Një grua 83-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa një burrë rezulton ende i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që shkaktoi zjarr dhe shembjen e një pjese të pallatit pesëkatësh në Elbasan.
Viktima është Hatixhe Berisha, 83 vjeçe, banore në katin e katërt të pallatit, ndërsa personi që kërkohet nën rrënoja është Hamit Dibra, pronari i banesës ku ra zjarri.
Dibra nuk është gjetur ende dhe dyshohet se ndodhet në pjesën e shembur të ndërtesës. Kërkimet janë ndërprerë për shkak të errësirës dhe pritet të rifillojnë nesër.
Sipas dyshimeve paraprake, shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një bombul gazi që Hamit Dibra kishte vendosur në garazhin e pallatit dhe e kishte lidhur përmes tubacioneve me kuzhinën e banesës së tij.
Fuqia e shpërthimit shkaktoi shembjen e një pjese të pallatit, duke lënë pas një viktimë, persona të lënduar dhe një të zhdukur.
Megjithatë, shkaku i saktë i shpërthimit dhe zjarrit mbetet ende për t’u përcaktuar nga ekspertiza përfundimtare.






















