Një koleksion i jashtëzakonshëm me 12 vepra të Vincent van Gogh, Paul Cézanne, Claude Monet dhe mjeshtërve të tjerë impresionistë e post-impresionistë do të dalë në ankand në Nju Jork, me një vlerë totale të parashikuar rreth 450 milionë dollarë.
Pjesa më e madhe e veprave kanë qëndruar larg syrit të publikut për dekada. Pesë prej tyre u prezantuan të mërkurën në Sotheby’s në Londër, ndërsa koleksioni i plotë do të dalë në shitje më 18 nëntor në Nju Jork.
Vëmendjen kryesore e merr “Châtaigniers en fleurs” e Van Gogh, e cila vlerësohet rreth 180 milionë dollarë. Piktura u realizua në Auvers-sur-Oise, vetëm disa muaj para vdekjes së artistit. Helena Newman nga Sotheby’s e cilësoi shfaqjen e saj si një zbulim veçanërisht emocionues.
Një tjetër kryevepër është “Arlequin” e Cézanne, që nuk është parë publikisht që prej vitit 1975 dhe pritet të arrijë rreth 120 milionë dollarë. Tre versionet e tjera të kësaj serie ndodhen tashmë në muze, duke e bërë këtë të vetmin ekzemplar që mbetet në duar private.
Në koleksion ndodhet edhe Le Jardin des Tuileries e Monet, ndërsa Sotheby’s e konsideron grupin e veprave ndër koleksionet më të vlefshme që janë ofruar ndonjëherë në ankand.






















