
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në një apartament në qytetin e Elbasanit. Sipas raportimeve, ngjarja dyshohet se i ka marrë jetën një 83-vjeçari, ndërsa ende pritet konfirmimi zyrtar i viktimës.
Ngjarja është regjistruar në lagjen “Beqir Dardha”, e njohur ndryshe si lagjja e Kinezëve, ku dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi brenda apartamentit.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, duke dëmtuar muret e apartamentit dhe shkallët e pallatit. Për shkak të rrezikut, banorët kanë nisur të largohen nga ndërtesa.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e zonës.
Ndërkohë, autoritetet pritet të sqarojnë rrethanat e shpërthimit dhe të përcaktojnë shkakun e saktë të ngjarjes.






















