Sociale 29 October 2026, 14:52 Nga VNA

Si ndahet torta 2,2 mld euro e investimeve, arsimi dhe shëndetësia marrin vetëm 5%

Ndaje në Whatsapp

Si ndahet torta 2,2 mld euro e investimeve, arsimi dhe shëndetësia

Shpenzimet kapitale në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen të arrijnë në 201.5 miliardë lekë, nga 176.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej 14.4%.

Nga fondi i përgjithshëm, rreth 183.2 miliardë lekë janë të detajuara në listat e projekteve me financim të brendshëm dhe të huaj.

Ndër projektet me fondet më të mëdha janë porti i ri tregtar në Porto Romano, modernizimi i Forcave të Armatosura dhe rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit. Teksa pjesa ma e madhe e investimeve është në transport dhe në ushtri, arsimi dhe shëndetësia së bashku mbeten të nën-fincuara duke marrë së-bashku vetëm 5 për qind të fondit total të investimeve me 2027.

Sipas listës që shoqërojnë projektbuxhetin 2027, investimet me financim të brendshëm arrijnë në 134.8 miliardë lekë, nga 128.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej 5.2%. Investimet me financim të huaj, përmes kredive dhe granteve, parashikohen në 48.4 miliardë lekë, nga 40.2 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej 20.3%.

Rrugët, rreth 30.9 miliardë lekë investime për PPP dhe Korridorin 8

Për programin e transportit rrugor janë planifikuar rreth 30.87 miliardë lekë në vitin 2027, duke përfshirë financimin e brendshëm dhe atë të huaj. Krahasuar me vitin 2026, kur ishin parashikuar rreth 31.41 miliardë lekë, fondet ulen me afërsisht 540 milionë lekë, ose 1.7%.

Pjesën më të madhe të financimit e zënë burimet e brendshme, me 27.93 miliardë lekë, ndërsa financimi i huaj arrin në 2.94 miliardë lekë.

Ndër zërat më të mëdhenj në program mbeten pagesat për kontratat koncesionare rrugore, të cilat arrijnë në rreth 5.2 miliardë lekë. Për kontratën e Rrugës së Arbrit janë parashikuar 3.36 miliardë lekë, ndërsa kontrata e rrugës Porti i Jahteve Orikum–Dukat ka një financim prej rreth 767 milionë lekësh.

Korrdori 8 gjithashtu është në fokus të financimeve. Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë Thanë, merr 1 miliard lekë. Teksa për rivitalizimin e skarpatave në aksin Elbasan–Ura e Bushtricës janë parashikuar 840 milionë lekë, ndërsa për ndërtimin e aksit Ura e Grykshit–Peqin, faza e parë, 800 milionë lekë. Në projektet me financim të huaj, ndërtimi i segmentit Qukës–Qafë Plloçë merr rreth 1.18 miliardë lekë,

Ndërsa ndërtimi i rrugës Kashar–Nyja Vaqarr financohet me rreth 1.77 miliardë lekë për dy fazat e saj. Projekti për përmirësimin dhe rehabilitimin e urave, i mbështetur nga Banka Botërore, financohet me 945 milionë lekë.

Për Bypass-in e Tiranës janë planifikuar 500 milionë lekë nga financimi i huaj dhe për Bypass-in e Elbasanit 300 milionë lekë.

Hekurudhat, fondet rriten në rreth 9 miliardë lekë, Vorë-Hani -Hotit në fokus

Investimet në transportin hekurudhor do të arrijnë në 8.95 miliardë lekë në vitin 2027, nga 5.90 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej rreth 3.05 miliardë lekësh, ose 51.7%. Nga fondi i përgjithshëm, 2.4 miliardë lekë janë financim i brendshëm dhe 6.55 miliardë lekë financim i huaj. Projekti kryesor është rehabilitimi i linjës hekurudhore Vorë–Hani i Hotit, për të cilin vetëm komponentët e grantit dhe kredisë arrijnë në rreth 4.12 miliardë lekë, nga 2.04 miliardë lekë në vitin 2026.

Për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë janë parashikuar 924 milionë lekë, ndërsa për projektimin dhe ndërtimin e bazës mekanike për mirëmbajtjen e trenave 733 milionë lekë.

Ndërkohë, për zbatimin e projektit të lidhjes hekurudhore të terminalit të transportit publik me stacionin hekurudhor të Tiranës janë planifikuar 540 milionë lekë. Financim prej 619 milionë lekësh është parashikuar edhe për ndërtimin e godinave të stacioneve hekurudhore dhe përmirësimin e infrastrukturës përkatëse në linjën Tiranë-Durrës.

Edhe pse pa fitues, planifikohen sërish 10 miliardë lekë për Porto Romanon

Programi i transportit detar regjistron një nga rritjet më të mëdha të investimeve për vitin 2027. Edhe pse qeveria nuk arriti të shpallë një fitues për projektin, vitin që vjen janë planifikuar  rreth 10.05 miliardë lekë për nisjen e punimeve. Pothuajse e gjithë kjo shumë është parashikuar për Portin e ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano, faza e parë, me 9.94 miliardë lekë. Financime më të vogla janë parashikuar për sistemet e menaxhimit të informacionit të administratës detare, shërbimet inxhinierike për mbikëqyrjen e kontratave dhe pajisje të tjera për sektorin.

Ujësjellësit dhe kanalizimet, 14.7 miliardë lekë, financimet më të mëdha për Jugun

Për furnizimin me ujë dhe kanalizimet janë parashikuar 14.67 miliardë lekë investime në vitin 2027, nga 14.38 miliardë lekë në vitin 2026, me një rritje prej rreth 2%.

Financimi i brendshëm ulet nga 11.82 miliardë lekë në 10.10 miliardë lekë, ndërsa fondet e huaja rriten nga 2.56 miliardë lekë në 4.58 miliardë lekë.

Në listën e projekteve me financim të brendshëm, ndër investimet më të mëdha janë impianti i trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemi i kanalizimeve në Dhërmi, me 396 milionë lekë, dhe sistemi i ri i kanalizimeve dhe impianti i trajtimit në zonën turistike të Spillesë, me 378 milionë lekë.

Për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Mamurrasit, faza II, janë planifikuar 336 milionë lekë. Ndërkohë, optimizimi i ujësjellësit të Vorës dhe zonave përreth merr 299 milionë lekë dhe furnizimi me ujë i zonës Levan–Seman po aq. Në financimin e huaj, një nga projektet më të mëdha është Infrastruktura Bashkiake V, me rreth 1.91 miliardë lekë në komponentët e kredisë dhe grantit.

Për përmirësimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës dhe rehabilitimin e kanalizimeve në zonën historike të qytetit janë parashikuar 734 milionë lekë. Ndërsa projekti Deti Blu merr rreth 548 milionë lekë financim me kredi, rehabilitimi i rrjetit të brendshëm në Bashkinë Durrës 371 milionë lekë dhe projekti i kanalizimeve të Tiranës së Madhe 300 milionë lekë. Megjithëse financimi i përgjithshëm i sektorit rritet lehtë, fondet e brendshme janë reduktuar, ndërsa rritja mbështetet kryesisht te kreditë dhe grantet e huaja.

Mbrojtja, 43.7 miliardë lekë investime

Ministria e Mbrojtjes renditet ndër institucionet me portofolin më të madh të investimeve, me 43.7 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2027, nga 37.1 miliardë lekë në vitin 2026.

Vetëm programi i Forcave të Luftimit parashikon rreth 37 miliardë lekë investime nga burimet e brendshme dhe të huaja. Ndër projektet më të mëdha është modernizimi i kapaciteteve ushtarake me financim të huaj, për të cilin janë parashikuar 12.5 miliardë lekë, nga 11 miliardë lekë në vitin 2026.

Për armatimin e lehtë, municionet dhe pajisjet e Forcave Tokësore fondi arrin në 6.7 miliardë lekë, me një rritje prej 1.61 miliardë lekësh. Blerja e një anijeje patrulluese luftarake financohet me 5.4 miliardë lekë, nga 3.2 miliardë lekë në vitin 2026, ndërsa bateritë e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme marrin 4.53 miliardë lekë, nga 2.87 miliardë lekë një vit më parë.

Për ngritjen e shkollës së aviacionit janë planifikuar rreth 1 miliard lekë dhe për sistemin kundër dronëve rreth 912 milionë lekë. Investimet e mbrojtjes përfaqësojnë gati një të katërtën e gjithë portofolit të projekteve të detajuara për vitin 2027.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, 27.2 miliardë lekë

Për projektet e administruara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë parashikuar rreth 27.2 miliardë lekë, nga 32.3 miliardë lekë në vitin 2026. Financimi ulet me rreth 5.1 miliardë lekë, ose 15.8%, por institucioni mbetet një nga administratorët më të mëdhenj të investimeve publike.

Projektet përfshijnë zhvillimin territorial, rehabilitimin e infrastrukturës vendore, përmirësimin e lidhjeve rrugore, zhvillimin e turizmit dhe ndërhyrje në hapësirat urbane.

Ndër projektet me financim të huaj, programi për zhvillimin e turizmit i financuar nga BERZH merr 1.5 miliardë lekë, ndërsa programi IPA për zhvillimin e turizmit 1.48 miliardë lekë. Për rikualifikimin e vijës bregdetare Vlorë–Radhimë–Orikum janë planifikuar rreth 1.2 miliardë lekë, ndërsa programi i rrugëve rurale i financuar nga BERZH merr 1.07 miliardë lekë.

Në financimet e brendshme dallohen ndërtimi i nyjeve multifunksionale të mobilitetit në Sheshin Nënë Tereza, me 750 milionë lekë, dhe ndërhyrjet për përmirësimin e lidhjeve rajonale dhe infrastrukturës urbane, me 750 milionë lekë.

Infrastruktura digjitale, AKSHI merr 6.24 miliardë lekë për investime në  2027

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka një financim të planifikuar prej 6.24 miliardë lekësh për investimet në vitin 2027, duke përfshirë financimin e brendshëm dhe atë të huaj. Krahasuar me vitin 2026, kur ishin planifikuar 6.71 miliardë lekë, fondet ulen me rreth 479 milionë lekë, ose 7.1%.Në listën e projekteve me financim të brendshëm, investimi më i madh  për vitin 2027 është digjitalizimi i pushtetit vendor, me 820 milionë lekë.

Për modernizimin e sistemit të prokurimeve publike, GOVTECH/2, parashikohen 570 milionë lekë, nga 400 milionë lekë në vitin 2026. Projekti ka një vlerë të përgjithshme prej 1.9 miliardë lekësh.

Një tjetër projekt është implementimi i sistemit të menaxhimit të dokumenteve elektronike dhe arkivës elektronike, në kuadër të programit “Administrata pa letër”, me rreth 260 milionë lekë për vitin 2027.

Për përmirësimin e sistemit informatik financiar AFMIS në nivel qendror dhe vendor janë parashikuar 237 milionë lekë, ndërsa për përmirësimin e Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë (SIFQ) rreth 178 milionë lekë.

Në projektet me financim të huaj, fondet më të mëdha shkojnë për ngritjen e laboratorëve të teknologjisë së informacionit në shkolla, SMART LAB, me rreth 737 milionë lekë. Ndërkohë, zgjerimi i rrjetit qeveritar GovNet merr 245 milionë lekë dhe projekti Digital Economy 138 milionë lekë.

Arsimi dhe shëndetësia në fund të listës, vetëm 11.7 miliardë lekë investime

Investimet e Ministrisë së Arsimit arrijnë në 6.27 miliardë lekë për vitin 2027, ndërsa ato të Ministrisë së Shëndetësisë në 5.4 miliardë lekë, dukë zënë një pjesë shumë vogël të fondit të investimeve, me vetëm 5 për qind të fondit të përgjithshëm të investimeve publike, edhe pse në këto dy fusha janë të nënfinancuara.

Në arsim, fondet orientohen për ndërtime dhe rikonstruksione shkollash, infrastrukturën universitare dhe kërkimin shkencor.

Në shëndetësi, ndër projektet më të mëdha janë blerja e pajisjeve mjekësore dhe hoteliere për spitalet, me 604 milionë lekë, modernizimi i infrastrukturës digjitale, me 518 milionë lekë, dhe ndërtimi i godinës së re multifunksionale të Spitalit Rajonal të Korçës, me 419 milionë lekë.

Për rikonstruksionin e godinës së djegie-plastikës në QSUT janë parashikuar 272 milionë lekë, ndërsa për rikonstruksionin e maternitetit të Shkodrës 260 milionë lekë.

Në total, investimet e administruara drejtpërdrejt nga ministritë e Arsimit dhe Shëndetësisë zënë rreth 6.4% të portofolit të detajuar të investimeve publike për vitin 2027.

Bujqësia nuk është prioritet vetëm 6 miliardë lekë investime

Për investimet e Ministrisë së Bujqësisë janë parashikuar rreth 4.06 miliardë lekë nga burimet e brendshme, afërsisht në të njëjtin nivel me vitin 2026 dhe rreth 2 miliardë nga financimi i huaj.

Një pjesë e rëndësishme e investimeve lidhet me infrastrukturën e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet.

Në programin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, fondet e brendshme arrijnë në rreth 2.94 miliardë lekë.

Ndër investimet e identifikuara janë rehabilitimi i kanaleve ujitëse dhe kulluese, veprat e mbrojtjes nga përmbytjet dhe ndërhyrjet në argjinatura e lumenj.

Për zhvillimin rural, financimi i huaj arrin në rreth 1.52 miliardë lekë, duke përfaqësuar një pjesë të konsiderueshme të fondeve të jashtme që administrohen nga ministria./Monitor.al/

Video

Momenti kur Ergys Agasi mbërrin në burgun e Fierit.

Deputetët “seriozë” të Kuvendit të Shqipërisë, ata që Edi Rama po përpiqet t’i mbrojë nga “linçimi publik”

Deputetët e opozitës përplasen me punonjësit e Gardës

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme