Prej vitesh ndryshimi i orës është fajësuar për probleme me gjumin, humorin dhe madje shëndetin mendor. Por një analizë e gjerë ndërkombëtare tregon se lidhja mund të mos jetë aq e fortë sa është menduar.
Studiuesit analizuan 157 studime nga 36 vende, të realizuara përgjatë një dekade. Përfundimi ishte se provat që lidhin ndryshimin e orës me përkeqësime të rëndësishme të shëndetit mendor janë të dobëta dhe jo të qëndrueshme.
Disa njerëz mund të përjetojnë një efekt të ngjashëm me një “jet lag” të lehtë, me çrregullim të përkohshëm të gjumit apo ndryshime humori. Por studiuesit nuk gjetën një lidhje të qartë me rritje domethënëse të depresionit apo problemeve të lidhura me abuzimin me substancat.
Situata është më e ndërlikuar për disa efekte fizike. Fillimi i orës verore është lidhur në studime me rritje të infarkteve akute dhe aksidenteve fatale rrugore, por studiuesit theksojnë se është e vështirë të provohet se ndryshimi i orës është shkaku i drejtpërdrejtë.
Në lojë hyjnë shumë faktorë të tjerë: sasia e dritës, stina, rutina e punës, gjumi, aktiviteti social dhe madje mënyra se si njerëzit presin të ndikohen nga ndryshimi.
Autorët arrijnë kështu në një përfundim më të kujdesshëm: ndryshimi i orës mund të na prishë përkohësisht ritmin, por nuk ka prova të forta se shkakton një përkeqësim të rëndësishëm të shëndetit mendor në popullatë.






















