
Vetëm pak muaj pas rastit të Dorina Sejdinit, një tjetër nënë ka hyrë në burgun e Pojskës me foshnjën në krah. Këtë herë është Greta Gjoci, e dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik në dosjen e call center-ave të drejtuar nga Bruno Çobo.
Çështja nuk është nëse Gjoci duhet ta vuajë dënimin. Për këtë ka një vendim gjykate. Pyetja është nëse ekzekutimi duhej të fillonte menjëherë, kur ajo ka një foshnjë vetëm disa muajshe dhe Kodi i Procedurës Penale parashikon mundësinë e shtyrjes së dënimit për një grua me fëmijë nën një vjeç.
Pikërisht mbi këtë dispozitë është mbështetur kërkesa e mbrojtjes në GJKKO. Sipas avokatit, foshnja është vetëm disa muajshe dhe ushqehet me gji, ndërsa Gjoci kishte respektuar masën e mëparshme të “arrestit në shtëpi” dhe nuk kishte tentuar t’i shmangej drejtësisë. Gjykata do të vendosë nëse këto rrethana janë të mjaftueshme për shtyrjen e ekzekutimit, por deri në shqyrtimin e kërkesës nëna dhe foshnja ndodhen në Pojskë.
Një situatë e ngjashme u krijua në qershor me Dorina Sejdinin, nënë e tre fëmijëve, e cila u dërgua në të njëjtin burg për të vuajtur një dënim prej dy muajsh për dhunë në familje. Foshnja e saj qëndroi me të në institucionin e vuajtjes së dënimit. Pas reagimit publik, ndërhyrjes së Avokatit të Popullit dhe vënies në dispozicion të mundësisë së faljes presidenciale, gjykata vendosi shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Rasti i Dorinës la pas një pyetje që rikthehet tani me Gretën: kur ligji parashikon mundësinë e shtyrjes për një nënë me fëmijë nën një vjeç, a duhet që kjo mundësi të shqyrtohet përpara se foshnja të përfundojë në burg bashkë me të ëmën?
Shtyrja nuk është falje dhe as anulim i dënimit. Nëse gjykata e pranon, dënimi mbetet dhe ekzekutohet më vonë. Është një mundësi që ligji ia ka lënë gjykatës pikërisht për të vlerësuar rrethana të veçanta, ku pasojat e burgimit nuk prekin vetëm personin e dënuar.
Në rastin e Gjocit ka edhe një element tjetër që kërkon vlerësim. Nëse, siç pretendon mbrojtja, ajo e kishte respektuar arrestin në shtëpi dhe nuk kishte tentuar të largohej, mbetet për t’u parë nëse ishte e domosdoshme që ekzekutimi i dënimit të fillonte përpara se gjykata të shqyrtonte kërkesën për shtyrje.
Këtu nuk kërkohet që një nënë të mos vuajë dënimin vetëm sepse është nënë. Kërkohet të kuptohet nëse një mundësi që vetë ligji e parashikon mund të përdoret në kohën e duhur, në mënyrë që kostoja e dënimit të mos bjerë edhe mbi një foshnjë që nuk ka asnjë përgjegjësi për veprën penale të së ëmës.
Nga Dorina te Greta kanë kaluar vetëm pak muaj. Dy çështjet janë të ndryshme, dënimet janë të ndryshme, por dilema është e njëjtë: kur ligji i jep drejtësisë mundësinë të jetë edhe humane, pse kjo mundësi duhet të shqyrtohet vetëm pasi një foshnjë ka kaluar portën e burgut?






















