Nga Muriel
Në një vend ku qytetarëve u kërkohet çdo ditë të sakrifikojnë, të durojnë dhe të besojnë verbërisht te një drejtësi që ende çedon, politika po ngre në heshtje një tjetër mur pandëshkueshmërie. Këtë herë, në qendër të pazareve nuk është thjesht një deputet apo një ministër i rëndomtë, por njeriu që mban çelësat e portofolit kombëtar: guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Dhe skandali më i dhimbshëm nuk është vetëm cinizmi me të cilin qeveria e Edi Ramës po përpiqet t’i falë një mburojë të re ligjore. Është bashkëfajësia prej heshtjeje e opozitës së Sali Berishës.
Përse? Përse një njeri që drejton institucionin më të lartë financiar të vendit kërkon sot të izolohet pas një imuniteti special, larg syrit të drejtësisë? Kush e projektoi këtë bunker? Kush e financon këtë pazar në kurriz të djersës së shqiptarëve?
Pavarësia e Bankës së Shqipërisë nuk mund të përdorë kurrë si mbulesë për paprekshmërinë personale të atij që e drejton!
Le t'i sjellim ndërmend Shqipërisë reale: një vend i zhytur në detin e pastrimit të parave, ku informaliteti fshin ekonominë e ndershme dhe ku miliarda euro të dyshimta qarkullojnë të pashqetësuara. Banka e Shqipërisë është roja e parë e kësaj dere. Por çfarë ka bërë ky institucion? Sa sy mbylli kur paratë e pista vërshuan në kullat e Tiranës? Sa sinjale alarmi u fshinë në sirtarë?
Në vend që të jepen llogari për këtë cënim të sigurisë kombëtare, politika i dhuron guvernatorit privilegje mbrojtëse që sfidojnë çdo ndjenjë drejtësie.
Dhe këtu tragkomedia politike merr përmasa rrëqethëse. Gent Sejko nuk erdhi nga askund; ai u ul në atë karrige nga bekimi i bashkuar i së kaluarës dhe së tashmes politike. Sot, ndërsa Edi Rama komandon pushtetin dhe Sali Berisha drejton oborrin e revoltës, heshtja mes tyre flet më shumë se mijëra fjalë. Përse Rama e do me çdo kusht këtë imunitet? Dhe përse Berisha zgjodhi ta kalonte në heshtje varfëruese, duke e lënë të paprekur në fjalimin e tij të 28 tetorit?
A jemi dëshmitarë të një pakti të heshtur mbi kurrizin tonë? Të një marrëveshjeje prapa dyerve të mbyllura, ku krerët e politikës mbrojnë njëri-tjetrin për të ruajtur ekuilibrat e pandëshkueshmërisë?
Dyshimi bëhet edhe më i rëndë kur dritat ndizen mbi rrjetën e interesave: lidhje familjare, ortakëri biznesesh dhe koncesione mes njerëzve të bankës qendrore dhe oborrit të pushtetit. Kur bashkëshortët e funksionarëve më të lartë ndajnë pasuri e biznese me klanet politike, transparenca nuk është thjesht një kërkesë burokratike — është thirrja e fundit e një populli që nuk do të vidhet më në sy të diellit.
Zëvendësguvernatorja guxon ta quajë këtë "pavarësi institucionale". Çfarë pavarësie qenka kjo që i duhet leja e politikanëve prokurorëve për të hyrë në zyra apo për të sekuestruar prova? Kjo nuk është pavarësi; kjo është kapje e shtetit në faza terminale! Është kthimi i institucioneve publike në prona private të paprekshme.
Shqiptarët nuk mund të pranojnë më gjunjëzimin e së vërtetës. Llogaridhënia nuk është një dëshirë e zbehtë, është një kusht ekzistencial:
Edi Rama duhet të tregojë se çfarë po fshihet pas kësaj kështjelle mbrojtëse.
Sali Berisha duhet të thotë hapur, pa dredhima: e mbështet apo e dënon këtë imunitet?
Gent Sejko duhet të sqarojë se cilin rrezik real po shmang pas kësaj mburoje të turpshme.
Shqipëria nuk ka nevojë për zyrtarë që fshihen pas imuniteteve mesjetare. As për politikanë që bëjnë sikur nuk shohin. Shqipëria ka nevojë për drejtësi të verbër ndaj pushtetit dhe të drejtë me qytetarin.
Sepse kur drejtësia detyrohet të ulë kokën dhe t'i lutesh politikës për të bërë detyrën, ajo nuk quhet më shtet. Quhet thjesht territor i grabitur.






















