
Prokuroria e Posaçme ka përfshirë në dosjen e saj hetimore tenderin për ndërtimin e rrugës Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi), një projekt infrastrukturor për të cilin janë ngritur dyshime për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në prokurimet publike. Në të njëjtën dosje figuron edhe emri i biznesmenit Ram Geci, i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve.
Sipas dokumenteve hetimore, për procedurën e Porto Romanos përmenden ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, si dhe Arlinda Gordani dhe Miranda Shkurti, të dyshuara për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, në bashkëpunim.
Hetimi për këtë projekt kishte nisur më 23 maj 2023, ndërsa më 26 shkurt 2026 SPAK vendosi bashkimin e tij me procedimin penal “nr. 136 të vitit 2025”, pjesë e të cilit janë edhe tendera të tjerë të rëndësishëm infrastrukturore.
Në dokumentacionin e administruar nga Prokuroria e Posaçme, Ram Geci përmendet si person i dyshuar për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve, më shumë se një herë. Megjithatë, nga pjesët e disponueshme të dosjes nuk përcaktohet nëse kjo vepër e dyshuar lidhet drejtpërdrejt me tenderin e Porto Romanos.

Përtej dyshimeve të regjistruara nga SPAK, në dosje janë dokumentuar edhe komunikime mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, të bëra publike më herët, të cilat tregojnë se projekti i Porto Romanos ishte diskutuar përpara shpalljes së tenderit.
Më 24 gusht 2021, në orën 13:49, Balluku i dërgon Berberit një mesazh në WhatsApp, ku i shkruan:
“KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”.
Dy minuta më vonë, Berberi i përgjigjet në aplikacionin Signal, duke i treguar se e kishte takuar biznesmenin rreth një orë më parë, gjatë një vizite në kantierin e Unazës.
“E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”, shkruan Berberi.
Balluku i tregon se ndodhet në shtëpi, e sëmurë me virozë, por biseda vijon menjëherë me një pyetje që lidhet me projektin e Porto Romanos.
“Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”, shkruan ajo në orën 13:52.
Berberi i përgjigjet: “15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”.
Vetëm tri javë pas këtij komunikimi, më 15 shtator 2021, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës Porto Romano–Durrës, Loti 3 (vazhdimi).
Më 22 nëntor 2021, në Buletinin nr. 167 të Agjencisë së Prokurimit Publik, u publikua vlerësimi i ofertave, ku rezultoi e kualifikuar shoqëria “Geci” sh.p.k.
Pas përfundimit të procedurës, kompania u shpall fituese dhe lidhi kontratën me Autoritetin Rrugor Shqiptar për realizimin e punimeve. Sipas të dhënave të administruara nga SPAK, shoqëria “Geci” sh.p.k. ka si ortak të vetëm dhe administrator biznesmenin Ram Geci.
Kronologjia e ngjarjeve, nga komunikimet e gushtit deri te shpallja e fituesit në nëntor, merr një tjetër rëndësi në dritën e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme. Hetimet për Porto Romanon janë pjesë e një dosjeje më të gjerë, ku SPAK po shqyrton veprimet e zyrtarëve publikë dhe operatorëve ekonomikë në procedura të ndryshme prokurimi, ndërsa përgjegjësitë penale mbeten për t'u përcaktuar nga drejtësia.
Ram Geci është një nga biznesmenët më të fuqishëm në vend, i cili ka përfituar kontrata të rëndësishme tenderash publikë dhe leje të mëdha ndërtimi nga autoritetet. Ai gjithashtu është pronar i kullës luksoze "InterContinental Tirana" në qendër të kryeqytetit.






















