
Ndërsa linja hekurudhore Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit vazhdon prej vitesh të jetë një kantier i hapur, qeveria ka nisur të mendojë për hapin tjetër, kush do t’i menaxhojë trenat, sapo këta të nisin punën realisht.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë zhvilloi këtë të martë një takim konsultativ për kontratën e re të shërbimit publik, përmes së cilës do të zgjidhet operatori që do të menaxhojë transportin e udhëtarëve në linjën Tiranë–Durrës–Rinas.
Pra, ndërsa punimet fizike, stacionet dhe elektrifikimi presin ende vulën e përfundimit, ministria ka kaluar te faza e organizimit të shërbimit të ardhshëm.
Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi se shteti kërkon një operator që të mos paguhet thjesht për kilometrat e përshkuar, por për cilësinë e shërbimit që do t'u ofrohet qytetarëve.
Konsultimi synon të masë interesin e operatorëve potencialë ndërkombëtarë dhe të përcaktojë mënyrën se si do të organizohen mjetet lëvizëse, financimi, mirëmbajtja dhe nisja e shërbimit.
“Ne duhet të ofrojmë një shërbim modern, të orientuar drejt pasagjerit dhe këtu merr rëndësi kontrata e shërbimit publik që po diskutojmë sot”, tha ministri.
Në letër, standardet janë të qarta, tren modern, operator i përgjegjshëm, performancë e matshme, transparencë dhe konkurrencë. Ajo që mbetet ende për t’u parë është kur qytetarët do të kenë mundësi t’i matin këto standarde duke hipur realisht në tren.





















