Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka folur mbrëmjen e sotme për përplasjen mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe për takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me kryebashkiakun në burgun e Fierit.
Gjatë një interviste në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, Ndreca deklaroi se po shqyrtohet edhe mundësia e paraqitjes së një kallëzimi ndaj ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
“Jemi duke e vlerësuar. Nuk kemi dalë ende në konkluzion”, u shpreh Ndreca.
Sipas avokatit të Veliajt, ministri Gogu ka shkelur ligjin duke shkuar në institucionin e vuajtjes së dënimit për të takuar një të pandehur dhe duke qëndruar për rreth një orë e gjysmë me të në zyrën e drejtorit të burgut.
I pyetur nëse ekziston mundësia që biseda mes Veliajt dhe Gogut të jetë regjistruar, Ndreca tha se nuk ka dijeni për një gjë të tillë, por theksoi se një regjistrim i mundshëm do të ishte i rëndësishëm.
“Nuk e kam idenë. Do të ishte shumë mirë të ishte e regjistruar. E vetmja mundësi që të jetë e regjistruar biseda, është që ta ketë regjistruar administrata e burgut apo zoti Gogu. Unë nuk e kam ende atë provë, ai mbase”, deklaroi Ndreca, duke përjashtuar mundësinë që regjistrimi të jetë kryer nga Erion Veliaj.
Në vijim të intervistës, avokati foli edhe për kërcënimet dhe presionet që, sipas tij, i janë bërë nga kryeministri Edi Rama, duke theksuar se nuk ndien frikë.
“Nuk kam asnjë frikë sepse jam shumë i qartë për çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Nuk ndiej frikë. Bisedat janë pjesë e një komunikimi që nuk është normal për Kryeministrin e një vendi”, u shpreh ai.
Ndreca dha gjithashtu detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të Erion Veliajt në burg. Sipas tij, kryebashkiaku i Tiranës prej rreth dy muajsh lëviz me patericë, pasi ka dëmtuar këmbën gjatë një ndeshjeje futbolli, në kohën kur ndodhej në paraburgimin e Durrësit.






















