
Privilegjet për investitorët strategjikë, shmangia e procedurave standarde të prokurimit në ndërtimin e porteve turistike, konkurrenca e kufizuar në tenderët publikë, informaliteti dhe rreziqet që paraqet Paqja Fiskale janë ndër shqetësimet që Komisioni Europian ngre në raportin e vitit 2026 për Shqipërinë. Në dokumentin e publikuar kete të merkure, Komisioni evidenton gjithashtu rënien e eksporteve industriale për të tretin vit radhazi, mangësitë në realizimin e investimeve publike, pasigurinë e pronësisë dhe rreziqet fiskale që burojnë nga ndërmarrjet shtetërore dhe partneritetet publike-private. Megjithëse vlerëson se Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje për zhvillimin e një ekonomie funksionale tregu dhe ka ruajtur një ritëm të fortë rritjeje ekonomike në vitin 2025, Komisioni konstaton se mjedisi i biznesit vazhdon të ndikohet nga dobësitë në sundimin e ligjit, korrupsioni dhe informaliteti.
Investitorët strategjikë
Komisioni Europian ngre shqetësime për ndryshimet ligjore që u japin privilegje shtesë investitorëve strategjikë në ndërtimin e porteve turistike. “Miratimi i një ligji të unifikuar për investimet është vonuar më tej, ndërsa ligji për investimet strategjike është zgjatur deri në fund të vitit 2026”, thuhet në raport.
Komisioni kujton se Shqipëria është angazhuar, në kuadër të Agjendës së Reformave, të miratojë një ligj të unifikuar për investimet deri në dhjetor 2026, me qëllim sigurimin e kushteve të barabarta të konkurrencës dhe trajtimit të drejtë të investitorëve.
“Ndërkohë, në prill 2026, Shqipëria miratoi një regjim të posaçëm për ndërtimin e porteve turistike, duke u dhënë privilegje shtesë investitorëve strategjikë dhe duke anashkaluar procedurat standarde të prokurimit publik, çka ngre shqetësime për transparencën dhe trajtimin e barabartë”, vlerëson Komisioni. Në kapitullin për prokurimet publike, raporti kërkon që futja e përjashtimeve të reja nga procedurat e tenderimit, si në rastin e ligjit për portet turistike, të shqyrtohet me kujdes.
Tenderët publikë
Rreth 23.5% e tenderëve publikë në vitin 2025 iu dhanë operatorëve që ishin të vetmit ofertues, ndërsa në procedurat me vlerë të lartë kjo përqindje arriti në 29%, sipas Komisionit Europian. Raporti evidenton gjithashtu një nivel të lartë të tenderëve të anuluar, prej 38%. “Në vitin 2025 kishte 5,766 procedura prokurimi, krahasuar me 6,811 në vitin 2024”, thuhet në dokument. Pesha e procedurave të negociuara pa shpallje paraprake mbeti relativisht e qëndrueshme në numër, por u rrit në vlerë, nga 0.4% në vitin 2024 në 2.8% në vitin 2025.
Sipas Komisionit, kriteri i çmimit vazhdon të mbizotërojë në dhënien e kontratave. Kriteret e ofertës ekonomikisht më të favorshme u zbatuan vetëm në 5.5% të procedurave. “Shqipëria duhet të vazhdojë të përqendrohet në forcimin e funksionimit të përgjithshëm të sistemit, për të rritur transparencën, konkurrencën, përputhshmërinë dhe profesionalizimin”, thekson raporti.
Informaliteti
Informaliteti në Shqipëri vlerësohet në rreth një të tretën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore të cituar nga Komisioni Europian. “Dobësitë strukturore vazhdojnë të rëndojnë mbi mjedisin e biznesit në Shqipëri, ku sundimi i ligjit, korrupsioni dhe informaliteti mbeten shqetësimet më të vazhdueshme”, thuhet në raport. Komisioni ndalet veçanërisht te turizmi, ku shumë operatorë të qirave afatshkurtra mbeten jashtë regjistrave zyrtarë. Sipas dokumentit, kjo kufizon mbikëqyrjen dhe bën që punësimi formal dhe të ardhurat tatimore të mbeten prapa rritjes së sektorit. Komisioni kërkon vazhdimin e përpjekjeve për kufizimin e evazionit fiskal dhe zgjerimin e ekonomisë formale.
Eksportet industriale
Eksportet e industrisë përpunuese në Shqipëri ranë për të tretin vit radhazi, ndërsa Komisioni Europian vlerëson se dobësimi i tyre ka karakter strukturor dhe jo thjesht ciklik.“Eksportet e industrisë përpunuese ranë për të tretin vit radhazi, duke treguar një prirje strukturore dhe jo ciklike”, thuhet në raport.Sipas Komisionit, kjo pasqyron përqendrimin e sektorit në aktivitete me vlerë të shtuar të ulët, si dhe rritjen e kostove të inputeve dhe të punës.Raporti evidenton se konkurrueshmëria e Shqipërisë në çmime është përkeqësuar për shkak të forcimit të lekut dhe rritjes së pagave nominale, të cilat kanë rënduar mbi eksportet e mallrave.
Paqja Fiskale
Komisioni Europian ngre shqetësime për Marrëveshjen e Paqes Fiskale, duke evidentuar rreziqet e saj të mundshme për moralin tatimor dhe nevojën për masa mbrojtëse kundër pastrimit të parave. “Marrëveshja e Paqes Fiskale ngre shqetësime për rreziqet e mundshme që paraqet për moralin tatimor, si dhe për nevojën e vendosjes së masave mbrojtëse kundër pastrimit të parave”, thuhet në dokument. Në kapitullin për tatimet, Komisioni shpjegon se marrëveshja u ofron tatimpaguesve që plotësojnë kriteret mundësinë e një regjimi më të lehtë të kontrolleve tatimore për një periudhë të kufizuar. Ajo parashikon gjithashtu mundësinë e rideklarimit të elementeve të pasqyrave financiare me një normë shumë të reduktuar, kundrejt pagesës së një tatimi mbi fitimin të paracaktuar, të bazuar në fitimin e tatueshëm të vitit të mëparshëm, me një marzh rritjeje prej 18%. Komisioni ndalet edhe te falja e detyrimeve tatimore dhe doganore, duke vlerësuar se masa pritet të sjellë të ardhura shtesë dhe të ulë stokun e detyrimeve, por paraqet rreziqe për përmbushjen e detyrimeve tatimore në të ardhmen.
Investimet publike
Komisioni Europian konstaton se përmirësimet në kuadrin rregullator të menaxhimit të investimeve publike nuk janë shoqëruar ende me përmirësime përkatëse në zbatimin e tyre. “Planifikimi dhe zbatimi i projekteve vazhdojnë të pengohen nga kufizimet e kapaciteteve, përgatitja e pamjaftueshme e projekteve, tejkalimet e kostove dhe mangësitë procedurale”, thuhet në raport. Sipas Komisionit, mosrealizimi i përsëritur i shpenzimeve kapitale sipas planit evidenton vështirësitë në zbatimin praktik të kuadrit të reformuar. Raporti thekson gjithashtu se qeveria ka vazhduar praktikën e ndryshimit të buxhetit përmes një numri të madh aktesh normative, pa shqyrtim parlamentar, duke dobësuar mbikëqyrjen dhe transparencën buxhetore. Komisioni kërkon rikthimin e proceseve të rregullta të rishikimit të buxhetit përmes Parlamentit.
Kreditimi bujqësor
Bujqësia përfiton vetëm 2% të kredive të dhëna për bizneset, sipas raportit të Komisionit Europian. Dokumenti evidenton programin e financimit të Bankës së Shqipërisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të nisur në fillim të vitit 2025, i cili synon të përmirësojë aksesin në kredi, veçanërisht për bujqësinë. Në kuadër të programit, 250 milionë euro financim kanalizohen përmes bankave tregtare, të mbështetura nga një garanci sovrane prej 30 milionë eurosh, që mbulon deri në 70% të principalit të kredisë. Programi u zgjat deri në vitin 2027 dhe u zgjerua për të përfshirë fermerët me numër identifikimi fiskal. Komisioni thekson se është e rëndësishme që skema të jetë plotësisht në përputhje me standardet e përshtatshme të qeverisjes, mbikëqyrjes dhe rregullimit.
Ndërmarrjet shtetërore
Ndërmarrjet shtetërore vazhdojnë të paraqesin rreziqe të konsiderueshme fiskale, ndërsa qeverisja e tyre ka nevojë për përmirësim, sipas Komisionit Europian. “Rreziqet fiskale burojnë kryesisht nga kreditë dhe garancitë e qeverisë për ndërmarrjet shtetërore dhe PPP-të, veçanërisht në sektorin energjetik, ku është përqendruar mbi 80% e borxhit të garantuar”, thuhet në raport. Stoku i përgjithshëm i garancive zbriti në 1.1% të PBB-së në vitin 2025. Komisioni vëren se Ministria e Financave vijoi monitorimin e 12 ndërmarrjeve shtetërore dhe se në qershor 2026 u miratua një vendim për forcimin e transparencës në përzgjedhjen dhe funksionimin e bordeve mbikëqyrëse. Gjithsesi, sipas raportit, forcimi i mbikëqyrjes dhe transparencës së raportimit financiar mbetet thelbësor për kufizimin e rreziqeve fiskale.
Pronësia
Pasiguria juridike dhe mangësitë në administrimin e pronësisë vazhdojnë të rëndojnë mbi klimën e investimeve në Shqipëri. “Bizneset vënë shpesh në pikëpyetje transparencën e statusit të investitorit strategjik, PPP-ve dhe kontratave koncesionare”, thuhet në raport. Komisioni vlerëson se protestat e fundit lidhur me projekte të mëdha turistike dhe zhvillime në zonat bregdetare kanë nxjerrë më tej në pah dobësitë në sigurinë juridike, pronësinë e tokës dhe garancitë mjedisore. Deri në qershor 2026, Shqipëria kishte përfunduar dixhitalizimin e rreth 4.3 milionë kartelave të pasurive. Nga ana tjeter, “regjistrimi i paplotë dhe me mospërputhje i pronave vazhdon të pengojë investimet, duke krijuar pasiguri mbi pronësinë dhe mosmarrëveshje”, thekson Komisioni.
Produktiviteti
Megjithëse ekonomia shqiptare ka përfituar nga rritja e turizmit dhe integrimi me tregun europian, Komisioni evidenton se produktiviteti i ulët mbetet një pengesë për përafrimin ekonomik me BE-në. Eksportet e shërbimeve, veçanërisht ato të udhëtimit, janë më shumë se dyfishuar ndërmjet viteve 2019 dhe 2024 dhe përbëjnë tashmë rreth 80% të eksporteve totale, sipas raportit. “Pavarësisht rritjes së fortë dhe integrimit të vazhdueshëm në BE, potenciali i Shqipërisë për konvergjencë mbetet i kufizuar nga produktiviteti i ulët, kapaciteti i dobët inovativ dhe pjesëmarrja e kufizuar në segmentet me vlerë të shtuar më të lartë të zinxhirëve europianë të vlerës”, vlerëson Komisioni Europian. Raporti konstaton gjithashtu se industria dhe bujqësia mbeten sektorë me produktivitet të ulët, që kanë ardhur duke u tkurrur, ndërsa mungesa e aftësive profesionale dhe boshllëqet në infrastrukturë vazhdojnë të kufizojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare./Monitor.al/






















