Autoritetet greke po hetojnë si pistë kryesore një përplasje mes grupeve kriminale pas sulmit të armatosur ndaj një kafeneje në zonën Agios Panteleimonas të Athinës, ku mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare. Në qendër të hetimeve është pronari shqiptar i lokalit, Denis Luli, i cili deri tani nuk u ka dhënë hetuesve informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes.
Sulmi ndodhi pak para mesnatës së 25 shtatorit, në rrugën Agorakritou. Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, katër persona mbërritën me një automjet dhe hapën zjarr me kallashnikov drejt kafenesë. Autorët dyshohet se qëlluan rreth 25 herë.
Automjeti i përdorur nga autorët rezulton se ishte vjedhur një ditë më parë në Vrilissia. Pas atentatit ai u gjet i djegur në Aspropyrgos, ndërsa brenda tij policia gjeti një kallashnikov, që po shqyrtohet nëse është arma e përdorur gjatë sulmit.
Nga breshëria e plumbave u plagos në këmbë një vajzë 10-vjeçare. Sipas raportimeve më të fundit, ajo është vajza e partneres së pronarit të lokalit dhe u transportua nga nëna e saj në spitalin e fëmijëve “Aglaia Kyriakou”. E mitura iu nënshtrua ndërhyrjes për heqjen e një fragmenti dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet për larje hesapesh
Hetimin e ka marrë përsipër Drejtoria greke për Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Një nga skenarët që po shqyrtohet është që atentati të lidhet me mosmarrëveshje mes grupeve kriminale, potencialisht të lidhura me trafikun e drogës. Autoritetet po hetojnë gjithashtu nëse ngjarja mund të ketë lidhje me një person me precedentë të rëndë kriminalë që ndodhet në burg, por kjo pistë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Sipas mediave greke, Luli është person i njohur për autoritetet. Në vitin 2016 ai ishte përfshirë në një çështje për një plantacion kanabisi në Arta dhe për të shtëna ndaj efektivëve të policisë. Pas arratisjes, ai u arrestua rreth dy vjet më vonë. Në vitin 2021 u lirua nga burgu i Malandrinos me kushte, përfshirë paraqitjen në komisariatin e Kypselit dhe ndalimin e daljes nga vendi. Në vitin 2025 kishte tërhequr sërish vëmendjen e policisë për një sasi të vogël droge.
Çfarë i kishte thënë punonjëses
Një element që po merr rëndësi në hetim është sjellja e Lulit përpara atentatit. Sipas burimeve policore të cituara nga mediat greke, ai dyshohet se i kishte thënë një punonjëseje të lokalit që, nëse dikush vinte dhe e kërkonte, t’i thoshte se nuk e kishte parë. Ky detaj ngre dyshimin se ai mund të kishte dijeni se persona të caktuar po e kërkonin ose se mund të ndihej i kërcënuar.
Megjithatë, deri tani Luli nuk u ka dhënë policëve informacione për autorët apo motivin e mundshëm të sulmit. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e autorëve dhe të përcaktojnë nëse pronari i kafenesë ishte objektivi i drejtpërdrejtë i atentatit.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e katër personave të armatosur dhe përcaktimin e motivit të sulmit.





















