Katër shtetas shqiptarë janë dënuar me burg në Angli për përfshirje në një seri vjedhjesh banesash në Londër, ku objektiv kryesor ishin familjet me origjinë nga Azia Jugore. Në një hetim të veçantë është dënuar edhe një shtetas britanik, i përfshirë në veprimtari të ngjashme kriminale. Sipas Policisë Metropolitane të Londrës, autorët dyshohej se zgjidhnin qëllimisht banesat e këtyre familjeve, me besimin se brenda tyre mund të gjenin bizhuteri, para dhe sende të tjera me vlerë.
Çlirim Ferizi, 26 vjeç, banues në Harrow, është dënuar me dy vite burg nga Gjykata Mbretërore e Isleworth, më 20 gusht. Bashkëpunëtori i tij, Oresti Saliaj, 40 vjeç, banues në Brent, ishte dënuar më herët me tre vite e gjashtë muaj burg, më 22 prill.
Hetimet zbuluan se të dy ishin përfshirë në disa vjedhje banesash gjatë muajve janar dhe shkurt.
Më 30 janar, Saliaj dhe një person tjetër hynë me forcë në një banesë në Barnet, ku vodhën një orë Rolex me vlerë 7 mijë paund, si dhe bizhuteri e çanta të tjera.
Më 27 shkurt, Ferizi dhe Saliaj kryen një tjetër vjedhje në Ruislip, ndërsa një ditë më vonë hynë në një banesë në Harrow, por u larguan pa marrë sende me vlerë.
Një rol vendimtar në identifikimin e autorëve patën kamerat e sigurisë dhe kartat Oyster, të cilat përdoren për transportin publik në Londër.
Pavarësisht se autorët përdornin maska për të fshehur identitetin, policia arriti të rindërtonte lëvizjet e tyre përpara dhe pas vjedhjeve.
Të dhënat e udhëtimeve me autobus dhe metro, së bashku me pamjet filmike, provat e ADN-së dhe informacionet nga telefonat celularë, ndihmuan hetuesit të lidhnin dy shqiptarët me ngjarjet.
Ferizi dhe Saliaj u arrestuan më 23 mars. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi kartat e tyre të transportit, të cilat u përdorën si prova në hetim.
Në një tjetër hetim, Policia Metropolitane identifikoi dy shqiptarë të tjerë, Dionis Hetaj, 35 vjeç, dhe Arben Cuka, 31 vjeç, të përfshirë në një seri vjedhjesh në zonën e Hayes.
Edhe në këto raste, objektiv ishin banesat e familjeve nga komuniteti i Azisë Jugore. Hetaj u arrestua më 19 janar, pasi policia e gjeti në çatinë e një banese në Ealing, ku po përpiqej t’i shpëtonte arrestimit. Gjatë kontrollit iu gjetën një levë hekuri dhe sende të vjedhura. Ndërkohë, Cuka u arrestua më 4 mars. Të dy u dënuan më 23 prill nga Gjykata Mbretërore e Isleworth, me një total prej pesë vitesh burgim.
Në një hetim të veçantë, autoritetet britanike dënuan edhe Patrick Doherty, 24 vjeç, banues në Haringey, i identifikuar si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje banesash në Londër dhe zonat përreth.
Ai u arrestua më 16 tetor 2025, pas një operacioni policor, dhe u dënua më 22 qershor me tre vite e nëntë muaj burgim nga Gjykata Mbretërore e Kingston.
Rreshteri i detektivëve Ross Smith, i cili drejtoi një nga hetimet, deklaroi se autorët kishin shënjestruar qëllimisht familjet në banesat e tyre, duke u shkaktuar frikë dhe shqetësime emocionale. Ai theksoi se përdorimi i teknologjisë, kamerave të sigurisë dhe të dhënave të transportit publik ishte vendimtar për zbardhjen e rasteve.
Sipas Policisë Metropolitane, vjedhjet në banesa në Londër kanë shënuar një ulje prej 6% gjatë vitit të fundit, si rezultat i shtimit të patrullimeve dhe masave të posaçme kundër kriminalitetit. Në total, katër shtetasit shqiptarë janë dënuar me 10 vite e gjashtë muaj burgim, ndërsa shtetasi britanik me tre vite e nëntë muaj burgim, në çështje të veçanta gjyqësore.






















