Mijëra të rinj në rrugë, shkolla të bllokuara, universitete në protestë dhe përplasje me policinë. Franca është përfshirë nga një revoltë që po zgjerohet me shpejtësi. Por pas pamjeve të barrikadave dhe arrestimeve fshihet një histori shumë më e thjeshtë: gjithçka nisi nga klasat ku mungonin mësuesit.
Protestat nisën në fund të shtatorit në disa lice të periferisë së Parisit, veçanërisht në Seine-Saint-Denis. Nxënësit denoncuan mësues që mungojnë dhe nuk zëvendësohen, klasa të mbipopulluara, mungesë personeli mbështetës dhe godina të amortizuara. Në disa shkolla, sipas Reuters, disa lëndë nuk zhvilloheshin që nga fillimi i vitit shkollor për shkak të mungesës së mësuesve.
Brenda pak ditësh protesta mori përmasa kombëtare. Më 1 tetor, sipas Ministrisë franceze të Arsimit, mobilizimet prekën 1,020 lice dhe 222 prej tyre u bllokuan. Protesta u shtri nga Parisi në Lille, Lyon, Marseille, Strasbourg dhe Nantes.
Në këtë fazë iu bashkuan edhe studentët e universiteteve. Sindikatat studentore raportuan mobilizime në dhjetëra kampuse, duke shtuar kërkesa të tjera: më shumë financim për universitetet, masa kundër varfërisë studentore, më shumë vende studimi dhe ndryshime në mënyrën e aksesit në arsimin e lartë.
Zemërimin e shtoi edhe projektbuxheti për vitin 2027. Qeveria parashikon rreth 65.5 miliardë euro për arsimin, pa përfshirë pensionet e mësuesve, por rritja prej 1.7% është më e ulët se inflacioni. Protestuesit kundërshtojnë gjithashtu shkurtimet e vendeve të punës në arsim. Nën presionin e protestave, qeveria është tërhequr tashmë nga një masë që parashikonte tarifa të reja regjistrimi për disa kategori studentësh.
Por protesta ka marrë edhe një kthesë të dhunshme. Bllokimet e shkollave janë shoqëruar në disa qytete me përplasje me policinë, zjarrvënie dhe dëmtime pronash. Autoritetet franceze thonë se grupe të dhunshme janë infiltruar mes protestuesve, ndërsa organizatat studentore dhe të të drejtave të njeriut kanë ngritur akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia. Mijëra persona janë arrestuar gjatë ditëve të fundit, shumë prej tyre të mitur.
Përpjekja për dialog nuk e ka mbyllur krizën. Të premten, përfaqësues të studentëve dhe gjimnazistëve u takuan me ministrin e Arsimit, Édouard Geffray, por pas takimit deklaruan se nuk kishin marrë përgjigje konkrete për kërkesat e tyre dhe bënë thirrje për vazhdimin e mobilizimit.
Sot, më 3 tetor, protesta nuk konsiderohet e mbyllur. Përkundrazi, organizatat e studentëve dhe gjimnazistëve po përgatiten për një tjetër ditë kombëtare mobilizimi më 6 tetor. Në Paris është paralajmëruar një manifestim në Place de la République, ndërsa lëvizjes po i bashkohen edhe sindikata të arsimit dhe organizata prindërish.
Kështu, një revoltë që nisi me një kërkesë elementare – mësues në klasa dhe kushte normale në shkolla – është kthyer në një debat kombëtar mbi financimin e arsimit publik francez. 6 tetori pritet të tregojë nëse revolta e të rinjve do të zgjerohet më tej apo qeveria do të arrijë ta ulë tensionin.






















