Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përfshirë në një tjetër polemikë, pas pretendimeve se ka shfrytëzuar lidhjet e tij me presidentin amerikan Donald Trump për të ndihmuar një punonjëse të tij të qëndronte dhe të punonte ligjërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas gazetës amerikane New York Post, bëhet fjalë për 33-vjeçaren Yajarlin del Socorro Fernandez, me origjinë nga Nikaragua, e cila punonte në rezidencën private të Infantinos në Miami. Leja e saj e qëndrimit ishte revokuar pas vendimit të administratës Trump, në qershor të vitit 2025, për të anuluar marrëveshjet me katër vende të Amerikës Qendrore. Megjithatë, sipas raportimeve, Fernandez kishte vazhduar të figuronte në listën e pagave të presidentit të FIFA-s.
Infantino dyshohet se kishte kërkuar ndihmën e ish-presidentit të Federatës Amerikane të Futbollit, Carlos Cordeiro, për të mundësuar vazhdimin e qëndrimit të saj në Florida. Dyshime janë ngritur edhe lidhur me dokumentacionin e saj të emigracionit. Një aplikim për autorizim pune të kategorisë C11, i miratuar në fillim të vitit 2026, më pas ishte tërhequr. Sipas raportimeve, Fernandez dyshohet se kishte deklaruar një adresë të ndryshme nga ajo ku banonte realisht, në rezidencën luksoze të Infantinos në kompleksin One Thousand Museum në Miami.
Ndërkohë, Infantino po përballet edhe me kërkesa për më shumë transparencë nga drejtues të UEFA-s për disa çështje financiare dhe administrative, përfshirë projektin e dështuar “FIFA Forward Enterprises”, propozimin për përfshirjen e investitorëve privatë në të ardhurat e Kupës së Botës dhe vendimin për t’i dhënë Donald Trumpit çmimin e parë të Paqes të FIFA-s.
Sipas raportimeve, FIFA u ka kërkuar anëtarëve të Këshillit të udhëtojnë në Zyrih për të shqyrtuar dokumentacionin përkatës, pa u lejuar të fotografojnë dokumentet apo të publikojnë përmbajtjen e tyre.
Në këtë situatë, ish-futbollisti i Tottenhamit, Ramon Vega, ka shpallur kandidaturën për presidencën e FIFA-s, duke synuar të sfidojë Infantinon në zgjedhjet që pritet të mbahen gjatë Kongresit të 77-të të organizatës, në Rabat të Marokut.






















