
Avokati i njohur Saimir Vishaj ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare, pas disa ditësh në gjendje kritike shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Vishaj ishte shtruar në spital pas një rrëzimi nga shkallët, ku kishte pësuar dëmtime të rënda. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai ishte intubuar dhe ndodhej nën kujdesin intensiv të mjekëve, por pavarësisht përpjekjeve, nuk ka arritur të mbijetojë.
Rrethanat e plota të incidentit që i shkaktoi dëmtimet mbeten ende të paqarta.
Në gusht të vitit 2025, Vishaj kishte treguar publikisht se kishte kaluar një sëmundje të rëndë, e cila e kishte detyruar të qëndronte për një periudhë në gjendje kome dhe i intubuar. Në atë kohë, ai kishte arritur të rikuperohej.
Saimir Vishaj ishte një nga emrat e njohur të avokatisë penaliste në Shqipëri. Ai e ushtronte profesionin e avokatit që prej vitit 1998 dhe kishte mbajtur disa funksione të rëndësishme në strukturat përfaqësuese të avokatisë.
Nga viti 2009 deri në vitin 2021, Vishaj drejtoi Shoqatën e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, ndërsa ishte edhe anëtar i organeve drejtuese të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Ai kishte qenë gjithashtu anëtar i Komisionit të Monitorimit të Reformës në Drejtësi gjatë viteve 2018–2020, si dhe pedagog në Universitetin “Luarasi” në Tiranë.






















