
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e një kallëzimi penal lidhur me kërcënimet që, sipas kryebashkiakut të Tiranës, i janë përcjellë në emër të kryeministrit Edi Rama nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu.
Në një prononcim për mediat, Ndreca bëri të ditur se për pretendimet e Veliajt janë informuar edhe avokatët e huaj, ndërsa theksoi se çdo vendimmarrje kërkon miratimin e klientit të tij.
“Jemi duke e vlerësuar kallëzimin penal. Duhet të më mirëkuptoni edhe vështirësinë në komunikimin me Veliajn, sepse më duhet të shkoj çdo ditë 300 kilometra kur e kam të mundur. Janë çështje që nuk mund të bëhen pa konfirmimin e klientit. Janë bërë me dije edhe avokatët e huaj dhe po e vlerësojmë”, deklaroi Ndreca.
Avokati zbuloi gjithashtu se rreth 20 ditë më parë kishte zhvilluar një komunikim me kryeministrin Edi Rama, të cilit i kishte bërë të qartë se mbrojtjen ligjore të Veliajt do ta vendoste mbi interesat politike, pavarësisht pasojave që mund të kishte ky qëndrim për të.
Sipas Ndrecës, përballë një përplasjeje të mundshme mes interesave të tij si drejtues politik i Partisë Socialiste në Tiranë dhe detyrimit për të mbrojtur Veliajn, zgjedhja e tij do të ishte në favor të këtij të fundit.
“Kjo mund të më kushtojë, por është më e rëndësishme të mbrohen të drejtat e njeriut. Nëse ndodh një gjë e tillë, unë do të jem në krah të Veliajt. Unë këtë ia kam thënë Edi Ramës që para 20 ditësh”, u shpreh avokati, duke paralajmëruar se në momentin e duhur do të bëjë publike edhe detaje të komunikimit me kryeministrin.
Ndreca komentoi edhe pretendimet për financimin e protestave, duke mohuar përfshirjen e tij dhe duke theksuar se Veliaj i ka kërkuar publikisht Ramës të paraqesë prova për akuzat e ngritura.
Një tjetër çështje e trajtuar nga avokati ishte takimi i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me Veliajn në ambientet e burgut. Sipas tij, kryebashkiaku nuk kishte kërkuar një takim të tillë, ndërsa vuri në pikëpyetje ligjshmërinë e zhvillimit të tij në zyrën e drejtorit të institucionit.
“Nuk ka të drejtë ministri i Drejtësisë të takojë një të pandehur që është nën gjykim nga gjykata dhe nuk mund të takohet në zyrën e drejtorit të burgut. Nëse ka për qëllim inspektimin, duhet të shkojë në qeli, por jo të zhvillojë takim me të pandehurin”, deklaroi Ndreca.
I pyetur nëse përplasja mes Ramës dhe Veliajt do të bëhet pjesë e argumenteve të mbrojtjes në Strasburg, avokati theksoi se çdo veprim me ndikim në veprimtarinë politike, institucionale apo në të drejtat dhe liritë e kryebashkiakut është përdorur dhe do të përdoret në proceset ligjore.
Deklaratat e Plarent Ndrecës erdhën pas shtyrjes së seancës gjyqësore ndaj Erion Veliajt për më 17 nëntor.






















