë.
“Coral” mbetet sipërmarrja më e madhe përpunuese e peshkut në vend. Të ardhurat në vitin 2025 ishin 2.5 miliardë lekë, me rënie 11.5% me bazë vjetore.
Ky është viti i tretë radhazi me tkurrje. Në vitin 2025, aktiviteti i shoqërisë u zhvillua në një mjedis të karakterizuar nga rritja e kostove të prodhimit dhe transportit, luhatjet e çmimeve të lëndëve të para dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, sipas raportit vjetor.
“Gjatë vitit, kompania vijoi investimet në përmirësimin e ambienteve të prodhimit, zgjerimin e kapaciteteve dhe modernizimin e pajisjeve teknologjike. Investime u kryen edhe në proceset e përpunimit dhe paketimit, me synim rritjen e eficiencës, përmirësimin e cilësisë dhe shtimin e kapaciteteve për tregun vendas dhe eksportet”.
Shoqëria “Coral” sh.p.k., e themeluar në vitin 1994, ushtron aktivitet në peshkim, akuakulturë, përpunim, paketim, magazinim, tregtim dhe eksport të peshkut dhe produkteve të tjera të detit.
Modeli i saj i biznesit mbulon të gjithë ciklin, nga sigurimi i lëndës së parë deri te përpunimi dhe shpërndarja e produktit përfundimtar.
Kompania ka zhvilluar marrëdhënie tregtare në tregun vendas dhe jashtë vendit, me prani në Itali, Greqi, Kosovë, Mal të Zi, Spanjë dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Eksportet mbeten një nga drejtimet kryesore të aktivitetit.
Për vitin 2026, shoqëria synon të vijojë zgjerimin e aktivitetit, me fokus te rritja e eksporteve, investimet e reja dhe përmirësimi i eficiencës operacionale. Objektivi është forcimi i mëtejshëm i pozicionit të kompanisë si në tregun vendas, ashtu edhe në tregjet ndërkombëtare. Shoqëria kishte 339 të punësuar.
“Rozafa”, me aktivitet në zënie, grumbullim, përpunim dhe tregtim me shumicë e pakicë të prodhimeve të detit, brenda dhe jashtë vendit, kishte një vit më pozitiv, teksa raportoi rritje prej 47%, me të ardhurat që arritën në gati 2.5 miliardë lekë, duke qenë shumë afër vendit të parë.
Gjatë vitit 2025, shoqëria kishte mesatarisht 579 punonjës.

Industria përpunuese në rënie për 9 tremujorë radhazi
Që nga tremujori i fundit i vitit 2023, industria përpunuese ka hyrë në një cikël negativ, që po zgjat të paktën për 9 tremujorë radhazi (përfshirë janar-mars 2026).
Sipas serive historike të publikuara nga INSTAT-i, kjo është periudha më e gjatë rekord e pas viteve ’90, që ky sektor ka qenë në rënie, duke hyrë në stanjacion të zgjatur (që cilësohet i tillë kur rënia zgjat të paktën 4 tremujorë).

Nga 10.1% që ishte pesha e industrisë gjithsej në ekonomi në vitin 2025, industria përpunuese ka kontributin më të lartë, me 6.46%, e ndjekur nga energjia elektrike (2.15%), industria nxjerrëse (0.94%) dhe në fund, ajo e përpunimit me ujë (0.52%).
Brenda industrisë përpunuese, rolin kryesor e mbajnë “prodhimi i produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit”, që ka rritur peshën në krahasim me një vit më parë, në 1.61%.
Në vend të dytë ka zbritur “prodhimi i tekstileve, veshjeve; industria e lëkurës dhe këpucëve”, në 1.6%, e ndjekur nga “prodhimi i produkteve prej kauçuku, plastikë dhe produkte të tjera minerale”, me rreth 1%.

Nga tre sektorët kryesorë të industrisë përpunuese, dy më të mëdhenjtë ishin me rënie në vitin 2025, “prodhimi i produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit”, me -0.2% dhe tkurrja më e fortë u shënua për “prodhimin e tekstileve, veshjeve; industria e lëkurës dhe këpucëve”, me 5%.

Përtej madhësisë, kontributi është shumë më i rëndësishëm në punësim.
Vetëm industria përpunuese (përjashtuar industrinë nxjerrëse si dhe energji elektrike, gazi, uji dhe trajtimi i mbetjeve, që janë kryesisht shtetërore) kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024 (viti i fundit kur raportohen të dhënat), ose 17% e totalit të punësimit që gjenerohet nga bizneset, duke qenë punëdhënësi i tretë më i madh në vend, pas tregtisë e shërbimeve me dy të parat ku mbizotërojnë të vetëpunësuarit.

Peshën kryesore në punësimin e industrisë përpunuese e ka aktiviteti i “tekstileve e veshjeve” (25 mijë) e ndjekur nga “ushqime, pije dhe duhan” (20 mijë) dhe “lëkurë e këpucë”, me rreth 16 mijë.
Të tre këta sektorë raportojnë rënie, të ndikuara nga euro e dobët që ka goditur sidomos eksportet e tekstileve dhe këpucëve, si dhe konkurrenca nga importet që po e ndien agroindustria. Të dyja po përballen dhe me rritje të kostove të aktivitetit, duke filluar nga pagat e shpenzime të tjera.
Kriza e industrisë ka çuar në uljen e numrit të të punësuarve në përpunim, me rreth 8.3 mijë në vitin 2024, ose 8% më pak, ku ndikimin kryesor e ka dhënë industria e tekstileve e këpucëve.
Kriza ku ka hyrë industria përpunuese duket e thellë dhe e qëndrueshme. Florjan Zekja, drejtor i Shoqatës së Manifakturës, pohon se sektori ka shumë probleme.
Ai po vuan pasojat e rënda të zhvlerësimit të euros me rreth 33%, i cili ka çuar në humbjen e konkurrueshmërisë së industrisë shqiptare përballë vendeve të rajonit dhe në pamundësinë për të rinegociuar kontratat me partnerët e huaj.
Po ashtu, euroizimi i lartë i transaksioneve tregtare, në nivelin 55–60%, fenomen që vështirëson kontrollin dhe administrimin e qarkullimit të valutave të huaja dhe rrit ekspozimin e bizneseve ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Informaliteti dhe konkurrenca e pandershme vijojnë të jenë të larta, duke penguar bizneset e rregullta. “Bizneset që respektojnë detyrimet fiskale, paguajnë sigurimet dhe deklarojnë aktivitetin e tyre përballen me disavantazh të drejtpërdrejtë ndaj operatorëve informalë”.
As qeveria nuk po e merr seriozisht të bëhet palë me biznesin për të gjetur zgjidhjet që industria të kalojë në një nivel më të lartë zhvillimi.
“Ka mungesë të politikave mbështetëse për rimëkëmbjen dhe transformimin e industrisë, me qëllim rritjen e vlerës së shtuar të produktit, investimin në teknologji dhe kalimin drejt ciklit të plotë të prodhimit”, shton z. Zekja.
“Nuk ka as politika mbrojtëse dhe nxitëse për prodhuesit vendas, në mënyrë që ata të kenë rol më aktiv dhe konkurrues në tregun e brendshëm”.
Z. Zekja rekomandon që ka nevojë për rishikimin ose heqjen e tarifave doganore për lëndët e para të importuara, duke marrë në konsideratë edhe trajtimin që aplikohet në vende dhe tregje konkurruese, si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bashkimi Europian.
Kostoja e procesit të integrimit europian është një tjetër dhembje koke për industrinë. “Perspektiva e integrimit në BE deri në vitin 2030 kërkon transformim teknologjik, digjitalizim, certifikim, rritje të standardeve dhe përshtatje me legjislacionin europian. I gjithë ky proces ka kosto të konsiderueshme, e cila, në mungesë të mekanizmave mbështetës, rrezikon të përballohet kryesisht nga vetë biznesi”, shton z. Zekja./Monitor.al/






















