Politika 4 November 2026, 15:13 Nga VNA

Progres-Raporti i KE/ Rama feston “dëftesën” e BE-së, por kapërcen faqet për korrupsionin, drejtësinë dhe Ballukun

Ndaje në Whatsapp

Progres-Raporti i KE/ Rama feston “dëftesën” e BE-së,

Kryeministri Edi Rama e ka pritur me entuziazëm publikimin e Progres-Raportit të Komisionit Europian për vitin 2026, duke e cilësuar si një tjetër moment krenarie për Shqipërinë. Por, ndërsa kreu i qeverisë feston “dëftesën” e Brukselit, në leximin e tij duket se kanë mbetur jashtë vëmendjes disa prej vërejtjeve më serioze për korrupsionin, ndërhyrjet në drejtësi dhe funksionimin e institucioneve.

“Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian”, shkruan Rama.

Por dëftesa që kryeministri e paraqet me kaq krenari nuk përmban vetëm nota pozitive. Komisioni Europian vlerëson përparimin në negociatat e anëtarësimit, por evidenton njëkohësisht problematika serioze në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë, funksionimin e Kuvendit dhe lirinë e medias.

Një nga çështjet që e bën edhe më domethënës entuziazmin e kryeministrit është rasti i ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Në raportin e korrikut 2026 për sundimin e ligjit, Komisioni Europian ngriti shqetësime për refuzimin e Kuvendit për t'i hequr imunitetin parlamentar një deputeteje të hetuar për shkelje të barazisë në tendera, duke paralajmëruar për pasojat mbi kontrollin dhe balancën e pushteteve, si dhe barazinë përpara ligjit.

Bëhet fjalë për çështjen Balluku, për të cilën mazhoranca socialiste rrëzoi në mars kërkesën e SPAK-ut për autorizimin e arrestimit. Komisioni Europian evidentoi gjithashtu shqetësimet për ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mund të pengonin efektivitetin e hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë dhe të krijonin perceptimin e pandëshkueshmërisë.

Pra, ndërsa Rama flet për një tjetër hap drejt Europës, institucionet europiane kanë ngritur pikëpyetje pikërisht për mënyrën se si mazhoranca e tij ka trajtuar një nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë.

Ndërkohë, në Progres-Raportin e nëntorit, Brukseli evidenton përpjekjet e politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.

As Kuvendi nuk u ka shpëtuar kritikave. Komisioni Europian evidenton moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore dhe politizimin e emërimeve në institucionet e pavarura. Megjithatë, këto pjesë të dëftesës nuk gjetën vend në mesazhin festiv të kryeministrit.

Një tjetër kapitull që nuk përmendet në reagimin e Ramës është liria e medias. Raporti evidenton lidhjet mes politikës, biznesit dhe pronarëve të mediave, mungesën e transparencës së financimeve, fushatat denigruese ndaj gazetarëve dhe paditë që synojnë të pengojnë punën e tyre.

Në postimin e tij, Rama pranon se problematikat e përditshme mbeten aktuale dhe premton se ato do të kenë vëmendjen e qeverisë. Por, në vend që të ndalet konkretisht te kritikat e Brukselit, kryeministri zgjedh të paralajmërojë për rrezikun e “dasive, mllefeve e gjelozive”, të cilat, sipas tij, mund të pengojnë rrugëtimin europian.

Në fund, Rama e mbyll mesazhin me thirrjen “Kokën lart dhe përpara Shqipëri”.

Por, përtej entuziazmit të kryeministrit, pyetja mbetet: A mjafton të ngresh kokën lart drejt Europës, nëse nuk sheh problemet që Brukseli t'i ka renditur në letër?

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme