Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ka komentuar transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, duke ngritur dyshime mbi arsyet dhe rrethanat e kësaj vendimmarrjeje.
Sipas Lalës, transferimi i një personi të paraburgosur është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kryhet mbi bazën e një analize risku, duke marrë parasysh nivelin e sigurisë së institucioneve penitenciare dhe rrezikshmërinë e personit.
“Ekskluziviteti për një të paraburgosur i përket Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Kjo bëhet mbi bazën e një analize risku. Për shkak të mënyrës se si funksionon Drejtoria e Burgjeve, ndahen në burgje të sigurisë së lartë, të zakonshme ose të ulët. Për shkak të funksionit, Veliaj është vendosur në atë që njihet si burgu i zyrtarëve, në paraburgimin e Durrësit”, u shpreh Lala.
Gazetarja solli në vëmendje edhe rastin e ish-presidentit Ilir Meta, duke theksuar se ai ka qenë ndër të paktët funksionarë të lartë të mbajtur në institucionin e paraburgimit 313 në Tiranë.
Ajo shpjegoi se vendimi për transferimin e Veliajt është marrë nga drejtuesja e re e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbi bazën e një analize risku. Megjithatë, sipas saj, një nga problematikat kryesore lidhet me mungesën e aktit të transferimit dhe klasifikimin e urdhrit si sekret shtetëror.
“Ligji thotë që personi i paraburgosur duhet të ketë në dispozicion aktin e transferimit, përse transferohet dhe kur do të dërgohet. Në rastin konkret, Veliaj nuk e ka pasur në dispozicion këtë akt të transferimit”, deklaroi gazetarja.
Lala theksoi se, në pamje të parë, procedura mund të duket e rregullt, por fakti që urdhri është klasifikuar sekret shtetëror ngre pikëpyetje mbi arsyet që kanë çuar në transferimin e kryebashkiakut.
“Në pamje të parë, transferimi i Veliajt duket i rregullt, por mendoj se do të tejkalojë Drejtorinë e Burgjeve, pasi tha se urdhri i transferimit klasifikohet sekret shtetëror. Kjo bëhet vetëm kur personi ka hetim të hapur dhe, për shkak të përgjimit apo formave të tjera të dokumentacionit, ka të dhëna dhe indicie që mund t’i shërbejnë një hetimi penal. Nuk e dimë nëse jemi përpara një rasti të tillë”, u shpreh ajo.
Sipas gazetares, në rastet kur Prokuroria ka një hetim të hapur dhe disponon të dhëna për veprimtari të mundshme kriminale, dokumentacioni përkatës mund të klasifikohet. Megjithatë, ajo sqaroi se nuk ka informacion nëse transferimi i Veliajt lidhet me një situatë të tillë.
Lala e lidhi gjithashtu kohën e transferimit me qëndrimet e fundit publike të kryebashkiakut të Tiranës, duke theksuar se reagimet e tij lidhur me protestën dhe kritikat indirekte ndaj kryeministrit Edi Rama i kanë shtuar dyshimet për motivet e vendimit.
“Fakti që erdhi në një moment kur Veliaj reagoi për protestën dhe ishte kritik me Ramën në mënyrë indirekte, më kanë lindur dyshime se nuk është një transferim normal”, deklaroi Lala.
Duke shpjeguar procedurat që ndiqen pas transferimit të një të paraburgosuri, gazetarja tha se personi nuk vendoset menjëherë në një ambient me të dënuarit, por fillimisht mbahet në një dhomë vëzhgimi, ku vlerësohet gjendja e tij fizike, mendore dhe shëndetësore.
Sipas Lalës, pas përfundimit të këtij procesi dhe vlerësimit të rreziqeve të mundshme, autoritetet vendosin për sistemimin e të paraburgosurit në qeli.
Ajo theksoi se, për shkak të funksionit publik që Veliaj ka ushtruar, institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa të veçanta sigurie, jo për ta favorizuar, por për të shmangur çdo rrezik të mundshëm ndaj tij.
“Kur ato binden se nuk ka rrezik potencial për shtetasin Veliaj, Drejtoria e Burgjeve e vendos në qeli të veçantë. Për shkak të funksionit që ka pasur, duhet të trajtohet ndryshe, jo për ta favorizuar, por kur ka funksionarë që mund të bëhen objekt urrejtjeje e me radhë, duhet të qëndrojnë në një qeli më vete”, tha Lala.
Gazetarja u ndal edhe te profili i personave që mbahen në burgun e Fierit, duke deklaruar se në këtë institucion ndodhen persona të përfshirë në çështje të rënda kriminale, përfshirë drejtues të dyshuar të organizatave kriminale, persona të dënuar apo të akuzuar për përdhunime dhe trafik droge.
“Në burgun e Fierit ka personazhe që nga krerët e organizatave kriminale, te përdhunuesit, trafikantët e drogës, e me radhë”, u shpreh ajo.
Lala përmendi gjithashtu se në këtë institucion është transferuar edhe Ergys Agasi, ndërsa mes personave që ndodhen aty përmendi ish-zyrtarë të lartë të policisë, Julian Shpatarakun, persona të lidhur me dosjen “Plumbi i Artë”, si dhe me grupet kriminale të Shkodrës.
Sipas saj, prania e personave me profile të tilla e bën edhe më të rëndësishëm hartimin e një raporti të detajuar sigurie për kryebashkiakun e Tiranës.
Në përfundim, gazetarja theksoi se transferimi i Veliajt nga një institucion paraburgimi në një tjetër nuk përbën domosdoshmërisht një veprim të pazakontë. Megjithatë, ajo nënvizoi se klasifikimi i urdhrit të transferimit si sekret shtetëror është elementi kryesor që i ngre dyshime.






















