Bledar Cafi, 50-vjeçari i njohur si “i forti i Shkodrës”, është arrestuar këtë të shtunë gjatë operacionit të koduar “Muri i Lartë”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK-ut.
Cafi u arrestua në banesën e tij në Shkodër, pas masës së sigurisë “Arrest me burg”, të caktuar nga Gjykata e Posaçme më 25 shtator 2026.
Ai dyshohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Emri i Bledar Cafit rezulton i përfshirë në hetimet e SPAK-ut për një grup të dyshuar kriminal, pjesë e të cilit dyshohet se janë edhe anëtarë të grupit “Rraja”. Në kuadër të kësaj dosjeje është arrestuar më herët edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist Rrahman Rraja.
Operacioni për arrestimin e Cafit mobilizoi disa struktura të Policisë së Shtetit, përfshirë Forcat Speciale RENEA, Forcën e Posaçme Operacionale dhe strukturat e hetimit të narkotikëve.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë kërkimet për Indrit Doklen, ndaj të cilit është caktuar gjithashtu masa e sigurisë “Arrest me burg”. Ai nuk u gjet gjatë kontrolleve të zhvilluara në kuadër të operacionit.






















