Kronika 11 October 2026, 12:19 Nga VNA

Arrestohet në Nju-Jork 52-vjeçari i dënuar dy herë me nga 25 vite burg për tri vrasje në Shkodër

Ndaje në Whatsapp
Arrestohet në Nju-Jork 52-vjeçari i dënuar dy herë me nga

Një 52-vjeçar shqiptar, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës, është arrestuar në Nju-Jork, në kuadër të bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese amerikane.

Bëhet fjalë për Valentin Ftonin, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001. Sipas Policisë së Shtetit, lokalizimi dhe kapja e tij në Shtetet e Bashkuara u bë e mundur pas një pune të gjatë hetimore dhe koordinimit të veprimeve me disa agjenci federale amerikane.

Sipas të dhënave të autoriteteve shqiptare, Ftoni është dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër me 25 vite burgim më 28 shtator 2001, pasi është shpallur fajtor për vrasjen me paramendim, në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje. Ngjarja kishte ndodhur më 19 shtator 2000, në Ças të Velipojës, ku ai akuzohet se vrau Gjelosh dhe Ardiana Markajn, për motive gjakmarrjeje.

Për një tjetër vrasje, të kryer më 12 gusht 2001, Ftoni u dënua sërish me 25 vite burgim nga e njëjta gjykatë, me vendimin e datës 18 nëntor 2008. Sipas vendimit, ai u shpall fajtor për vrasjen me paramendim të Gac Tomës, si dhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Policia e Shtetit bën të ditur gjithashtu se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin amerikan. Ai dyshohet se ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.

Njoftimi policisë

Policia e Shtetit/Finalizohet një tjetër fazë e bashkëpunimit ndërkombëtar me agjencitë ligjzbatuese amerikane

Arrestohet në Nju-Jork një 52-vjeçar, i dënuar në Shqipëri dy herë me nga 25 vjet burgim, për vrasjen e 3 shtetasve në Shkodër.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe partnerëve ligjzbatues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndaluar në Nju-Jork, SHBA, shtetasi shqiptar Valentin Ftoni, 52 vjeç.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë për Krimet e Rënda dhe Njësisë së Përbashkët të Shërbimeve Investigative, në bashkëpunim me agjencinë federale amerikane DSS/OCIU, të pranishme në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ka koordinuar në vazhdimësi veprimet me dy agjenci të tjera federale amerikane, USMS (Shërbimi i Marshallëve të Shteteve të Bashkuara) dhe ICE (Agjencia e Emigracionit dhe Doganave), për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit Valentin Ftoni.

Pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkërendimit të veprimeve ndërmjet Policisë së Shtetit dhe tri agjencive federale amerikane, u bë i mundur identifikimi dhe lokalizimi në SHBA i këtij shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001, pasi është dënuar dy herë me nga 25 vjet burgim për 3 vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.

Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, shtetasi Valentin Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin e SHBA-së. Gjithashtu, dyshohet se në këtë shtet ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.

Më datë 28.09.2001, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 19.09.2000, në Ças, Velipojë, ka vrarë shtetasit Gj. M. dhe A. M., për motive gjakmarrjeje.

Gjithashtu, më datë 18.11.2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër e ka deklaruar fajtor shtetasin Valentin Ftoni dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 12.08.2001 ka vrarë shtetasin G. T.

Policia e Shtetit vijon punën intensive, në koordinim me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për përfundimin e procedurave të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë, me qëllim përballjen me drejtësinë shqiptare për veprat penale për të cilat është dënuar.

Ky rast dëshmon edhe një herë përkushtimin e Policisë së Shtetit për forcimin e bashkëpunimit hetimor ndërkombëtar dhe koordinimin e veprimeve me partnerët strategjikë në luftën kundër kriminalitetit. Policia e Shtetit shpreh mirënjohjen për partnerët në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri dhe agjencitë ligjzbatuese amerikane për bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë rast dhe në operacione të tjera të përbashkëta.

 

 

 

 

Video

Një sulm me raketa pranë një dyqani në periferi të Kharkivit, në Ukrainë, ka shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e nëntë të tjerëve. Mes të plagosurve raportohet se është edhe një fëmijë. Sulmi është kryer nga Rusia, ndërsa deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat e goditjes dhe identitetin e viktimave.

Pra, në Ministrinë e Arsimit tashmë nuk mjafton të bësh mirë vetëm punën. Duhet të mendohesh dy herë edhe para garderobës dhe pasqyrës🤔

Nëna humb foshnjën në javën e 38-të të shtatzënisë, hetimi zbuloi si shkak mosfunksionimin e monitorit të matjes së rrahjeve të zemrës

Një fluturim i kompanisë ajrore indiane IndiGo u devijua drejt Hyderabadit pasi një pajisje elektronike personale, dyshohet një bateri portativ, filloi të nxirrte tym dhe mori flakë në bord. Fatmirësisht, të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë jashtë rrezikut. Ngjarja shkaktoi panik mes pasagjerëve, ndërsa pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë disa prej tyre duke u përpjekur të izolojnë baterinë me çanta për të frenuar përhapjen e zjarrit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme