
Ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dolën bashkë në një konferencë për shtyp për të bërë bilancin e protestave të javëve të fundit, por dhanë dy mesazhe të ndryshme për dhunën dhe përgjegjësitë. Ndërsa ministri pranoi një bilanc shqetësues të qytetarëve të lënduar dhe konfirmoi pezullimin e shtatë efektivëve të policisë, drejtori u përqendrua te dhuna e protestuesve dhe identifikimi i 52 personave të dyshuar.
Dallimi i parë lidhet me përgjegjësinë për dhunën. Demo deklaroi se gjatë javëve të fundit janë lënduar 347 persona, mes tyre 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë gazetarë. Ai i cilësoi shifrat një kambanë alarmi për nivelin e dhunës dhe trajtimin proporcional të situatës nga Policia e Shtetit.
Madje ministri konfirmoi se shtatë punonjës policie janë pezulluar dhe janë nën hetim, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po shqyrton dhjetëra raste të referuara nga qytetarët.
Nga ana tjetër, Skënder Hita nuk u ndal te rastet e policëve të pezulluar apo hetimet për veprimet e efektivëve. Ai njoftoi se janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme, materialet për të cilët i janë përcjellë Prokurorisë.
Dallimi i dytë lidhet me proporcionalitetin e ndërhyrjeve policore. Ministri foli për nevojën e trajtimit proporcional të protestave dhe për masat disiplinore e hetimore ndaj policëve, ndërsa drejtori u mjaftua të garantonte se Policia do të zbatojë parimin e proporcionalitetit ndaj personave që ushtrojnë dhunë dhe cenojnë pronën publike apo private.
Në njërën anë, ministri pranon se veprimet e policisë janë objekt hetimesh. Në anën tjetër, drejtori flet për proporcionalitetin si detyrim që institucioni do ta përmbushë, pa iu referuar rasteve konkrete që po hetohen.
Dallimi i tretë është qëndrimi ndaj gazetarëve. Demo i përfshiu punonjësit e medias mes kalimtarëve të lënduar gjatë protestave. Hita, ndërkohë, e cilësoi median partnere të rëndësishme të Policisë dhe kërkoi forcimin e koordinimit në terren për garantimin e sigurisë së gazetarëve, operatorëve dhe fotoreporterëve.
Por në deklaratën e drejtorit mungoi një shpjegim për rastet e gazetarëve të lënduar dhe përgjegjësinë e mundshme të efektivëve të policisë.
Edhe për përfshirjen e të miturve, dy drejtuesit përdorën qasje të ndryshme. Ministri njoftoi se 269 persona nën moshën 18 vjeç janë shoqëruar gjatë protestave, duke kërkuar një përgjigje ndërinstitucionale për këtë fenomen. Drejtori i Policisë iu drejtua prindërve me apelin që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve në situata të dhunshme.
Në fund të së njëjtës konferencë, publiku mori dy bilance: shtatë policë të pezulluar dhe nën hetim nga njëra anë, 52 persona të dyshuar për dhunë nga ana tjetër. Por mbeti pa përgjigje pyetja se kush mban përgjegjësi për 107 protestuesit dhe 39 kalimtarët e lënduar, mes tyre edhe gazetarë.
Sepse të numërosh të lënduarit është statistikë. Të përcaktosh kush i ka lënduar dhe nëse forca e përdorur ka qenë e ligjshme, është përgjegjësi e institucioneve që sot dolën bashkë për të folur për sigurinë e qytetarëve.






















