Një grabitje me armë ka ndodhur në një degë të bankës Raiffeisen pranë kompleksit Kika, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Një person i armatosur, me fytyrën të mbuluar me shall, ka hyrë në bankë dhe fillimisht i ka drejtuar armën rojes, për ta penguar të ndërhynte.
Më pas, ai i ka vendosur armën në kokë arkëtares dhe, nën kërcënimin e saj, ka marrë paratë që ndodheshin në arkë. Shuma e grabitur ende nuk është përcaktuar.
Pasi ka dalë nga banka, autori është larguar me monopatinë në drejtim të stadiumit “Dinamo”.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 10:45, në zonën e Komunës së Parisit, një shtetas i maskuar ka hyrë në ambientet e një banke të nivelit të dytë dhe, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë, dyshohet se ka marrë një shumë parash.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë ngritur pika kontrolli dhe janë orientuar të gjitha shërbimet policore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rastit.






















