Zhdukja e çiftit të moshuar britanik Anthony “Tony” Dinis, 73 vjeç, dhe bashkëshortes së tij Gillian, 78 vjeç, në Afrikën e Jugut vijon të mbetet e pazbardhur, më shumë se tre vjet pas humbjes së gjurmëve të tyre.
Çifti u zhduk në fund të gushtit 2023 nga banesa e tyre në zonën Middlerus, në provincën KwaZulu-Natal. Vajza e tyre, Kate Anderson, beson se prindërit mund të jenë rrëmbyer dhe vrarë, ndërsa ka ngritur dyshime se krimi mund të ketë pasur lidhje me praktika rituale.
“Ata u vranë në një ceremoni magjie të zezë dhe vrasësit janë ende atje jashtë”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, pretendimet për një vrasje me motive rituale nuk janë konfirmuar nga autoritetet. Trupat e Tony dhe Gillian Dinis nuk janë gjetur dhe rrethanat e zhdukjes së tyre vazhdojnë të mbeten të paqarta.
Sipas vajzës së çiftit, shënimi i fundit në ditarin e Tony mban datën 27 gusht 2023, ndërsa një ditë më vonë çifti u raportua i zhdukur.
Në banesën e tyre nuk u konstatuan shenja të dukshme përleshjeje. Megjithatë, bastuni që përdorte Gillian ishte lënë në shtëpi, një rrethanë që, sipas familjes, ngre dyshime se ajo mund të mos jetë larguar me dëshirën e saj.
Rreth një javë pas zhdukjes, familjarët morën një kërkesë për pagesën e 2 milionë randëve si shpërblim. Më pas, shuma e kërkuar thuhet se u ul në 50 mijë randë. Familja kërkoi një fotografi si provë se çifti ishte gjallë, por nuk mori përgjigje.
Hetimet u përqendruan edhe te një kopshtar, i cili, sipas familjes, ishte ndër personat e fundit që kishte parë çiftin. Ai u gjet nga policia në një kishë lokale dhe dyshohej se po përdorte kartën SIM të Gillian në telefonin e tij. Kopshtari dhe një person tjetër u arrestuan.
Gjatë hetimeve, kopshtari dyshohet se dha një deklaratë në të cilën pranonte përfshirjen në rrëmbimin e çiftit dhe pretendonte se Tony dhe Gillian ishin vrarë. Sipas këtij rrëfimi të pretenduar, pjesë të trupave të tyre do të përdoreshin për qëllime rituale.
I dyshuari deklaroi më vonë se ishte dhunuar nga policia për të dhënë këtë rrëfim. Deklarata u konsiderua e papranueshme si provë dhe, në qershor 2024, akuzat ndaj dy të dyshuarve u rrëzuan për mungesë provash të mjaftueshme.
Vajza e çiftit shprehet e shqetësuar se personat që mund të jenë përgjegjës për zhdukjen e prindërve të saj vazhdojnë të jenë të lirë. Ajo u ka bërë thirrje autoriteteve që çështja të hetohet sërish dhe në mënyrë më të thelluar.
Familja ka ngritur gjithashtu dyshime për një lidhje të mundshme me praktikat e njohura me termin “muti”. Në Afrikën e Jugut, ky term përdoret gjerësisht për mjekësinë dhe praktikat tradicionale, të cilat zakonisht përfshijnë përbërës me origjinë bimore ose shtazore. Çdo pretendim për lidhjen e rastit konkret me praktika kriminale rituale mbetet, megjithatë, i pakonfirmuar nga autoritetet.






















