
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Athinën, ku gjashtë persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të fuqishëm dhe shembjes së një ndërtese trekatëshe në rrugën Lysikratous, në zonën e Plakës. Mes viktimave janë edhe tre shqiptarë me shtetësi amerikane, të cilët ndodheshin në kryeqytetin grek për turizëm.
Viktimat shqiptare janë Florin Hoxha, motra e tij Florida Hoxha dhe Eris Cani, bashkëshortja e Florin Hoxhës. Trupat e tyre u gjetën mëngjesin e kësaj të shtune nën rrënojat e ndërtesës së shembur.
Nga ngjarja humbën jetën edhe tre persona të tjerë: Ian Alexander Kirpatrick, bashkëshorti i Florida Hoxhës, si dhe Edmond Hings dhe Athina Papapresku, pronarët e ndërtesës.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa ndërtesa trekatëshe u shemb plotësisht, ndërsa dëmtime pësuan edhe objektet përreth. Mbeturinat u shpërndanë në rrugë, ndërsa disa ndërtesa fqinje u evakuuan për arsye sigurie.
Në vendngjarje u angazhuan ekipet e emergjencës, të cilat përdorën ekskavatorë dhe kamera termike gjatë kërkimeve nën rrënoja. Kryetari i Bashkisë së Athinës, Haris Doukas, e cilësoi ngjarjen si një “katastrofë të jashtëzakonshme”.
Dyshimet paraprake janë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një rrjedhje gazi, megjithatë shkaku përfundimtar ende nuk është përcaktuar dhe autoritetet greke po vijojnë hetimet.
Tragjedia ndodhi në një prej zonave më të frekuentuara turistike të Athinës, pranë Akropolit dhe Tempullit të Zeusit Olimpik.






















