Bota 3 October 2026, 19:01 Nga VNA

Oktoberfest, grave u shpërndahen pantallona të shkurtra falas pas zbulimit të 32 mijë videove të filmuara nën fustane

Ndaje në Whatsapp
Oktoberfest, grave u shpërndahen pantallona të shkurtra falas pas

Grave dhe vajzave në Oktoberfestin e Mynihut po u shpërndahen falas pantallona të shkurtra çiklizmi për t’i mbrojtur nga filmimet e fshehta nën fustane, pasi një investigim zbuloi dhjetëra mijëra video të tilla që qarkullonin në internet.

Në qendër të skandalit është Teufelsrad, ose “Rrota e Djallit”, një nga atraksionet më të vjetra të festivalit të famshëm gjerman të birrës. Rrota rrotullohet me shpejtësi, ndërsa pjesëmarrësit përpiqen të qëndrojnë mbi të sa më gjatë. Por gjatë rrotullimit, fustanet tradicionale dirndl të grave mund të ngrihen, duke ekspozuar të brendshmet.

Një investigim i gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung zbuloi se vetëm në platformat e Meta-s gjendeshin më shumë se 32 mijë video të lidhura me Teufelsrad, disa prej të cilave kishin grumbulluar miliona shikime. Shumë prej tyre fokusoheshin pikërisht te gratë dhe vajzat në momentet kur fustanet u ngriheshin gjatë rrotullimit.

Zbulimi ka rikthyer debatin mbi të ashtuquajturin “upskirting” – fotografimin ose filmimin fshehurazi nën fundin apo fustanin e një personi pa pëlqimin e tij. Kjo praktikë është e paligjshme në Gjermani që prej vitit 2020 dhe dënohet me gjobë ose deri në dy vjet burg.

Operatorja 80-vjeçare e atraksionit, Elisabeth Polaczy, tha për BBC se këtë vit ka nisur t’u ofrojë falas pantallona të shkurtra çiklizmi grave dhe vajzave që veshin fustane. Vetëm gjatë këtij Oktoberfesti ajo ka shpërndarë më shumë se 100 palë.

“Dua të bëj gjithçka që mundem që njerëzit të ndihen të sigurt”, tha Polaczy.

Rreth tendës së Teufelsrad janë vendosur tabela dhe postera të policisë, në gjermanisht dhe anglisht, që paralajmërojnë se filmimi nën fustanet e grave është i ndaluar. Megjithatë, sipas operadores, kontrollimi i të gjithë personave që filmojnë me telefona celularë është pothuajse i pamundur.

Policia bavareze ka konfirmuar se që prej vitit 2025 vendos në Oktoberfest postera paralajmërues kundër kësaj praktike.

Problemi nuk është vetëm teorik. Gjatë festivalit të këtij viti, policia arrestoi një 45-vjeçar zviceran, i akuzuar se kishte filmuar nën fustanin tradicional të një gruaje gjermane. Në vitin 2025 pati 10 arrestime për raste të tilla, ndërsa në vitin 2024 u regjistruan shtatë.

Investigimi mbi mijëra videot që vazhdojnë të qarkullojnë online tregon megjithatë se, pavarësisht kriminalizimit të fenomenit dhe paralajmërimeve të policisë, telefonat celularë dhe shpërndarja masive në rrjetet sociale e kanë bërë shumë më të vështirë parandalimin e tij.

Video

Gazetarët izraelitë u përplasën me zyrtarët irlandezë të medias gjatë një konference të tensionuar për shtyp, duke bërë që ndeshja Izrael–Irlandë të zhvillohet në Serbi dhe jo në Dublin

Përplasje të forta në Francë, protestat përshkallëzohen Protestat e nxënësve në Francë janë shoqëruar me përplasje me policinë, gaz lotsjellës dhe zjarre në disa qytete. Protestuesit kërkojnë më shumë investime në arsim, më shumë mësues dhe përmirësimin e kushteve në shkolla. Pamjet tregojnë momentet e tensionuara gjatë protestave.

“Grepi” i SPAK mbërrin te KAYO: industria në emër të shtetit, biznesi në duart e privatëve

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme