Kronika 2 November 2026, 14:58 Nga VNA

Nga trafiku i kokainës te blerja e bareve dhe restoranteve në Venecia, media italiane: Klanet shqiptare me lidhje me ‘Ndranghetën’

Ndaje në Whatsapp

Nga trafiku i kokainës te blerja e bareve dhe restoranteve në Venecia,

Grupet kriminale shqiptare po zgjerojnë aktivitetin e tyre në Itali, duke kaluar nga trafiku i narkotikëve drejt investimeve në biznese të ligjshme. Paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale dyshohet se po përdoren për blerjen e bareve, restoranteve dhe pasurive të paluajtshme në Venecia, duke ngritur shqetësime për pastrimin e parave.

Alarmi ngrihet nga gazeta italiane “Il Gazzettino”, e cila në një investigim mbi aktivitetin e klaneve shqiptare në rajonin e Venetos evidenton ndikimin e tyre në trafikun e drogës dhe depërtimin e dyshuar në ekonominë lokale.

Sipas medias italiane, organizatat kriminale shqiptare prej vitesh luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin me shumicë të tregut të kokainës dhe marijuanës. Ato funksionojnë përmes rrjeteve të organizuara, ku drejtuesit shpesh qëndrojnë jashtë Italisë, ndërsa shpërndarja e narkotikëve realizohet nga persona të tjerë në terren.

Investigimi sjell në vëmendje disa operacione policore të zhvilluara gjatë vitit 2026. Në Tiranë u arrestua një 45-vjeçar shqiptar, i kërkuar që prej vitit 2022, i dyshuar si drejtues i një rrjeti që furnizonte me kokainë tregun e Venecias. Një tjetër shqiptar, 39 vjeç, u arrestua në Dubai, pas shtatë vitesh në kërkim, nën dyshimin se drejtonte një organizatë kriminale që vepronte në disa zona të provincës së Venecias.

Ndërkohë, në Spinea, autoritetet italiane arrestuan një 21-vjeçar shqiptar, të cilit iu sekuestruan dy pistoleta dhe rreth 370 gramë lëndë narkotike. Në një tjetër operacion në zonën Frari, në qendrën historike të Venecias, policia zbuloi një ambient për përpunimin dhe paketimin e kokainës, duke arrestuar një shqiptar rreth 30 vjeç dhe sekuestruar afro një kilogram drogë.

Sipas raporteve të Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA), grupet kriminale shqiptare konsiderohen ndër organizatat e huaja më të fuqishme në rajonin e Venetos. Ato karakterizohen nga struktura të bazuara në lidhje familjare dhe farefisnore, të cilat vështirësojnë depërtimin e hetuesve dhe identifikimin e drejtuesve të tyre.

Megjithatë, shqetësimi më i madh i autoriteteve italiane lidhet me investimin e kapitaleve të dyshimta në ekonominë e ligjshme. Sipas një hetuesi të cituar nga “Il Gazzettino”, një familje shqiptare po blen bare dhe restorante në qendrën historike të Venecias, ndërsa pagesat realizohen përmes transfertave bankare nga Tirana.

Hetuesit dyshojnë se këto fonde mund të kenë origjinë nga trafiku i narkotikëve. Në Verona, hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e kompanive fiktive për të fshehur blerjen e pronave, apartamenteve me qira dhe aktiviteteve tregtare.

Një tjetër element i evidentuar nga media italiane është bashkëpunimi mes grupeve kriminale shqiptare dhe organizatave tradicionale mafioze italiane, veçanërisht ‘Ndranghetës. Sipas raportimeve që u referohen autoriteteve antimafia, këto lidhje mbështeten në interesa të përbashkëta logjistike dhe në furnizimin me lëndë narkotike.

‘Ndrangheta ka një prani të konsiderueshme në provincat e Veronës, Padovës dhe Viçencës, ndërsa Camorra vepron në pjesën lindore të provincës së Venecias.

Autoritetet italiane paralajmërojnë se depërtimi i kapitaleve me origjinë të dyshuar kriminale në bizneset e ligjshme përbën një sfidë për ekonominë lokale dhe për strukturat e luftës kundër krimit të organizuar. Hetimet synojnë të zbulojnë jo vetëm rrjetet e trafikut të drogës, por edhe mekanizmat financiarë përmes të cilëve fitimet e paligjshme dyshohet se futen në qarkullimin ekonomik.

Video

Fakulteti i Mjekësisë bojkoton mësimin për t'iu bashkuar protestës studentore.

“Do të të kalb në burg” / Zbardhet mesazhi që pretendohet se Gogu i çoi Veliajt në emër të Ramës

Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, studentët marshojnë drejt Fakultetit të Mjekësisë.

E fundit nga radha, por e para nga gafat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme