Moldavia është përfshirë nga një seri incidentesh me dronë mëngjesin e së shtunës, 3 tetor, pasi pesë mjete ajrore pa pilot kanë fluturuar mbi hapësirën ajrore të vendit dhe fragmente të tyre janë gjetur në katër rrethe.
Shpërthimet u raportuan në rrethet Causeni, Stefan Voda, Anenii Noi dhe Hincesti. Në Causeni u gjetën mbetje të dy dronëve, njëri në periferi të qytetit dhe tjetri pranë fshatit Constantinovca. Fragmente të tjera u zbuluan pranë Crocmazit, në rrethin Stefan Voda, mes fshatrave Delacau dhe Puhaceni në rrethin Anenii Noi, si dhe në zonën e Dubovcës, në rrethin Hincesti.
Një prej shpërthimeve pranë Crocmazit ndodhi në një zonë me vreshta, pranë një brigade bujqësore. Për pasojë shpërtheu një zjarr në vegjetacion dhe u dëmtuan dritaret e ndërtesës aty pranë. Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka persona të lënduar nga incidentet.
Ministria e Punëve të Jashtme të Moldavisë e ka cilësuar ngjarjen si shkelje të hapësirës ajrore kombëtare nga pesë dronë, duke e lidhur incidentin me sulmet masive të Rusisë ndaj Ukrainës. Autoritetet moldave po monitorojnë situatën dhe po hetojnë rrethanat e sakta të hyrjes së mjeteve ajrore në territorin e vendit.
Incidentet në Moldavi ndodhën në të njëjtën kohë me një sulm të gjerë ajror rus ndaj Ukrainës. Sipas Forcave Ajrore ukrainase, gjatë natës së 3 tetorit Rusia lëshoi 157 dronë, ndërsa mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi ose neutralizoi 131 prej tyre. Goditje u regjistruan në 12 lokacione, ndërsa rënia e mbetjeve të dronëve u raportua në pesë zona të tjera.
Policia dhe ekipet e specializuara ndodhen në zonat ku janë gjetur fragmentet dhe po dokumentojnë incidentet. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, të shmangin zonat ku janë raportuar shpërthime dhe të mos prekin apo afrohen me mbetje ose objekte të dyshimta. Në rast se hasin sende të tilla, qytetarët janë udhëzuar të njoftojnë menjëherë shërbimin e emergjencës në numrin 112.






















