
Në mëngjes herët, forcat speciale të Policisë së Burgjeve zbarkuan në paraburgimin e Bradasheshit. Shumë prej “banorëve” menduan se bëhej fjalë për një kontroll të zakonshëm në qeli, në kërkim të sendeve të paligjshme. Por këtë herë, objektivi nuk ishin qelitë. Ishte një personazh i vetëm: Ergys Agasi.
Për të paraburgosurin, i cili akuzohet si kreu i një grupi kriminal brenda AKSHI-t, kishte një urdhër transferimi. Atij iu komunikua se duhej të largohej nga Bradasheshi, por Agasi këmbënguli të njihej më parë me dokumentin dhe destinacionin e tij.
Burime të VNA bëjnë me dije se njeriu i konsideruar si eminenca gri e Edi Ramës u shoqërua në katin e parë të paraburgimit, ku mes tij dhe forcave të Policisë së Burgjeve pati debat. Agasi kërkonte të lexonte urdhrin, ndërsa efektivët e DAP-it kishin detyrën ta zbatonin atë.
Në mesditë, Ergys Agasi, për të cilin janë ngritur edhe dyshime se është ndihmuar të largohet nga vendi prej ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, mbërriti në burgun e Fierit. Pikërisht aty ku, vetëm një ditë më parë, ishte transferuar edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Askush nuk di të thotë ende me siguri se në cilin sektor do të vendoset Agasi. Por një gjë është e qartë: rehatia e tij në Bradashesh ka marrë fund.
Dhe këtu historia e një transferimi të zakonshëm administrativ fillon të marrë tjetër ngjyrë.
Kompetenca për transferimin e një të paraburgosuri i përket Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Por a mundet një drejtoreshë e sapoemëruar të marrë e vetme vendime të kësaj peshe, për dy personazhe kaq të ndjeshme politikisht, brenda vetëm 24 orëve?
Apo urdhrat vijnë nga një zyrë më lart se ajo e Sadleva Bodos?
Indiciet ngrenë pikërisht këtë dyshim, ndonëse mbetet e paqartë nëse pas transferimeve qëndron vetëm drejtoria e Burgjeve apo një vendimmarrje tjetër.
Ndërkohë, përtej debatit mbi urdhrat dhe autorët e tyre, mbetet një përkim politik që tërheq vëmendjen. Dy personazhe të konsideruara si “armiq” të Belinda Ballukut brenda Partisë Socialiste, Erion Veliaj dhe Ergys Agasi, tashmë ndodhen në të njëjtin burg.
Dhe burgu është ai i Fierit.
Qyteti që është edhe territori politik i Belinda Ballukut.
Rastësi administrative apo një lëvizje me mesazh politik? Përgjigjja nuk gjendet ende në urdhrat e transferimit. Por pyetja mbetet: kush vendosi që Veliaj dhe Agasi të përfundonin, njëri pas tjetrit, pikërisht në Fier?






















