Muajt e gjatë me temperatura të larta, netët pa gjumë nga vapa dhe më pas ulja e menjëhershme e temperaturave mund të tronditin jo vetëm trupin, por edhe flokët. Sipas dermatologëve, ndryshimet e forta të klimës krijojnë një lloj stresi fizik që mund të shtojë ndjeshëm rënien e flokëve, sidomos në periudhën gusht-tetor.
Eksperti italian Luca Barbieri, nga Instituti Dermatologjik San Gallicano në Romë, shpjegon se nxehtësia e tepërt i than flokët, i bën më të brishtë dhe më të prirur për t’u këputur. Dehidratimi, djersitja, pagjumësia dhe stresi që shkakton vapa mund të përshpejtojnë ciklin e rënies së flokëve.
Rënia e 50 deri në 100 fijeve në ditë konsiderohet normale. Madje në fund të verës dhe në fillim të vjeshtës ndodh shpesh ajo që quhet “rënie sezonale”, kur më shumë folikula hyjnë përkohësisht në fazën e pushimit dhe flokët bien pas disa javësh.
Por alarmi nis kur rënia bëhet e dukshme, e vazhdueshme dhe më e madhe se zakonisht. Sipas mjekëve, shpesh bëhet fjalë për telogen effluvium, një rënie e përhapur dhe zakonisht e përkohshme që shfaqet dy ose tre muaj pas një periudhe stresi fizik ose emocional.
Vapa ndikon edhe te skalpi. Temperaturat e larta shtojnë djersën dhe sebumin, mund të bllokojnë poret, të irritojnë lëkurën e kokës dhe të favorizojnë zbokthin apo dermatitin seborrheik. Këto gjendje dobësojnë rrënjën e flokut dhe mund të rrisin rënien.
Çfarë mund të bëhet? Mjekët këshillojnë fillimisht hidratim të mirë, gjumë sa më të rregullt dhe ushqim të balancuar. Flokët kanë nevojë për proteina, vitamina të grupit B, vitaminë C, hekur, zink, selen dhe omega-3. Vezët, peshku, bishtajoret, frutat e thata, perimet, farat dhe uji janë baza më e thjeshtë.
Suplementet me biotinë, zink, vitaminë D apo aminoacide mund të ndihmojnë në disa raste, por nuk duhen marrë pa u këshilluar më parë me mjekun, sidomos kur rënia është e fortë ose zgjat për javë të tëra.
Pra, flokët nuk bien vetëm nga mosha apo gjenetika. Ndonjëherë mjafton një verë e gjatë, vapë ekstreme, net pa gjumë dhe një ndryshim i beftë temperature që trupi ta tregojë stresin pikërisht aty ku duket më shumë: në flokë.






















