
Pas Akademisë së Barinjve të Frida Krifcës, qeveria shqiptare ka një tjetër nismë për t’u prezantuar qytetarëve. Këtë herë, ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka vendosur në qendër të vëmendjes të moshuarit, për të cilët premton një Këshill Kombëtar dhe promovon një linjë telefonike falas këshillimi.
Në një vend ku pensionet mbeten të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e përditshme dhe ku aksesi në shërbimet shëndetësore vazhdon të jetë një shqetësim serioz, ministrja e Shëndetësisë ka zgjedhur të flasë për mekanizma përfaqësimi, plane kombëtare dhe këshillim telefonik.
Gjatë Konferencës Kombëtare mbi Moshimin Aktiv dhe Gjithëpërfshirës, Spahiu njoftoi se në kuadër të Planit Kombëtar të Veprimit për Moshimin 2025–2030 parashikohet ngritja e Këshillit Kombëtar të të Moshuarve, një strukturë që, sipas saj, do të mundësojë dëgjimin e shqetësimeve dhe përfshirjen e kësaj kategorie në hartimin e politikave.
Ministrja përmendi gjithashtu Linjën Falas të Këshillimit për të Moshuarit, përmes së cilës ofrohet informacion dhe orientim, veçanërisht për ata që jetojnë në zona të largëta.
Por a e kupton kushdo që ulet në karrigen e ministrit të Shëndetësisë se ky është një nga sektorët më delikatë të qeverisjes dhe se problemet e të moshuarve nuk zgjidhen me numra telefoni dhe këshilla?
Një pensionist që nuk përballon dot ilaçet, që pret për një ekzaminim apo që ka nevojë për trajtim të specializuar, nuk ka si shqetësim kryesor mungesën e një këshilli ku të dëgjohet zëri i tij. Ai ka nevojë për shërbim mjekësor, ilaçe të përballueshme dhe të ardhura që i garantojnë një pleqëri dinjitoze.
Sigurisht, një linjë këshillimi mund të ndihmojë në orientimin e qytetarëve dhe një këshill përfaqësues mund të ketë funksionin e vet. Por këto nuk mund të shiten si përgjigjja kryesore ndaj problemeve shumë më të rënda që përballojnë të moshuarit shqiptarë.
Spahiu njoftoi gjithashtu se përmes Fondit Social janë mbështetur 98 shërbime të reja, nga të cilat 25 për të moshuarit, ndërsa në Buxhetin 2027 synohet vijimi i financimit të tyre.
Një tjetër masë e prezantuar është zgjerimi i kontrollit mjekësor falas përmes heqjes së kufirit të sipërm të moshës, si dhe ngritja e shërbimit të Geriatrisë në QSUT, me synimin për ta shtrirë më pas në katër spitale bashkiake.
Por përtej planeve dhe premtimeve, mbetet pyetja se çfarë ndryshon konkretisht në jetën e një pensionisti që sot duhet të zgjedhë mes shpenzimeve të jetesës dhe kujdesit për shëndetin.
Sepse problemi nuk është se qeveria nuk e dëgjon zërin e të moshuarve. Problemi është nëse u përgjigjet nevojave të tyre.
Dhe pas kaq shumë vitesh premtimesh për shëndetësi më të mirë, pensione më dinjitoze dhe kujdes social, të moshuarit shqiptarë meritojnë më shumë sesa një numër telefoni ku mund të tregojnë hallet që shteti duhet t’ua zgjidhë.






















