Bota 5 October 2026, 12:03 Nga VNA

“Sorra” 87-vjeçare që rrëzoi Pedro Sánchezin/ Maricarmen ndezi revoltën për banesat, Spanja shkon në zgjedhje të parakohshme

Ndaje në Whatsapp
“Sorra” 87-vjeçare që rrëzoi Pedro

Quhet Maricarmen Abascal, është 87 vjeçe, me aftësi të kufizuara dhe për më shumë se shtatë dekada kishte jetuar në të njëjtën banesë në Madrid. Por historia e saj, që nisi si drama personale e një pensionisteje përballë tregut të shfrenuar të qirave, përfundoi duke u kthyer në simbolin e krizës së strehimit që ka tronditur politikën spanjolle.

Më 23 shtator, Maricarmen u nxor nga shtëpia ku kishte jetuar rreth 71 vjet. Pamjet e saj duke dalë me barelë, ndërsa jashtë ndërtesës protestonin dhjetëra qytetarë, u përhapën me shpejtësi në Spanjë.

Prona kishte kaluar në duart e kompanisë Urbagestión. Sipas raportimeve spanjolle, qiraja që paguante Maricarmen ishte rritur në një nivel të papërballueshëm për të ardhurat e saj. Rasti shkaktoi aq shumë zemërim sa u shndërrua në simbol të debatit kombëtar mbi qiratë, dëbimet dhe fondet e mëdha që blejnë prona në qytetet spanjolle.

Presioni publik dha një rezultat të parë. Pesë ditë pas dëbimit, Urbagestión, familja dhe përfaqësuesit e Maricarmen arritën një marrëveshje që 87-vjeçarja të rikthehej në shtëpinë e saj, me një qira që nuk kalon 30% të të ardhurave neto.

Por “efekti Maricarmen” tashmë kishte dalë shumë përtej derës së apartamentit të saj.

Qeveria e Pedro Sánchez miratoi dy dekrete emergjente për strehimin, që parashikonin ndër të tjera mbrojtje më të madhe për qiramarrësit vulnerabël dhe kufizime ndaj dëbimeve. Por më 2 tetor, Kongresi i rrëzoi masat me votat kundër të Partisë Popullore, Vox dhe Junts.

Dhjetëra mijëra qytetarë dolën në rrugët e Madridit dhe qyteteve të tjera spanjolle, duke e kthyer krizën e strehimit në një nga çështjet kryesore të përplasjes me qeverinë.

Protestuesit kërkuan uljen e qirave, mbrojtje nga dëbimet dhe masa kundër spekulimit me banesat. Në Madrid, Delegacioni i Qeverisë e vlerësoi pjesëmarrjen në rreth 70 mijë persona, ndërsa organizatorët deklaruan se në protestë kishin marrë pjesë rreth 500 mijë.

Në krye të marshimit u shfaq edhe thirrja për një grevë të përgjithshme. Kriza e banesave, prej kohësh një nga problemet më të ndjeshme sociale në Spanjë, ishte kthyer në krizë politike.

Goditja parlamentare ndaj qeverisë së pakicës së Sánchez dhe protestat masive e vendosën kryeministrin përballë vendimit më të rëndësishëm të mandatit.

Të hënën, më 5 tetor, Pedro Sánchez njoftoi se Spanja do të shkojë në zgjedhje të parakohshme më 29 nëntor 2026, duke i dhënë fund legjislaturës përpara afatit të saj normal.

Kështu, një grua 87-vjeçare që vetëm pak ditë më parë luftonte për të mos humbur shtëpinë ku kishte kaluar pothuajse gjithë jetën, u kthye në simbolin e një revolte shumë më të madhe.

Maricarmen nuk e rrëzoi juridikisht qeverinë dhe Sánchez nuk dha dorëheqjen. Por historia e saj u kthye në simbol të zemërimit për krizën e strehimit, ndërsa përplasja politike që pasoi përfundoi me vendimin e kryeministrit për t’ua kthyer fjalën zgjedhësve më 29 nëntor.

Video

Një këngëtare u fishkëllye nga tifozët pasi harroi fjalët e himnit kanadez përpara ndeshjes miqësore Kanada–Peru, të zhvilluar të shtunën, më 3 tetor, në Montreal. Ajo hezitoi që në nisje të interpretimit, duke shkaktuar konfuzion edhe mes futbollistëve vendas. Teksa përpiqej të vazhdonte, këngëtarja harroi sërish tekstin dhe nisi të qeshte në mënyrë nervoze. Nga tribunat u dëgjuan fishkëllima, ndërsa më pas u luajt versioni instrumental i himnit, të cilin e kënduan lojtarët dhe tifozët.

Një shembje masive shkëmbinjsh ndodhi në faqen veriore të majës Tofana di Dentro, pranë Cortina d’Ampezzo në Itali. Në momentin e shembjes, një helikopter i urgjencës po përfundonte shpëtimin e një turisteje 52-vjeçare, e cila kishte dëmtuar gjurin gjatë një ecjeje në Tofana di Rozes. Gruaja u transportua në spitalin Codivilla për të marrë ndihmë mjekësore. Më pas, helikopteri mori në bord dy pjesëtarë të Guardia di Finanza për të kontrolluar nga ajri zonën e prekur. Reja e dendur e pluhurit, e ngritur nga shembja, pengoi për një kohë të gjatë pamjen dhe vështirësoi verifikimet.

Një ushtarak rus ka rrëzuar një dron ukrainas në rajonin e Moskës, duke përdorur sistemin portativ kundërajror 9K38 Igla. Sipas raportimeve, droni dyshohet se ishte gati për sulm dhe po fluturonte drejt një objekti të industrisë së naftës, por u godit përpara se të arrinte objektivin. 9K38 Igla është një sistem raketor portativ rus, i projektuar për goditjen e objektivave ajrore në lartësi të ulëta.

Tensione para Kuvendit të Kosovës, policia përdor gaz lotsjellës Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës. Protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike, ndërsa Policia e Kosovës është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ka shtuar praninë rreth ndërtesës. Tensionet u rritën pasi protestuesit tentuan të pengonin largimin e deputetëve, duke kërkuar miratimin në lexim të dytë të ndryshimeve ligjore që lidhen me Specialen në Hagë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme