Sociale 25 September 2026, 13:53 Nga VNA

Dy tenderët e FSHZH për rrugët/ Dritan Agolli lë mënjanë ofertat më të lira, 27 mln euro shkojnë për kompanitë e rrugëve të çara dhe emrave të përfolur në dosjet e SPAK

Ndaje në Whatsapp

ChatGPT Image Sep 25, 2026, 01_50_54 PM.png

Miliona lekë diferencë mes ofertave, disa kompani që kërkojnë më pak para për të kryer të njëjtën punë dhe, në fund, kontrata që përfundon te një ofertues më i shtrenjtë. Kjo është panorama që del nga dy tenderë të fundit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku mënyra e përzgjedhjes së fituesve ngre pikëpyetje mbi përdorimin e parave publike.

Por historia bëhet edhe më shqetësuese kur shikon mënyrën se si këto kontrata fitohen. Sepse problemi nuk është vetëm se përse të njëjtët emra shfaqen vazhdimisht mes përfituesve të parave publike. Problemi është se, në raste konkrete, përballë tyre ndodhen kompani që kërkojnë dukshëm më pak para për të njëjtën punë, por që përsëri nuk arrijnë ta marrin kontratën.

Institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli ka shpallur fituesit për dy procedura të mëdha rrugësh, ku në të dyja rastet kompanitë fituese kishin përballë oferta më ekonomike. Në njërën garë kontrata përfundoi te Alb Building, ndërsa në tjetrën te Bami Holding.

Procedura e parë lidhet me Fazën III të projektit për përmirësimin e rrugëve të paasfaltuara në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër. Projekti parashikon ndërhyrje për sistemimin dhe përmirësimin me zhavorr të disa akseve, me një periudhë realizimi prej një viti. Fondi limit ishte rreth 1.2 miliardë lekë, ose afërsisht 13.3 milionë euro.

11111.PNG

Në garë u paraqitën 13 operatorë ekonomikë. Në fund, FSHZH shpalli fituese kompaninë Alb Building, me ofertë 789.4 milionë lekë pa TVSH. Deri këtu gjithçka mund të dukej si një procedurë normale prokurimi. Por një vështrim mbi ofertat e tjera e ndryshon panoramën, gjashtë kompani kishin kërkuar më pak para se fituesi për realizimin e kontratës.

Dy prej ofertave më të lira u skualifikuan për mosplotësim të kritereve. Njëra ishte rreth 102.7 milionë lekë më e ulët se oferta e Alb Building, ndërsa tjetra rreth 70.7 milionë lekë më pak. Skualifikimi për mosplotësim kriteresh ndoshta mund të jetë i drejtë, pavarësisht çmimit të ofertës. Por pikëpyetja nuk mbyllet këtu, sepse edhe katër operatorë të tjerë rezultonin me çmime më të ulëta dhe vijuan në vlerësim. Përsëri, asnjëri prej tyre nuk u shpall fitues.

2222.PNG

Kështu, në fund, FSHZH zgjodhi Alb Building. Dhe kur gjashtë kompani ofrojnë ta bëjnë një punë më lirë, ndërsa kontrata përfundon te një ofertë më e shtrenjtë, institucioni duhet të bëjë shumë të qartë se çfarë kishte më të mirë oferta fituese. Sepse diferenca nuk paguhet nga drejtuesit e institucionit, ajo paguhet nga buxheti i shtetit.

Nga Alb Building te Bami Holding, historia përsëritet

Nëse rasti i parë mund të konsiderohej një procedurë që kërkon sqarim, tenderi tjetër e bën tablonë edhe më interesante. Në Fazën V, që parashikon ndërhyrje për përmirësimin e asfaltit në disa akse rrugore në qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Dibër, FSHZH kishte vendosur sërish në dispozicion rreth 1.2 miliardë lekë, ose 13.3 milionë euro.

3333.PNG

Këtë herë në garë hynë 10 kompani dhe fituese u shpall Bami Holding, me një ofertë prej rreth 837.4 milionë lekësh. Por edhe këtu, Bami nuk kishte paraqitur ofertën më të ulët. Përkundrazi, pesë konkurrentë kishin kërkuar më pak para.

Oferta më ekonomike vinte nga bashkimi i operatorëve PE-VLA-KU, BIBA-X dhe XHAST, me rreth 73.2 milionë lekë më pak. Pra, vetëm mes ofertës më të ulët dhe asaj që mori kontratën qëndrojnë mbi 73 milionë lekë që kërkojnë një shpjegim të qartë mbi kriteret që përcaktuan fituesin.

444.PNG

Sigurisht, një tender nuk fitohet vetëm sepse ofron çmimin më të ulët. Ligji kërkon përmbushjen e kritereve teknike, financiare dhe administrative. Por pikërisht këtu qëndron edhe detyrimi i institucionit, kur zgjedh të paguajë më shumë, duhet të jetë në gjendje të tregojë qartë përse oferta më e shtrenjtë ishte oferta më e favorshme.

Alb Building, nga milionat e shtetit te rrugët problematike

Pikëpyetjet shtohen kur shihet se kush janë kompanitë që marrin kontratat. Alb Building, në pronësi të biznesmenëve Odhise Bresha dhe Pëllumb Beta, nuk është një emër i panjohur për arkën e shtetit. Kompania ka qenë pjesë e disa prej investimeve të mëdha infrastrukturore dhe ka përfituar ndër vite kontrata me vlera të konsiderueshme.

Në nëntor të vitit 2022, kompania u shpall fituese e tenderit me vlerë rreth 22 milionë euro për zgjerimin e aksit Elbasan–Qafë Thanë, Faza I, pjesë e korridorit rrugor ku përfshihet edhe aksi Qukës–Qafë Plloçë. Procedura u zhvillua në kohën kur Autoriteti Rrugor Shqiptar drejtohej nga Evis Berberi, i arrestuar më pas, në mars 2024, me kërkesë të SPAK.

Por pikërisht në këtë vepër rrugore, ku Alb Building ka realizuar punime, më vonë u shfaqën probleme. Në Lotin II të aksit Qukës–Qafë Plloçë, pranë zonës së Trebinjës, traseja pësoi çarje dhe dëmtime që krijuan vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Asfalti u dëmtua si në pjesën qendrore, ashtu edhe në anët e rrugës, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë dhe cilësinë e punimeve në një projekt që u ka kushtuar miliona euro taksapaguesve.

Pamja ishte e vështirë për t'u pajtuar me atë që duhet të përfaqësojë një investim i ri publik, një rrugë e kushtueshme, e pritur prej vitesh, që në vend të jetë fundi i një problemi, rikthehet në vëmendje për çarje dhe dëmtime.

Megjithatë, kjo nuk e ka zbehur besimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit te kompania. Alb Building rikthehet si fituese e një tjetër kontrate të majme, këtë herë në një garë ku disa operatorë të tjerë kishin kërkuar më pak para për realizimin e punimeve.

Bami Holding dhe inicialet që dolën nga dosja Balluku

Në tenderin tjetër shfaqet një tjetër emër i njohur i punëve publike, Bami Holding, në pronësi të Besnik Bamit. Edhe kjo kompani ka një histori të gjatë kontratash me shtetin dhe emri i pronarit të saj është përmendur në raportimet mediatike pas zbardhjes së komunikimeve të dosjes që lidhet me Belinda Ballukun dhe ish-kreun e ARRSH-së, Evis Berberi.

Një prej bisedave të publikuara ka tërhequr veçanërisht vëmendjen. Në komunikim shfaqen inicialet “BB”, ndërsa Berberi shkruan: “Po bb e kishte një të madhe, unë i ndava që të akomodonim sa më shumë”. Balluku përgjigjet: “S'më pëlqen fare që unë nuk di çfarë bën ti”, ndërsa më tej, pas përgjigjes së Berberit “Po kë të dojë”, ministrja replikon: “Jo kë të dojë jo”.

Në media është hedhur edhe hipoteza se inicialet lidhen me Besnik Bamin, por deri në një identifikim të dokumentuar kjo mbetet një interpretim dhe jo fakt i vërtetuar.

Ndërkohë, mbi aktivitetin e Bami kanë rënduar edhe pikëpyetje të tjera të raportuara në media. Një prej tyre lidhet me procedurën rreth 50 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, për të cilën është raportuar se SPAK ka kërkuar dokumentacion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Dyshimet janë përqendruar edhe te një prej loteve, me fond limit rreth 1.1 miliardë lekë, ku është pretenduar përdorimi i dokumentacionit të parregullt në procesin e kualifikimit. Këto pretendime mbeten çështje për t'u verifikuar dhe zbardhur nga organet kompetente.

Të gjitha këto nuk e pengojnë ligjërisht Bami Holding të marrë pjesë apo të fitojë tenderë, për sa kohë ndaj kompanisë nuk ekziston një vendim që e përjashton nga prokurimet publike. Por ato e bëjnë edhe më të rëndësishme transparencën e institucioneve kur kontratat përfundojnë përsëri te e njëjta kompani.

Sipas të dhënave, gjatë 10 viteve të fundit Bami, e vetme ose në bashkëpunim me kompani të tjera, ka përfituar mbi 70 milionë euro nga tenderat publikë. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, vlera e kontratave me institucionet shtetërore raportohet në mbi 36 milionë euro. Shifra që tregojnë se marrëdhënia e kompanisë me arkën publike nuk është episodike, por shtrihet prej vitesh dhe në kontrata me vlera të konsiderueshme.

Pra, një kompani që ka përfituar dhjetëra milionë euro kontrata publike ndër vite del sërish fituese. Jo sepse kishte domosdoshmërisht çmimin më të ulët, por pavarësisht se përballë saj kishte disa oferta më ekonomike.

Dhe kjo është pikërisht ajo që Dritan Agolli dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit duhet të shpjegojnë: çfarë kishte oferta e Bami Holding që pesë ofertat më të lira nuk e kishin?

Tenderët vazhdojnë, pikëpyetjet mbeten

Fakti që një kompani përmendet në një hetim, në një raportim mediatik apo se një punë e saj ka shfaqur probleme nuk e përjashton automatikisht nga prokurimet publike. Për sa kohë nuk ekziston një pengesë ligjore, kompanitë kanë të drejtë të konkurrojnë dhe institucionet kanë të drejtë t'i kontraktojnë.

Por këtu çështja është tjetër.

Kur të njëjtat kompani vazhdojnë të marrin miliona euro dhe kur, për më tepër, kontratat u jepen në procedura ku përballë kanë disa oferta më ekonomike, atëherë përgjegjësia për të shpjeguar çdo vendim bëhet edhe më e madhe.

Në dy tenderët e FSHZH-së kemi pikërisht këtë panoramë. Në njërën procedurë, gjashtë kompani ofruan çmime më të ulëta se Alb Building. Në tjetrën, pesë kompani kërkuan më pak se Bami Holding. Në të dyja rastet, paratë publike shkuan te oferta më e lartë se disa prej konkurrentëve.

Dhe këtu përgjegjësia institucionale shkon te Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe drejtuesi i tij, Dritan Agolli.

Video

SHISH “fshin” Vlora Hysenin nga historiku zyrtar

I shënoi kush u largua nga salla! ???? Pamjet nga OKB-ja tregojnë zyrtarë të delegacionit izraelit duke kaluar nga një tavolinë te tjetra dhe duke evidentuar delegacionet që u larguan nga salla gjatë fjalimit të Benjamin Netanyahu-t. Dhjetëra delegacione u larguan sapo kryeministri izraelit mori fjalën, duke lënë pas shumë vende bosh në sallën e Asamblesë së Përgjithshme.

Skandali po kthehet në biznes, “radarët” e Vlora Hysenit përfundojnë në bluza

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme